“Hirësi, ja i shkrova unë po kush do t’i lexojë?”

J L

Ditëlindja e Faik Konicës, një ndër shqiptarët e rrallë, i cili dje do të mbushte 147 vjeç. Si e kujton Auron Tare, Konicën, çfarë ka parë ai në shtëpinë e tij në Konicë dhe pse e ruajmë kaq pak identitetin tonë. Tare tregoi se banesa e Beut në Konicë nuk është rrënuar nga grekët, të cilët ishin kritikuar nga ai. Çfarë dot të thoshte Konica po të ishte gjallë…

Entela Resuli

 

Ditën e djeshme, në 15 mars, Faik Konica, një nga shqiptarët më interesant që ka njohur historia e Shqipërisë, kishte ditëlindjen.

Në këtë datë, studiuesi Auron Tare i ka dedikuar një shkrim Faik Beut.  Ai ka kujtuar pasurinë e paçmuar që Konica ka lënë pas duke qenë aktual sot e kësaj dite.

Faik Konica është një nga njerëzit që e ka njohur shumë mirë karakterin e shqiptarit, madje e ka kritikuar ashpër atë. Ai ishte një atdhetar i thekur dhe emrin e Shqipërisë ka mundur ta çoj kudo ku ka shkuar.

Mes të tjerash në statusin e tij Tare kujton një vizitë që ka patur në shtëpinë ku lindi Faik Konica. Ai tregon se banesa e Beut në Konicë nuk është rrënuar nga grekët, të cilët ishin kritikuar nga ai.  Studiuesi thotë se grekët nuk ia kishin marrë qoshet e mureve, nuk i kishin shkulur portën që t’ja shisnin, duke shprehur çudi për respektin që ata kishin treguar ndaj shtëpisë së Beut të Konicës.

Grekërit që ne i shajmë gjithë kohën ne fakt me mençuri kanë mundur të restaurojnë çdo gjurmë të tyre apo që pretendojnë se është e tyrja në Shqipëri. Shteti i shqiptarëve nuk i doli dot për Zot jo shenjave të rëndësishme kombëtare siç është shtëpia e Faik Beut në Konice për shembull por as ato që ka këtej kufirit të tij’– shkruan ndër të tjera Tare.

Shkrimi i plotë:

Sot me 15 të Marsit të 1875 lindi në Konicë të vilajetit të Janinës një nga shqiptarët më brilante të rilindjes kombëtare, Faik Beu. Pinjoll i fundit I Oxhakut të Konicës, studio në një sërë shkollash perëndimore ku më e rëndësishmja për formimin e tij ishte shkolla e priftërinjve jezuite në Shkodër si dhe Instituti Freng në Gallatasaraj të Stambollit. Udhëtar i përjetshëm, aristokrat i rafinuar, englez me shumë se inglezerit, freng me shumë se frengjerit, kritik dhe eseist brilant jetoi në disa kryeqytetet europiane ku jetën ja dedikoi Shqipërisë edhe pse shkruante për një komb që më së shumti nuk lexonte.

Mbrojtësi më i madh i Kulturës shqiptare në Europë, por edhe kritikuesi më i ashpër i saj brenda vendit Faik Beu kudo që shkoi shkëlqeu nga kultura dhe eksentricizmi i tij. Mjeshtër i shqipes, zbulues i flamurit të Arbërit, mbajtës i qiririt të ndezur të shkrimit shqip, kalorës i pavarësisë, Kombi i shqiptarëve rrallë mund të nxjerrë figura të tilla që ndriçojnë dhe çudisin njëkohësisht bashkëkohësit e tyre. Në Kryeqytetin e Amerikës së largët, shpesh, i mërzitur nga padija gjeografike e amerikaneve bridhte bulevardit të Washingtonit i veshur me rroba kombëtare shqiptare për të tërhequr vëmendjen e publikut për këtë vend dhe komb të harruar.

Dashuria e tij e madhe për identitetin kulturor shqiptar e bënte atë një kritik therës të pasanikeve dhe injoranteve të rinj që mbushën shtetin e brishte të cilët nuk e kuptuan kurrë shpirtin e aristokracisë shqiptare që Faik Beu e përfaqësoi aq denjësisht. Shkrimet e tija therëse lexohen me endje sot sikur t’i ketë shkruar enkas për injorancën shqiptare post komuniste.

“Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë zënë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mend mirë këtë që po ju thom: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa ishim”. Gjithë jetën Luftoi për një Shqipëri më të mirë. Vdiq i vetmuar në një dhome hoteli me faturat ende te pa paguara pasi nuk kishte me asnjë mjet jetese.

Disa vite të shkuara shkova në Konice për të parë shtëpinë e tij. E rrënuar sigurisht por çuditërisht grekërit të cilët Faik Beu i kishte kritikuar gjithë jetën për zullumet kundër shqiptareve nuk ja kishin prishur shtëpinë Beut të letrave të shqiptareve. Nuk ja kishin marre qoshet e mureve të gdhendura aq bukur. Nuk ja kishin shkulur portën madhështore dhe t’ja shisnin, as bahçenë nuk ja kishte marrë ndonjë i forte nga Konica.

Çudi e madhe grekët e kishin respektuar shenjtërinë e shtëpisë se Beut të Konicës. Të kishte qene kësaj ane të kufirit shtëpia e Faik Beut me siguri nuk do ti kishte mbetur asnjë gjurmë se do ja kishin vjedhur gurët e shtëpisë ata që Faiku ju këndoi dhe i mbrojti gjithë jetën e tij.

Grekërit që ne i shajmë gjithë kohën në fakt me mençuri kanë mundur të restaurojnë çdo gjurmë të tyre apo që pretendojnë se është e tyrja në Shqipëri. Shteti i shqiptareve nuk i doli dot për Zot jo shenjave të rëndësishme kombëtare siç është shtëpia e Faik Beut në Konice për shembull por as ato që ka këtej kufirit të tij. Sa bukur do ishte sikur ne shqiptaret e kësaj epoke të mundemi si te barabarte me grekërit të tregojmë fisnikërinë dhe të mundemi të restaurojmë shenjat tona te rëndësishme të kulturës sonë, përpara se t’i humbim ato përfundimisht dhe pas një shekulli të jenë tretur si shumë e shumë figura që sot nuk ju dihet as varri. Eh sa ëndërr e bukur por siç do thoshte Faik Beu kur mërzitej me Shqipërinë e tij dhe Peshkop Noli i Bostonit e kritikonte se nuk kishte shkruar prej kohës për mëmëdheun: “Hirësi, ja i shkrova unë po kush do t’i lexoje?”

Si vdiq Faik Konica

Faik Konica u nda nga jeta në një apartament në Uashington DC në vitin 1942.

Atë vit Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe Departamenti i Shtetit nuk e njihte më Konicën si përfaqësues diplomatik të vendit të tij.

Jeta e Faik Konicës në Uashington ishte modeste. Paguante qiranë e apartamentit, rreth 80 dollarë në muaj, pastaj stenografen dhe sekretaren Charlotte Graham, e cila punonte për të prej 12 vitesh, si dhe shërbyesit, Hattie Williams me burrin e saj. Kohët e fundit kishte marrë para borxh nga disa miq, diçka më pak se njëmijë dollarë. Jetonte si një aristokrat i rënë nga vakti, sepse, ndërsa merrte hua për të shtyrë pagesën e qirasë, në gardërobën e tij kishte ndonja dhjetë kostume shik, një numër palltosh, plot kapele e këpucë si dhe një koleksion të bukur veshjesh zyrtare.

Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi hemorragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në banjë dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash. Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden. Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë.

Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Fliste përçart, “there is no answer”, thoshte në anglisht, “përgjigja nuk po vjen”. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë. Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar. Ishte data 15 dhjetor 1942. Dr. Oden i tha se do të vinte sapo të mbaronte një operacion.

U vendos që trupi të dërgohej në shtëpinë e funeraleve Hysong aty pranë. Gjërat kishin ndodhur shpejt dhe Charlotte ishte e hutuar. Dr. Oden pyeti për familjen e të ndjerit, nëse sekretarja e dinte se ku ndodheshin njerëzit e tij. Pyeti për gjendjen financiare të Faikut, pasi duhej një garanci për shërbimin funeral. Charlotte i tha se Faiku kishte 15 dollarë e 54 cent në apartament, por priste një pagesë prej 2,100 dollarësh, që ministri i Oborrit, Martini, kishte nisur me kabllogram nga Londra. Oden tha se do të bëhej vetë garant.

Sekretarja i telefonoi Departamentit të Shtetit dhe kërkoi të fliste me dikë që merrej me punët e Shqipërisë. Zëri i dridhej. I thanë se dikush do ta merrte pak më vonë. Pasdite, në telefon u paraqit Wesley Jones, zyrtar i sektorit të çështjeve evropiane, të cilit Charlotte i tregoi me hollësi se ç’kishte ndodhur. Folën për arkivat e legatës shqiptare dhe ajo i tregoi se ato, bashkë me vulat, i ishin dorëzuar me kohë ambasadës italiane. Në apartament, i tha, nuk ka asnjë objekt zyrtar të qeverisë shqiptare dhe të gjitha dokumentet e sendet e tjera janë pronë e tij personale.

Certifikatën e vdekjes së Faikut me logon District of Columbia e firmosi Dr. Oden. Pasi shënoi vendlindjen e të ndjerit, Konitza, Albania, shkroi datën e lindjes, 15 prill 1876 dhe të vdekjes, 15 dhjetor 1942.

Disa nga gazetat e mëdha të Amerikës i kushtuan vdekjes së Faik Konicës nga një kolonë modeste. Meqenëse ai kishte tre vjet e ca që ishte shkëputur nga qarqet diplomatike, harresa kishte bërë punën e saj prandaj një pjesë e mirë e fakteve rreth të ndjerit ishin të pasakta. Një gazetë lokale e ngatërronte me të vëllanë, Mehmetin. Në New York Times ai përmendej më tepër si dramaturg dhe pastaj flitej për atë historinë e tij të çuditshme me Ann Corion. Megjithatë, disa nga të vërtetat e njohura thuheshin. Washington Post-i përmendte, për shembull, “aftësinë e tij të shkëlqyer të të shprehurit” dhe “sensin e mrekullueshëm të humorit”.

Askush në shtypin amerikan nuk e kujtoi Faikun më bukur se sa kritiku i Sekretarit Hull, Drew Pearson në rubrikën The Washington Merry-go-Round:

“Një diplomat i vjetër dhe i vetmuar vdiq thuajse pa u vënë re në Uashington. Ai ishte përfaqësuesi i njërit prej vendeve më të vegjël të Evropës, ndër të parët që u gllabëruan nga Boshti. Për 20 vjet, Faik Bej Konica bëri miq për vendin e tij të panjohur. Por papritur, në prill 1939, bota e tij diplomatike pushoi së ekzistuari kur Musolini, i cili po e ndiqte me lakmi pushtimin e Austrisë nga Hitleri, mendoi se tani ishte radha e Italisë dhe futi trupat në Shqipërinë e pambrojtur. Por ai qe i vetmi në Uashingtonin zyrtar që dukej i shqetësuar. Departamenti i Shtetit i zotit Cordell Hull nuk bëri asnjë lëvizje apo protestë. Konicës madje nuk iu dha as kortezia që të mbahej në listën diplomatike zyrtare, gjest që iu akordua vendeve të tjera të pushtuara. Në atë kohë, Departamenti i Shtetit ishte duke e përkëdhelur Musolinin dhe Shqipëria nuk kishte rëndësi. Ministri Konica e la hotelin Mayflower dhe u vendos në një apartament të vogël ku mbajti zi për shuarjen e vendit të tij. Atje, ai vdiq fare qetësisht”.

(Marrë nga libri: Faik Konica, jeta në Uashington, me autor Ilir Ikonomi).

 

Share This Article
13 Comments
  • Greket e bene te tyren.E futen Konicen brenda Greqise.Tani i mbetet shqiptareve t`ja rrafshojne muret shtepise,,ashtu si kane bere me sarajet e Kadri bej Cakranit,Ali bej Kelcyres,Gjon Markagjonit.

  • O Demo , a i ke trute ne vend , apo te kane zbritur ne fund te kurrizit ?! Si mund te besh budallalleqe te tilla e te barazosh vlerat e shumecmuara te nje personaliteti te Rilindjes Kombetare , Faik Konices , me njeres medioker qe nuk kane lene asgje te mire per kete vend ? ! Ti nxjerr gjithmone “xhevahire” ne komentet e tua , por kesaj radhe ,. me nder me thane e dhive fare !

  • Faik Konica shkruante per ata qe e paguanin me shume: keshtu i sherbeu kryekrimineleve dhe hajduteve te Shqiperise, Esat Pashe Toptani dhe Mbretit Zog.

