Policia e Kukës ka vënë në pranga tre persona, të cilët hiqeshin si fallxhorë dhe mashtronin njerëz të ndryshëm duke ju grabitur para dhe bizhuteri.
Burime nga policia bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Ardian Rakipi, 42 vjeç, banues në fshatin Halil, Krujë, Vjollca Gatali, 42 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit Ardian Rakip), banuese në fshatin Halil, Krujë dheElena Muhaxheri, 35 vjeçe, banuese në fshatin Halil, Krujë.
“Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shkuar në banesën e shtetases R.M, 61 vjeçe, banuese në Kukës, dhe nëpërmjet mashtrimit i kanë vjedhur një shumë prej 500 euro, 3000 lekë, një varëse floriri, një palë vath floriri, dy unaza prej sermi dhe materiale të tjera, ku më pas janë larguar në drejtimi të Dibrës.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga policia në momentin e arrestimit, këtyre shtetasve iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale lekët, valuta dhe sendet prej floriri të vjedhura në banesën e shtetases R.M.
Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip “Opel-Astra”, me targa AA 991 GL, në pronësi të shtetasit Ardian Rakipi”, bën me dije policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Vjedhja nëpërmjet mashtrimit, kryer në bashkëpunim”.
