Histori-Arkiva: Pretenca e Prokurorit në gjyqin ‘Puçistëve në ushtri’, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe Rrahman Parllaku

anazapta

Ekskluzive / Dokumentat arkivorë të gjyqit ndaj “puçistëve në ushtri”

 

DITA sjell sot për herë të parë dokumenta arkivorë nga procesi gjyqësor për Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e Rrahman Parllakut, të arrestuar në korrik të vitit 1974 si krerë të ‘Grupit puçist në ushtri’. Është një nga proceset që ka bërë shumë bujë në Shqipërinë komuniste. Në përfundim të procesit në fjalë, tre gjeneralë u dënuan me vdekje e shumë të tjerë më dhjetëra vite dënim e internime familjare.

 

Rubrika “Arkivat” e DITA-s do botojë duke nisur prej sot e në vijimësi, pretencën e prokurorit të cështjes Murat Kamana e më pas disa dokumenta me siglën Sekret, përfshirë vendimin për pushkatim të tre gjeneralëve, refuzimin e kërkesës për falje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe dëshmitë nga pushkatimi i tyre më 5 nëntor të vitit 1975…

Pretenca që do lexoni në numrat e parë rendit – sipas prokurorit të shtetit të atëhershëm, – provat mbi të cilat ai ka ndërtuar akuzën në 1974. Materiali ka vlerë njohëse arkivore, janë redaktuar disa citime të zgjatura të akuzatorit nga veprat e Enver Hoxhës, dhe sigurisht duhet mbajtur në konsideratë gjatë leximit konteksti ku ka qenë vendosur kjo ngjarje, nga më të bujshmet e Shqipërisë para viteve ’90.

 

PRETENCA KUNDËR GJENERALËVE nga prokurori Murat Kamana në procesin ndaj Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e Rrahman Parllakut, të arrestuar në korrik të vitit 1974 si krerë të ‘Grupit puçist në ushtri’

 

Shoku kryetar, shokë gjyqtarë të gjykatës së posaçme ushtarake!

Komunistët, mbarë populli ynë, tërë masat e ushtrisë popullore, me ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe të preokupuar seriozisht për fatet e revolucionit dhe të socializmit…  diskutuan dhe analizuan veprimtarinë armiqësore antiparti të komplotistëve në ushtri, të kryesuar nga Beqir Balluku dhe me bashkëpunëtorë Petrit Dume, Hito Çako dhe Rahman Parllaku.

I gjithë ky diskutim masiv, i mbështetur në parimet e demokracisë tonë socialiste, hodhi dritë mbi veprimtarinë kriminale të zhvilluar nga komplotistët që gjykojmë… Në këtë gjykim të madh popullor diskutuan me mijëra njerëz, komunistë dhe pa parti…vetë ata u vunë në rolin e hetuesit, prokurorit dhe gjyqtarit dhe i dhanë dënimin e merituar këtij grupi armiqësor, duke realizuar në praktikë të drejtën e tyre si zot të pushtetit popullor, si mbrojtës të vendit, pavarësisë dhe sovranitetit kombëtar.

Shumë gjak u derdh për vendosjen e pushtetit popullor në Shqipëri, por shumë gjak, djersë, mund dhe sakrifica desh për ta ruajtur dhe forcuar më tej atë. Dhe këto, populli ynë nuk i kurseu asnjëherë, sepse pushteti është i tij, buron nga ai dhe i përket atij …Rruga nëpër të cilën ka kaluar diktatura e proletariatit në vendin tonë, nuk ka qenë aspak e lehtë. Banda të armatosura me kriminelë të luftës u futën nga toka, ajri dhe deti. Grupe sabotatorësh u organizuan në rrethe të ndryshme dhe në degë të ndryshme të ekonomisë. Provokacione të hapura u ndërmorën në kufijtë tanë shtetërorë, komplote për ‘kryengritje’ të kombinuara me ndërhyrje nga jashtë u përgatitën. Bllokada të egra politike, ekonomike dhe ushtarake u vendosën.. Këta tradhtarë (tregon nga Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku) që sot janë para jush në bankën e të akuzuarve po japin llogari për krimet dhe tradhtinë e tyre. Kjo veprimtari armiqësore vërteton edhe një herë se lufta e klasave vazhdon pa ndërprerje në çdo kohë dhe në çdo rrethanë… Qëllimi i tyre ka qenë dhe mbetet i njohur: kanë synuar dhe synojnë  të përmbysin pushtetin popullor në Shqipëri. Por veprimtaria kriminale e të pandehurve Beqir Balluku, Petrit Dume,, Hito Çako e Rrahman Parllaku as mund të identifikohet dhe as mund të krahasohet e njësohet me veprimtarinë e armiqve të mëparshëm. Veprimtaria e grupit armik e anti-parti të komplotistëve që po gjykojmë, mbetet ai i rrezikshmërisë më të theksuar shoqërore që ka parë vendi. Ajo përbën pjesën më të rrezikshme të të gjithë veprimtarisë së zhvilluar në vendin tonë gjatë viteve të pushtetit popullor.

