Hipertensioni, njihni 13 faktorët që e shkaktojnë

Pranvera Kola

Matja e vazhdueshme e tensionit është thelbësore në parandalimin e ndërlikimeve të zemrës. Shqetësimet e shkaktuara nga tensioni i lartë (hipertensioni) përbëjnë pjesën dërrmuese të urgjencave që paraqiten në spitale për kujdes të specializuar mjekësor. Kjo veçanërisht në radhët e të sëmurëve kronike, të cilët janë edhe më të rrezikuarit nga ndërlikimet e kësaj sëmundjeje.

Specialistët e shëndetit publik bëjnë me dije se duhet të kërkoni detyrimisht ndihmë mjekësore, në rast se përballeni shpesh me të tilla simptoma, siç është dhimbja e kokës, marramendja, gjakderdhja nga hundët, prania e zhurmave në vesh, lodhja e pashpjegueshme, nervozizmi dhe ankthi i shfaqur pa shkak, vala e skuqjes dhe nxehtësisë në kokë që fillon papritur.

Në këto raste duhet të bëni menjëherë matjet përkatëse, pasi vonesat në trajtim mund të sjellin ndërlikime të rënda në shëndet. Ndonëse këto shenja nuk janë specifike vetëm për hipertensionin, sepse këto simptoma janë po aq të shpeshta edhe tek ata persona që mund të vuajnë nga patologji të tjera, këshillohet që të bëni matje të rregullta, për të zbuluar sa më herët sëmundjen. Vetëm në këtë formë mund të shmangen pasojat e rënda që mund të shkaktojë sëmundja me kalimin e kohës.

Leximet për presionin e gjakut jepen zakonisht si dy numra, përshembull 120/80 mmHg (mm shtyllë zhive, merkuri). Këto janë dhe shifrat e një presioni arterial ideal. Hipertensioni diagnostikohet atëherë kur vlerat e tensionit janë të barabarta, ose më të larta se 160/95 mmHg. Në vijim gjenden të detajuara edhe 13 faktorët e riskut për hipertension, pjesa dërrmuese e të cilëve mund të mbahen nën kontroll.

Menaxhoni stresin
Streset e shumta që vijojnë për një kohë të caktuar, çojnë në shfaqjen e hipertensionit, si dhe në rëndimin e tij. Ndaj sa më shumë të mbani nën kontroll këto gjendje, aq më pak të rrezikuar jeni nga rritja e tensionit dhe ndërlikimeve që vijnë prej tij.

Anomalitë e arterieve
Po ashtu, anomalitë e veçanta të arterieve ndikojnë në rritjen e rezistencës së tyre ndaj presionit (ngurtësimi, ose mungesa e elasticitetit të arterieve) dhe për rrjedhojë çojnë në gjendjen hipertensive.

Yndyrat e larta
Një shkak tjetër mjaft i shpeshtë është edhe niveli i lartë i yndyrave në gjak. Ky tregues vështirëson qarkullimin e gjakut, teksa ndikon edhe në dëmtimin e tyre, si rezultat i depozitimit të pllakave yndyrore në muret e arterieve.

Mosha
Edhe mosha është një faktor risku për të zhvilluar hipertension. Me rritjen e moshës edhe rreziku për këtë sëmundje bëhet më i shpeshtë. Mjekët thonë se rezistenca periferike e arterieve rritet edhe tek moshat e vjetra. Pra, me rritjen e moshës shtohet risku për t’u prekur nga hipertensioni.

Kujdes me kripën
Marrja e sasive të larta të kripës gjatë ditës klasifikohet si një nga armiqtë më të mëdhenj të shëndetit, duke shtuar në masë rrezikun për sëmundje të zemrës, e veçanërisht të hipertensionit. Bluzat e bardha thonë se sasia ditore normale e kripës që përdoret ndryshon nga 3-10 gr, por ka njerëz që përdorin sasi edhe më mëdha kripe (mbi 20 gr). Këta të fundit janë të rrezikuar në masë nga zhvillimi i hipertensionit. Sëmundja shfaqet veçanërisht tek ata persona që kanë defekte gjenetike të pompës sodike (pompa e ekuilibrit të molekulave të kripës në organizëm).

Sëmundje të ndryshme
Gjithashtu në shtimin e rrezikut për hipertension ndikojnë edhe një sërë sëmundjesh. Konkretisht, ndër sëmundjet e shpeshta që favorizojnë rritjen e tensionit janë: sëmundjet kronike të veshkave, të gjëndrave mbiveshkore, diabeti, medikamente të ndryshme (pilulat kontraceptive, medikamentet antimigrenoze, etj).

Historia familjare
Faktori genetik është një tjetër tregues që ju paralajmëron nëse rrezikoni nga hipertensioni. Të dhënat e raportuara nga strukturat e shëndetit tregojnë se personat që kanë njërin nga prindërit, ose të dy me hipertension kanë një risk rreth 2 herë më të lartë për t’u prekur nga kjo sëmundje, se sa pjesa tjetër e popullatës, çka do të thotë se ndikim në këtë sëmundje ka edhe faktori genetik.

Mbipesha
Obeziteti dhe mbipesha gjithashtu ndikojnë në rritjen e vlerave të tensionit, deri në kufij problematikë, ndaj duhet të bëni kujdes në ruajtjen e një peshe të shëndetshme trupore.

Mungesa e aktivitetit fizik
Jeta sedentare është një faktor tjetër që shkakton prirje për shfaqjen e hipertensionit. Studimet epidemiologjike kanë treguar se njerëzit që merren me punë fizike janë më të mbrojtur karshi kësaj sëmundjeje. Ushtrimet fizike ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut nëpërmjet rënies në peshë dhe mbajtjes së zemrës dhe enëve të gjakut në gjendje të mirë. Aktivitetet fizike mund të përfshijnë ecje të shpejtë, vrapim, apo not për 30 deri në 45 minuta në ditë.

Duhani
Duhet të dini se një faktor potencial rreziku në shfaqjen e hipertensionit është edhe përdorimi i duhanit. Sa i takon këtij faktori, mjekët thonë se oksidi i karbonit që çlirohet dhe lëndët e tjera toksike, dëmtojnë enët e gjakut. Konsumi i duhanit është faktor i shpeshtë rreziku edhe për sëmundjet ishemike të zemrës, kryesisht infarkteve.

Alkooli
Një tjetër faktor risku është përdorimi i alkoolit. Personat që përdorin shumë alkool janë të predispozuar për të zhvilluar hipertension. Këshillohet që të mos konsumohet më shumë se një pije në ditë për femrat dhe jo më shumë se dy pije në ditë për meshkujt.

Menopauza
Një nga shkaktarët e hipertensionit është edhe menopauza. Kjo periudhë lidhet me çrregullimet në prodhimin e hormoneve, sidomos estrogjenit që ndihmon në mbrojtjen e enëve të gjakut nga arteriosklerozat. Kur këto hormone janë në nivele të ulëta, nis formimi i arterosklerozave e për pasojë shkaktojnë hipertensionin.

Pagjumësia
Ndikimin në luhatjen e theksuar të vlerave të hipertensionit ka edhe pagjumësia. Një gjumë i parregullt ndikon mjaft në vlerat jonormale të presionit të gjakut.

Pranvera Kola/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *