Punësimi i pedagogëve të rinj tek Universiteti i Mjekësisë nuk do kryhet më përmes konkursit apo testimeve. Me kriteret e reja të vendosura, punësimet do bazohen tek dosja e kualifikimeve. Do të fitojnë ata që kanë notë mesatare mbi 9 në studimet universitare, si dhe grada doktor në specializimet përkatëse. Kriteret e plota.
Pranvera Kola
Ndryshojnë kriteret për punësimin e pedagogëve pranë Universitetit të Mjekësisë. Procedurat e ndjekura gjatë viteve të fundit përmes konkurseve dhe testimeve nuk do të aplikohen më në shtimet e reja të stafit akademik që do ti bashkohet procesit mësimor në fakultetet e këtij universiteti. Në një dalje publike ditën e djeshme, rektorja e Universitetit të Mjekësisë, Jera Kruja, ka bërë të ditur detajet e Vendimit të Qeverisë që do të zbatohen për punësimet e pedagogëve të rinj.
Sipas Krujës, nuk do të ketë më konkurse apo testime, por kritere të tjera që kanë në bazë kualifikime të shumta që lidhen me gradën doktor shkencash, notë mesatare të lartë, si dhe kryerje të specializimeve të caktuara afatgjata jashtë vendit. I gjithë personeli shëndetësor që do të plotësojë këto kushte, mund të bëhet pjesë e stafit të Universitetit të Mjekësisë.
“Rezultate të shkëlqyera, notë mesatare mbi nëntë në studimet universitare dhe në studime specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë, si dhe grada doktor për kandidatët që i kanë kryer këto studime brenda vendit ose rezultate të mira me notë mesatare tetë në studimet universitare dhe studime specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë grada doktor për kandidatët që kanë kryer këto studime jashtë vendit”, ka vënë në dukje rektorja e Universitetit të Mjekësisë Jera Kruja.
Vendosja e këtyre kritereve që tashmë kanë nisur të zbatohet, ka përzgjedhur edhe kandidatët e parë që do t’i shtohen stafit akademik të këtij universiteti.
Lidhur me procedurat e zhvilluara Kruja ka shtuar më tej se tashmë kanë fituar të drejtën për të dhënë mësim në këtë universitet 40 pedagogë të rinj, të cilët kanë gradën doktor dhe kanë mbaruar studimet me mesatare të lartë.
Sipas saj, marrja e këtij vendimi erdhi pas propozimit të bërë nga zëvendëskryeministri, njëherësh edhe ministër i Arsimit, Myqerem Tafaj, duke iu referuar kështu edhe nevojës për shtimin e numrit të pedagogëve në strukturat publike të arsimit të lartë në vend. Shtesa e stafit do t’i vijë në ndihmë procesit mësimor, duke përballuar edhe prurjet e reja që universitetet publike do të realizojnë nëpërmjet maturës shtetërore, për vitin e ri akademik 2013-2014.
Degët e fakulteteve mjekësore rezultojnë të jenë ndër më të preferuarat nga maturantët që konkurrojnë për vijimin e studimeve të larta në publik. Njëkohësisht këto degë kërkojnë edhe kufirin më të lartë të pikëve që një maturant duhet të sigurojë nga provimet e maturës, në mënyrë që të fitojë të drejtën e studimit në këtë universitetet.
Të drejtën për të vijuar studimet në këto degë e kanë vetëm maturantët që marrin nota të larta në katër provimet e maturës, teksa duhet të kenë edhe mesatare të lartë të shkollës së mesme, si dhe të kenë përzgjedhur lëndët e duhura për t’i dhënë si provime me zgjedhje.
Kriteret për të fituar kontratën e punës si pedagog
Kriteret e përgjithshme që duhet të plotësojë personeli i kualifikuar janë:
- Rezultate të shkëlqyera, notë mesatare mbi 9 në studimet universitare dhe në studimet specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë grada doktor, për kandidatët që i kanë kryer studimet brenda vendit.
- Rezultate të mira me notë mesatare 8 në studimet universitare dhe të specializimit afatgjatë në fushën e mjekësisë dhe grada doktor, për kandidatët që i kanë kryer këto studime jashtë vendit.
- Së paku 7 vite punë në qendra spitalore universitare apo në spitale, pas përfundimit të specializimit.
- Përkatësia në njësitë kryesore dhe ato bazë të Universitetit të Mjekësisë të Tiranës, përcaktohet me vendim të Senatit Akademik dhe Këshillit të Administrimit Ekonomik të Universitetit të Mjekësisë.

E çuditeshme se si njerezit e dijes, organizatoret titullare te saj,jetojne jashte realitetit te dijes, terhiqen nga instinktet prapavajtese si ai qeni-ujk i skive ne novelen e Londonit, qe “kthehet ne kushtrimin e te pareve”.Sot ne vendet me arsim te zhvilluar dhe ne traktatet pedagogjike te BE,OECD, te institucioneve te UNESCO-s etj. kerkohet organizimi i te mesuarit gjate gjithe jetes dhe rimaturimi i i diplomave. Perveçse dijet reale te çdo niveli fosilizohen, ketu tek ne leshohen diploma te stimuluara materialisht dhe nuk kane asnje siguri, perveçse sherbejne si tregues formal i dosjeve, nota mesatare dhe gradat shkencore te fitruara.Kjo dihet nga te gjithe por eshte nje nga rruget e shtruara qe te çon tek rekrutimi me ane te ryshfetit, pa u lodhur per te kaluar disa gardhe te sofistifikuara konkursesh.Ashtu si organizmi njerezor ekziston si forme e konkurimit te jetes, edhe mendja ekziston vetem ne kete forme.Nuk e di a ka formim pedagogjik zj,Kruja,por eshte e çuditeshme se si ministri i arsimit hap driten jeshile tezave te vjeteruara te kalçifikimit te dijes.Ndoshta sepse eshte edhe zv-kryeminister dhe si i tille nuk don te dije as ate qe dihet dhe nuk don te beje as ate qe behet., sepse universitei yne mjeksor nder te paktet e botes duhet te shkoje kunder kohes.