Rreth 90 për qind e çrregullimeve të tiroides ndodhin për shkak të uljes së funksionit të kësaj gjendre, patologji e cila në gjuhën mjekësore njihet edhe si Hipotiroidizmi. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë me dije se hipotiroidizmi ndodh kur gjëndra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone për të kryer funksionimin e duhur të saj.
Femrat janë ato që rrezikojnë më së shumti nga kjo sëmundje.
Janë një sërë simptomash që tregojnë nëse kemi të bëjmë me uljen e funksionit të kësaj gjendre, për të cilat duhet të kërkoni menjëherë ndihmën e specializuar mjekësore.
dje. Prania e shenjave të tilla, si: lodhja e vazhdueshme, lëkura e thatë, shtimi në peshë, ngjirja e zërit , flokë të hollë apo rrahje të ulëta të zemrës janë ndër simptomat sinjalizuese që tregojnë se tiroidja nuk po prodhon sasinë e duhur të hormoneve të saj.
“Në pjesën dërrmuese të rasteve, hipotiroidizmi shkakton: lodhje, ndjesi të ftohti, kapsllëk, lëkurë të thatë, shtim në peshë, fryrje në fytyrë, ngjirje e zërit, dobësi muskulare, nivel i lartë i kolesterolit në gjak, flokë të hollë, rrahje të ulëta të zemrës, si dhe depresion”, vënë në dukje ekspertët e ISHP-së.
Sipas tyre, ndonëse gjithsecili prej nesh mund të jetë i rrezikuar nga zhvillimi i këtij çrregullimi të gjendrës së tiroides, por ka një kategori njerëzish që konsiderohen me rrezik më të lartë për t’u prekur. Konkretisht ndër kategoritë më të rrezikuara janë gratë, sidomos ato mbi moshën 60-vjeç, personat që vuajnë nga sëmundje autoimmune, njerëzit me histori familjare të sëmundjes së tiroides. Mjaft të rrezikuar për të zhvilluar hipotiroidizëm janë edhe pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera siç mund të jetë artriti rheumatoid ose lupusi, gjendja inflamatore kronike, si dhe ata që janë trajtuar me jod radioaktiv ose medikamente antitiroide. Një tjetër faktor risku është edhe rrezatimi. Të predispozuar për të zhvilluar këtë çrregullim të tiroides janë edhe personat që kanë marrë rrezatim në qafë ose në pjesën e sipërme të gjoksit, ata që kanë kryer kirurgji të tiroides, si dhe gratë që kanë patur shtatzëni, ose që kanë kryer lindje brenda gjashtë muajve të fundit.
Për të shmangur në kohë ndërlikimet që kjo sëmundje mund të shkaktojë, çdo pacient që vëren praninë e simptomave të përmendura më lart duhet të paraqitet menjëherë tek mjeku endokrinolog për të kryer analizat dhe ekzaminimet diagnostikuese të kësaj sëmundjeje. Pasi vlerësohet funksioni i gjëndrës tiroide me analizat (analizat kryesore janë TSH, ft4, ft3, anti Tpo, anti Tg, antiTsh rec, etj), mjeku në varësi të situatës mund të drejtojë pacientin për eko, skaner apo shintigrafi, qoftë për të diagnostikuar shkakun, apo dhe për të vlerësuar ecurinë e trajtimit që pacienti duhet të ndjekë në vijimsi.
Kategoritë më të rrezikuara nga Hipotiroidizmi janë:
- Gratë, sidomos ato mbi moshën 60 vjeç.
- Personat që vuajnë nga sëmundje autoimmune.
- Njerëzit me histori familjare të sëmundjes së tiroides.
- Ata me sëmundje të tjera si, Artrit Rheumatoid ose lupus, gjendje inflamatore kronike.
- Ata që janë trajtuar me jod radioaktiv ose medikamente antitiroide.
- Personat që kanë marrë rrezatim në qafë ose në pjesën e sipërme të gjoksit.
- Personat që kanë kryer kirurgji të tiroides.
- Gratë që kanë patur shtatzëni, ose që kanë kryer lindje brenda gjashtë muajve të fundit.