  • Personaliteti i madh, shume dimensional,Konica yne,ne profecine e tij.ka bere nje gabim,po te ish gjalle do ta perjetonte thelle,kur thote:
    ´´Dhe mbas njeqint vjetesh,do te jemi po aq poshte sa tani´´
    E verteta e sotme,eshte qe jemi shume me poshte si njerez dhe per pasoje dhe si shtet se njqint vjet me pare.Aq me teper kur krahasohemi me boten per reth
    Kemi njohur,pushtim munxyroses anadollak,por ate qe i kemi bere dhe vazhdojme ti bejme sidomos tani, ne ´´shqiptaret´´(hajde merre vesh lloji e perces se hedhur,ne magjet shqiptare),nuk ja ka bere as pushtuesi i erret peseqint vjecar.
    500 vjet te krrusur,nga frika dhe interesi pervers,krijoi nje qenie hibride te bastarduar,qe dhe tani mbas me shume se njeqint vjetesh,qe eshte larguar kemba e dushmanit(ne fakt mbas kesaj,bejleret e bastarduar vendas dolen dhe me te eger se anadollaku vet),ne vazhdojme te jepemi ne te gjitha drejtimet si dylbere te zjarrte,sulltaneve te sotem,me nostalgjine e pushtimit denatyrues te dikurshem,ne trute tona te degraduara.
    Keto duar te errta monstrash,shkuan dhe deri aty sa dhunuan dhe prishen dhe varrin e ketij shqiptari te madh,,qe kish deshiren e madhe,qe te prehesh,ketu,por ja qe dhe te vdekur,hodhen gure mbi te.
    Dhe natyrshem te ndjera thelle,vijne fjalet e imzot Nolit,mikut shpirteror te Konices:
    Skllever,bij skllevrish
    Sé meritoni,se liri s´doni

  • Beni mire te na tregoni aktivitetin e tij politik me gjithe drite hijet e tij. Cfare beri per Shqiperine , bisedimet me qeverine amerikane etj etj kjo do te jete interesante e jo garderoben e jetesen.

    • Meso shqip,por shqip ama me sy nga Shqiperia,dhe fillo te lexosh Konicen,,ku dhe nqse ke nje inteligjence minimale do te njohesh dimensionin e ketij shqiptari te vertete dhe te madh.

  • Dardan po te rendis disa pak merita te Konices dhe guret e rende te themelit ne formimin e shtetit shqiptar.
    Mas 1897 themeloi revisten Albania qe u be tribune e mendimit intelektual mbarekombetar per liri e pavaresi te plote nga sundimi turk.
    Zbuloi Flamurin e Skenderbeut,qe u be me vone flamur kombetar,.
    Me shqipen e tij elegante te kolonjes e Leskovikut(ku perfshihej nahija e Konices),vuri themelet e gjuhes letrare kombetare.
    Themeloi Vatren ne Amerike dhe gazeten Dielli.
    I dergoi nje kerkese qeverise turke ku kerkonte Pavarsine e Shqiperise mbi 4 Vilajetet shqiptare,ku e paralajmeronte per rrezikun grek ,pushtimin e Shqiperise se Jugut.
    Nuk e ftuan ne Vlore,nuk i ofruan ndonje portofol te rendesishem,,u bashkua me qeverine e Durresit me kryeminister Esad pashen.
    Ishte pjese e Delegacionit te Vatres ne bisedime me delegacionin Amerikan per sigurimin e kufijve te Shqiperise nga synimet shoviniste te fqinjeve.
    Eshte deputet i Shqiperise nga Kongresi i Lushnjes deri ne rrezimin e qeverise Zogiut nga revol.qershorit.
    Ne fillim kundershtar i Zogut,me pas perkrahes i tij,per 12 vjet eshte minister fuqiplote i shtetit shqiptar ne Washington.
    Eshte i vetmi personalitet qe protestoi ne radion shteterore Amerikane pushtimin fashist te Shqiperise.

    • FLM Demo. Jam dakort me ju dhe I di keto, Por desha ndonje gje interesante ne politikat amerikane gjate kohes se tij si perfaqsues i shtetit. Politikanet shqiptare dihen boterisht se blihen kollaj, qe shesim vjedhin djegin shkaterrojne kombin sidomos keto 30 vjet per tu pasuruar, ndryshe nga patriotet e medhenj qe shiten pasurine per Shqiperine.

  • Te them dhe nje merite tjeter.Vdiq me 15 dollare ne xhep.
    Me gjej nje pushtetar te sotem te rrahgut me te ulet lokal,qe te mos kete disa shtepi dhe miljona poshte dyshekut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *