E dëgjuam fjalimin patetik e plot devotshmëri të Kryetarit të drejtësisë shqiptare. Nuk ma merrte mendja që në aq pak fjalë të dëgjoja aq shumë hipokrizi të shqiptuara si psalme në një sakristi kulti. I qante zemra për drejtësinë kryetarit të saj. Po nuk kuptuam se për cilën e kishte fjalën.
Për drejtësinë hyjnore apo për atë tokësoren. Se për këtë të fundit e dimë të gjithë se është blozë. Natyrisht kjo nuk presupozon që të gjithë gjyqtarët të kenë këtë ngjyrë, por në tërësi e në koncept është më keq se aq. Për shqiptarët ajo është kthyer në simbol të së keqes e të pabesisë kundrejt ligjshmërisë e të drejtave qytetare. Pikërisht kryetari i saj i bën thirrje këtij sistemi korruptiv të shtrëngojë radhët për të mbrojtur Republikën. E pikërisht asaj Republike që deri më sot i kanë vënë kazmën e shkatërrimit.
Thirrja e tij drejtuar qytetarëve për mbrojtjen e institucionit të “pavarur” duhet të ishte drejtuar në të kundërt e bile prej shumë kohësh. Jo thirrje, por ulërimë duhet të kishte lëshuar kryetari “i pavarur” i shtetit qysh në ardhjen e tij në pushtet. Po të ndodhte kjo gjyqësori mbase nuk do të ishte katandisur në një horror qytetar e urban. Por ai nuk pati kurajën e intelektualizmin për të luftuar të keqen e mbjellë po nga ai vetë në kohën e “plepave”.
Kurse tani kjo figurë e nënshtruar merr guximin të thërrasë popullin për të mbrojtur të keqen e neveritshme që duhet të mbajë po ky popull në zverk. Mendoj se këto absurde kanë edhe diçka të mirë. Ditët që kalojmë janë të mbushura me të tilla po aq bajate e vetë poshtëruese sa që njerëzit nuk e kanë të vështirë të kuptojnë kush janë në krye. Ajo që vazhdon të më mbetet enigmë është se çfarë mendojnë ata vetë për këtë. Ne apo ata janë për t’u vënë drunë? Profeti
