Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij Liri Berisha vizituan sot shtëpinë e të moshuarve në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet, zyrtarisht me rastin e festave të fundvitit, por realisht për të plotësuar një detaj në axhendën hipokrite që shoqëron zakonisht politikanët në kohë festash për shkak të nevojës për të treguar se janë pranë njerëzve në nevojë.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë “garantoi” dhe “siguroi”, siç zakonisht bën sa herë që ka ndonjë kamera përpara, se do të bëjë gjithçka për të lehtësuar jetën e tyre dhe theksoi se kjo shtëpi (ajo e të moshuarve) është në kushte optimale falë investimit prej 50 milionë lekësh!
“Shtëpia sot është me kushte optimale. Ju garantoj se interesi ynë për t’u lehtësuar juve jetën është interes i madh në rritje” – theksoi Berisha. Siç duhet të ndodhë në të tilla raste, ai nuk harroi të vlerësojë personelin e Shtëpisë së të moshuarve dhe më pas (ky është një ndër momentet më fyese, por dhe më të pashmangshmet) shpërndau dhurata!
Ne e dimë ama, që në fakt kujdesi ndaj shtresave në nevojë në Shqipëri, sidomos ai ndaj të moshuarve është më skandalozi i mundshëm. Pak ditë më parë historia-ime.com solli raste e shembuj konkretë që vërtetojnë atë që kushdo e di në këtë vend: këtu keqtrajtohen të moshuarit!
Një djalë i ri raportoi për Historia Ime se të moshuarit që jetojnë atje duhet të paguajnë 500 lekë sa herë që duhet të lajnë rrobat. Ne nuk e botojmë emrin e tij pasi në shtëpinë e të moshuarve i riu ka gjyshen dhe nuk dëshiron që dikush të hakmerret ndaj saj.
Falë kësaj dëshmie ne shkuam vetë për një vizitë në të njëjtat ambiente ku kryeministri thotë se janë investuar 50 milionë lekë. Gjyshja e burimit tonë fillestar pohoi vetë se uji aty nuk ishte i pijshëm dhe për këtë arsye ata ujin e blinin me ato pak para që ky institucion nuk ua merrte nga pensioni. Ajo konfirmoi se duhet të paguajnë 500 lekë (të reja) sa herë që duan të lajnë rrobat.
Veç kësaj e moshuara dhe mikeshat e saj shtuan për historia-ime.com se kondicionerët ua kishin hequr nga dhomat kur e morën godinën për rikonstruksion dhe nuk i kishin vënë më duke i gënjyer se do i vinin të reja! Gratë e moshuara shtuan se kishin mbledhur bashkërisht lekë për të blerë ngrohëse në dhomat e tyre.
Ky është vetëm një rast apo detaj nëse ju pëlqen ta quajmë kështu, që dëshmon se sa pak vëmendje kemi ne si shoqëri për më të dobëtit, por mbi të gjitha se sa pak interes ka shteti që ne e mbajmë në këmbë për të na ndihmuar në ditët tona më të këqija, për të na e lehtësuar momentet e fundit të udhëtimit tonë në këtë botë…
Ku eshte faji i kryeministrit nese personeli nuk e kryen punen. apo beni vetem politike dhe asgje tjeter. nga shtepia e te moshuareve e deri tek kryeministri jane te paketen 8 shkalle administrative.