Të katër të pandehurit, me në krye Beqir Ballukun, si pjesëtarë të komplotit ushtarak, për një kohë të gjatë kanë zhvilluar veprimtari armiqësore e antiparti, duke synuar të dobësonin dhe të zhduknin rolin udhëheqës të Partisë në Ushtri, të shkatërronin ushtrinë dhe mbrojtjen e vendit, të përgatisnin një forcë goditëse kundër revolucionare për të bërë një puç kundër Partisë së Punës të Shqipërisë.

 

Si akuzator shtetëror, përpara se të hyj në analizën e kësaj veprimtarie armiqësore, përpara se të parashtroj krimet e rënda që të pandehurit kanë kryer, provat, faktet dhe dokumentet që vërtetojnë këto krime, vendin dhe rolin që zë seicili i pandehur në dëmet e mëdha që ata i kanë shkaktuar interesave të popullit, atdheut dhe socializmit, e shoh me vend që të ndalem në disa karakteristika e veçori që paraqet procesi gjyqësor që po zhvillohet, njohja e të cilave përbën një nevojë të domosdoshme për të vlerësuar përmbajtjen konkrete të tij, rëndësinë e madhe politiko-shoqërore të procesit.

Së pari, veprimtaria armiqësore e komplotistëve në ushtri është pjesë e një komploti të madh për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri, të frymëzuar nga armiqtë e jashtëm të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Së dyti, grupi i komplotistëve në ushtri, kryesuar nga Beqir Balluku, dhe me bashkëpunëtorë kryesor të pandehurit e tjerë, përbëhet jo nga njerëz të thjeshtë, por nga njerëz që kanë pasur poste të larta në parti e në pushtet. I pandehuri Beqir Balluku zinte  postin e anëtarit të Byrosë Politike të K.Q.P.P.SH, ndërsa në shtet, atë të Zëvendës Kryeministrit e të Ministrit të Mbrojtjes Popullore.

I pandehuri Petrit Dume ishte kandidat i Byrosë Politike dhe Sheh i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. I pandehuri Hito Çako ishte anëtar i Komitetit Qendror të PPSH dhe Drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, ndërsa Rrahman Parllaku, ishte anëtar i Komitetit Qendror të PPSH dhe zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Së treti, grupi i komplotistëve ka vepruar në një sektor të tillë shumë të rëndësishëm të aparatit shtetëror siç është ushtria. Duke pasur në ‘të pozita të rëndësishme, të pandehurit ishin në dijeni mbi gjithë organizimin e ushtrisë, dislokimin e forcave të armatosura, armatimin e tyre, punimet mbrojtëse, strategjinë dhe taktikën. Ata ishin në dijeni mbi të gjitha masat që merrte Partia për mbrojtjen e vendit. Duke tradhtuar këtë besim të madh që atyre u kishte dhënë partia e populli, ata sabotuan me sa mundën mbrojtjen e vendit, bënë çdo gjë për ta kthyer ushtrinë nga armë në duar të diktaturës së proletariatit, në armë në duar të tyre për përmbysjen e saj.

Së katërti, veprimtaria e grupit të komplotistëve, të kryesuar nga Beqir Balluku dhe me bashkëpunëtorë kryesor Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman parllaku, ndonëse zhvillohet në ushtri, është pjesë përbërëse dhe e pa ndarë e një veprimtarie që shtrin aktivitetin e tij diversionist, sabotues e kundër revolucionar dhe në sektorë të tjerë të jetës në vend si në atë të propagandës, letërsisë dhe arteve me tradhtarët dhe deviatorët Fadil Paçrami e Todi Lubonja, në sektorin e ekonomisë me armiqtë Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Piro Gusho, Lipe Nashi, etj…

Këto veçori të këtij procesi, zbulojnë rrezikshmërinë jashtëzakonisht të madhe të veprimtarisë së këtyre komplotistëve. Tani të analizojmë me radhë akuzat që rëndojnë mbi këta të pandehur…

 

VEPRIMTARIA KRIMINALE E GRUPIT TË KOMPLOTIOSTËVE TË KRYESUAR NGA BEQIR BALLUKU DHE BASHKËPUNËTORËT PETRIT DUME, HITO ÇAKO DHE RRAHMAN PARLLAKU, ËSHTË NJË VEPRIMTARI E ORGANIZUAR DHE E BASHKËRENDUAR, E ZHVILLUAR MBI BAZËN E NJË PLATFORME TË PËRBASHKËT PËR NJË PERIUDHË KOHE TË GJATË. ME QËNDRUESHMËRI DHE EM SYNIME ARMIQËSORE TË PARACAKTUARA

 

Shokë gjyqtarë!

Një nga çështjet që meriton vëmendje të posaçme për të trajtuar e argumentuar është se kjo veprimtari e zhvilluar nga këta armiq që po gjykojmë tani, është një veprimtari e përbashkët, e koordinuar dhe organizuar mirë me njeri-tjetrin. Pra, këtu kemi të bëjmë me një organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, e cila i ka vënë vetes për detyrë që të kryej një serë krimesh kundër shtetit, të realizoj qëllimin e saj difenitiv, të likuidoj diktaturën e proletariatit në republikën popullore të Shqipërisë dhe të vendosin diktaturën borgjezo-revizioniste.

Duke i hedhur një vështrim tërë veprimtarisë kriminale të kryer nga të gjithë të pandehurit, si dhe duke pasur para sysh  kuptimin e figurës së krimit të nenit 76 të Kodit penal “Pjesëmarrje në një organizatë kundër pushtetit popullor”, del qartë se në veprën e tyre janë të tërë elementët e kërkuar nga figura e këtij krimi. Pra, veprimtaria e këtij grupi ka plotësisht tiparet e një organizate kriminale të drejtuar kundër pushtetit popullor.

Gjithë hetimi dhe zhvillimi i gjyqit, provat materiale, thëniet e vetë të pandehurve si dhe ato çka thanë dëshmitarët, doli e provuar plotësisht se kjo veprimtari është zhvilluar mbi bazën e një platforme politike, ideologjike, organizative dhe ushtarake.

Lind pyetja: Mbi ç’bazë u ndërtua platforma e përbashkët? Cila ishte ajo që bashkonte këta armiq? Hetimi dhe gjykimi i kësaj çështje vërtetuan se të pandehurit, prej shumë vitesh, kanë pasur rezerva ndaj vijës dhe politikës së Partisë, të cilat nuk ja thanë asnjë herë asaj. Se ata kanë ushqyer një armiqësi të egër ndaj pushtetit popullor dhe u janë vënë vazhdimisht orientimeve të Partisë, vendimeve e porosive të komitetit Qendror të PPSH e Këshillit të Mbrojtjes, vendimeve të qeverisë, e në mënyrë të veçantë i janë kundërvënë vijës së Partisë lidhur me problemet ushtarake.  Këto kanë qenë bishti mbi të cilën të pandehurit ndërtuan platformën e tyre armiqësore, dhe që me konsekuencë e vazhdimësi e vunë në zbatim deri në momentin e demaskimit të tyre. Duke qenë të vendosur armiqësinë e tyre kundër Partisë dhe pushtetit popullor, këta armiq nuk vepruan në mënyrë të shkëputur por gjetën njeri-tjetrin, u bashkuan, e të  tërë së bashku e në unitet mendimi e veprimi, punuan dhe vepruan në mënyrë sistematike për organizimin e puçit ushtarak për të përmbysur udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit tonë socialist.

Armiqtë që po gjykojmë, veprimtarinë e tyre kriminale e kanë zhvilluar në konspiracion dhe fshehtësinë më të madhe nga Partia e populli, duke e maskuar e legjenduar atë, në përshtatje me situatat dhe duke i shfrytëzuar këto me kujdes. Përgjithësisht, taktika e tyre ka qenë ajo e armikut të Klasës, që sikurse ka theksuar shoku Enver, “…vepron ilegalisht, duke qenë legal, ai hedh gurin dhe fsheh dorën, ai i bie gjoksit, bën be e rrufe se është me këtë regjim, të cilin e urren, ai ka mësuar të maskohet dhe të ruhet nga furtunat… Ai shfrytëzon, fryn, përhap të gjitha çështjet që i vijnë në dorë dhe që i bien në vesh, ai nxit dobësitë e njerëzve, shfrytëzon autokritikat në interesin e tij, ai mbjell konfuzionin, anarkinë, indisiplinën, nxit dëshirat e ekzagjeruara, nxit vjedhjet, rrugaçërinë dhe këto si bën hapët, pse ruhet, i le ti bëjnë të tjerët, shumë herë mundësisht ‘njerëzit e mirë’ që të komprometohen edhe ata, të shtojë kështu radhët e tij”.

 

 

TË AKUZUARIT

GJENERAL BEQIR BALLUKU
Beqir_BallukuBeqir Balluku u lind më 14 shkurt 1917, në Tiranë. Studioi në Shkollën Teknike të Tiranës. U përfshi në lëvizjen komuniste qysh gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak në Tiranë (vitet 1940‑1942). Më 20 maj 1943 u caktua Komandant i Batalionit partizan “Krujë-Ishëm”; më 18 shtator 1943 u emërua Komisar i Brigadës së Tretë dhe më pas Komandant i Brigadës së Dytë. Në Kongresin e Parë të PKSH‑së u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1952, ministër i Mbrojtjes Popullore. Një vit më pas mori gradën “Gjeneral Kolonel”. Në korrik të vitit 1974 ai u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake. U dënua me vdekje dhe u pushkatua më 5 nëntor 1975.

 

 

 

 

 

GJENERAL PETRIT DUME

petrit-dume-2Petrit Dume u lindi në Starje të Kolonjës. Në moshë të refilloi veprimtarinë me çetën Kolonjës, pastaj u bë Komandant i Batalionit partizan ‘Hakmarrja’. Nga vitit 1953 deri më 1974, kreu detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Në vitet 1948-1974 ka qenë deputeti i Kuvendit Popullor, anëtar i Komitetit Qendror dhe në vitet e fundit edhe kandidat i Byrosë Politike të KQ të PPSH. Arrestohet në vitin 1974 . 11 muaj pas arrestimit dhe gjykimit,pushkatohet më më 5 dhjetor 1975, bashkë me Ballukun e Dumen.

 

 

 

 

GJENERAL HITO ÇAKO

hitoU lind më 3 mars 1923, në Progonat të Kurveleshit. Mbaron arsimin e mesëm në Sarandë, ku punon si shegert deri në fillim të Luftës. Më 9 maj 1945, Çako emërohet Komandant i Divizionit të Parë. Mbaron tre Akademi Ushtarake, përkatësisht atë “Frunze” në Moskë (1950-1954), Akademinë “Voroshillov” po në Moskë (të cilën e nisi pas tre vitesh punë), e më vonë Akademinë Detare të Leningradit. Ka kryer detyra të tjera të larta, si drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë dhe zëvendësministër i Mbrojtjes, Pushkatohet më 5 dhjetor 1975. Më 18 korrik 2000, i gjenden eshtrat.

 

 

 

 

 

 

GJENERAL RRAHMAN PARLLAKU

rrahmanparllakuRrahman Latif Parllaku, u lind më 17 prill të vitit 1919, në fshatin Novosej të Lumës, rrethi i Kukësit. Ka qenë luftëtar në Brigadën e III-të Sulmuese. Ka kryer detyra të rëndësishme në ushtri, ndërsa ka qenë dhe anëtar i Komitetit Qendror. Në vitin 1974 arrestohet si anëtar i grupit puçisht në ushtri, të kryesuar nga Beqir Balluku.

Gjykohet e dënohes së bashku me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon. Për ‘Veprimtari armiqësore” në kuadër të këtij grupi, u dënua me 25 vite burg.

 

 

(Vijon nesër)

(Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Pjesë nga procesverbali sekret i gjyqit kundër Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e Rrahman Hankos. Pretenca e prokurorit: Si u ndërlidhën me njëri-tjetrin të pandehurit dhe si mundën ta ruajnë për një kohë të gjatë sekretin e veprimtarisë armiqësore.

-Si aplikuan të akuzuarit Balluku, Dume, Çako e Parllaku mbledhje vendim-marrëse Partie në Ministrinë e Mbrojtjes (Komitet Qendror Brenda Ushtrisë) duke shfrytëzuar funksionet e larta në Parti.

-Si ndërlidheshin pjesëtarët e ‘Puçit ushtarak’ me grupin armiqësor në kulturë dhe me atë në fushën e ekonomisë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *