TIRANË – Frekuentuesit e rregullt të lokalit “Lolita Chiquita” në kryeqytetin shqiptar janë të mendimit se 24 vjeçarja Dejzi Karahasani përfundimisht po i provokon vetë dhe ata nuk kanë asnjë faj, se tek e fundit njerëz prej mishi e gjaku janë.
“Nëse Dejzi nuk ka dëshirë të përfshihet në cic-mice romantike me meshkuj gjysmë të dehur, ç’punë ka që u vjen vërdallë nëpër tavolina?” u ankua 28 vjeçari Kliton Puftja, “nuk e di pse ankohen femrat, kur provokojnë vetë mor vlla”.
Të tjerë frekuentues, të grupmoshave 25-50 vjeç, pohojnë për Gojët e Liga se, ç’është e vërteta, Dejzi e tepron pak.
“Ajo shkon nga njëra tavolinë në tjetrën, pa e vrarë mendjen nëse ka vetëm çuna, apo nëse dikush është ulur me të dashurën. I shikon të tjerët në sy, u buzëqesh, përkulet pak dhe i pyet se çfarë mund t’u shërbejë,” ankohet 31 vjeçari Muço Gusto, duke shtuar:
“Pale pastaj, me atë përparësen me vija që e shtrëngon fort në bel, kur afrohet gjasme të pastrojë tavolinën dhe vjen era bajame e përzier me qershi… hë më thoni, ka faj njeriu i shkretë?”
Të pranishmit deklarojnë se nuk e dinë me çfarë merret dhe si e siguron jetesën Dejzi, pasi ajo rri me orë të tëra në lokal, madje shumë më tepër se ata.
“Nuk e di vlla, këtu e gjej, këtu e le. Dhe sa ulem në tavolinë, më vjen me vrap si flutur, edhe sikur të jem me të fejumen. Pastaj thotë, pse më gjuajnë çunat!” shprehu habinë e tij inxhinieri 33 vjeçar që s’e ka future kurrë në punë diplomën e vet, Haki Kërmilli.
Frekuentues të tjerë rendisin bëma edhe më të rënda të Dejzit, si për shembull faktin që herë pas here ofron gjëra që s’ja ka kërkuar kush: Me shishen e birrës, të sjell medoemos kikirikë; edhe kafe sikur të marrësh, të sjell një gotë ujë akull të ftohtë me një fetë limon; madje po more shumë pije, të sjell shotsa falas në fund pa i thënë njeri.
“Asaj i kruhet vëlla, shkurt muhabeti,” i vë vulën çështjes 42 vjeçari Uran Gutani, “pse duhet t’u vërdalliset çunave të botës krejt pa lidhje, dhe pastaj të qahet se e ngacmojnë? Pse, s’ka kamariere lokali?”
*****
SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike e bindur që fajin e kanë Dejzet
