Histori dhe karaktere që shtegtojnë përmes Shqipërisë dhe Kanadasë

Ornela

Nga Sejdo Harka

(Shënime për vëllimin me tregime e novela “Liridona” të Avdulla Kënaçit)

Avdulla Kënaçi, ky publicist i spikatur i medies së shkruar dhe të ekranit, që me penën dhe fjalën e tij të ngrohtë bëri emër jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe përtej kufijve të saj, deri në vendet më të largëta të botës, vitet e fundit ka nisur të bëhet i njohur edhe në fushën e shkrijmtarisë tregimtare të jetuar. Rendia për një kohë të gjatë në çdo cep të vendit e të botës, falë dhe punës shumë vjeçare si gazetar i diasporës, e ka ndihmuar atë të njohë dhe akumulojë shumë histori,ngjarje,e karaktere, të cilët do t’i shërbenin atij si brumi i mirë bukëpjekësit për të prodhuar bukë të shijshme ose si nektari bletës për të mbushur hojet e mjaltit. I mbështetur fort mbi dy këmbët e tij,me njërën mbi trojet e Atdheut të tij, ndërsa me tjetrën mbi Kanadanë e largët, të cilën e konsideron si adheun e dytë,vazhdon të rendë sa në njërin vend në tjetrin për të hulumtuar e konservuar histori,ngjarje dhe karaktere,ashtu si reja e zhuritur që rend mbi oqeane dete e lumenj për të mbledhur sa më shumë avuj ,që një ditë  t’i zbrazë me shtrëngata shiu plot bereqet. Ky akumulim i gjatë, ka bërë që Avdulla Kënaçi, për një kohë të shkurtër arrin t’i dhurojë lexuesit tre vëllime me novela dhe tregime të jetuara, duke vazhduar të shkruajë e të botojë pa u ndalur kurrë. Pas librave me tregime “Ëndrra e një nate” dhe “Autokritika”,ai kohët e fundit rishfaqet përsëri me përmbledhjen e re me tregime e novela me titullin kuptimplotë “Liridona”. Brendia narrative e këtyre tregimeve e novelave përplaset mes ngjarjeve reale të jetuara dhe trillit të tij krijues. Karakteret, tipat dhe tertipat e tij, herë janë njerëz realë e herë personazhe artistë, të cilët duke shtegtuar nga Shqipëria drejt Kanadasë së largët dhe anasjelltas, marrin dhe i japin njëri-tjetrit psikologji, tipare morale e shpirtërore, filozofi, kultura e tradita të ndryshme, që do të ndikojnë në formimin dhe sjelljen e tyre në  jetën e përditshme, në familje e shoqëri. Stili, gjuha dhe përshkrimi në këto novela e tregime është produkt i një ndërthurjeje të bukur mes rrëfimit popullor dhe tregimit modern, me një figuracion që buron natyrshëm si ujët e krojeve shqiptare.

Shfleton këtë libër,shkruar me një gjuhë të ëmbël, dhe të duket sikur prek me sytë e mendjes e të shpirtit karaktere të gjalla dhe histori, që shtegtojnë nga Shqipëria drejt mrekullive të Kanadasë dhe anasjelltas,për të trokitur në portat reciproke të shqiptarëve dhe kanadezëve,sikur të ishin fqinj të afërt dhe shokë e miq shekullorë. Ata janë shkruar me një gjuhë të ngrohtë, ku shijon 7 ngjyrat e ylberit dhe erën e këndshme të luleve, eliksirën e baltës së vendlindjes dhe helmin e  shpirt të sfilitur të emigrantëve të stërmunduar.

‘’Në këto tregime dhe novela të Avdulla Kënaçit -shkruan poeti Sadik Bejko- vjen era e freskët e jetës dhe e ngjarjeve reale…Asgjë nuk është e kërkuar për të bërë efekte, ose sensasione. Gjithçka rrjedh në shtratin e lumit që të çon në det. Të gjalla janë faktet,detajet,gjuha dhe ngjyrimi emocional, si era e pyllit nëpër fletë’’.

 

Për të argumentuar këto vlerësime të drejta, më poshtë do të ndalemi në disa prej ngjarjeve dhe karaktereve tipike të vëllimit me tregime e novela “Liridona”, i cili ka dalë në qarkullim kohët e fundit. Edhe pse vendlindja, emigracioni, fati i njeriut dhe drama e jetës së tij të vështirë është trajtuar edhe në dy vëllimet e para të A.Kënaçit, në librin e ri ato marrin një frymëmarrje koherente, jo vetëm për shkak të gjuhës dhe stilit që përdor, por dhe për arsye të këndvështrimit të ri, me të cilin shtron problemet dhe zgjidh konfliktet.

“Gruaja përballë” është tregimi me të cilin autori e nis këtë libër. Në qendër të brendisë së këtij tregimi qëndron historia e trishtë e një çifti intelektualësh nga Tirana. Inxhinier Agimi dhe arkitektja Laura detyrohen të marrin udhën e emigracionit për të përballuar të papriturat e jetës. Tërmeti i fundit,që tronditi Shqipërinë, por veçanërisht Durrësin,ishte ai që prishi qetësinë e këtij çifti. Një pallat i madh në Durrës, ku si zbatues kishte punuar edhe Agimi,ishte rrëzuar nga themelet,duke lënë disa qytetarë të vdekur dhe shumë të tjerë plagosur. Shteti kish nisur të gjente fajtorët,por sipërmarrësi, si marifetçi i vjetër, kish nisur të trazonte gurët për t’ia ngarkuar përgjegjësinë Ing.Agimit të pambrojtur. Koha nuk priste. Agimi rrezikonte të burgosej. Çiftit të tronditur thellë, mendja i shkoi tek një vizë e pakonsumuar për në Kanada,që ata kishin marë para disa kohësh për të kaluar atje muajin e mjaltit. Rendën për të shkuar sa më parë. Por, si do ta përballonin jetën atje larg në dhe të huaj! Pa lejë qëndrimi ata, as mund të strehoheshin, as mund të punonin dot. Që të siguronin lejen e qëndrimit duhej një avokat,që kërkonte një mal me para, por dhe një argument të fortë. Ose të trillonin një histori me gjakmarrje,ose të pranonin se bënin pjesë në një shoqatë LGBT. Vështirësitë sa vinin e shtoheshin, ndaj detyrohen të strehohëshin në një bodrum ku mezi merrnin frymë. Puna ishte koma më e vështirë. Ishte e vërtetë se ata kishin mbarur për Inxhinieri dhe për arkitekturë, por ata nuk e njihnin mirë teknologjinë e ndërtimeve moderne  që zbatoheshin në Kanada. Me vështirësi Agimi u punësua nga një grup shqiptarësh në një punë të rëndomtë ndërtimi, ndërsa Laura mbeti e syrgjynosur brenda mureve të shtëpisë. Por, sikur të mos mjaftonin këto halle, pas disa muajsh në derën e bodrumit ku ata jetonin troket një polic,i cili si ‘’peshqesh’’ u kishte sjellë faturën e një gjobe të majme. Kjo e tronditi më shumë çiftin e stërmunduar. Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë!? Agimi i pamësuar me ligjet e Kanadasë,gjatë punës me shokët e tjerë shqiptarë, kishte shijuar  lakuriqësinë e një gruaje që lahej cullak në vilën e saj, përballë punës së tyre. Mund të ishe dënuar dhe me burg,i thotë polici që i solli gjobën, por me që është hera e pare, po mjaftohemi me kaq. Ky incident, jo vetëm ua thelloi vështirësitë ekonomike, por desh e u shkatërroi edhe familjen nga keqkuptimi. Ky ishte ankthi që përjetoi kjo familje intelektuale shqiptare në Kanadanë e bukur, por tepër e vështirë për emigrantët. Këto ishin drithërimat që përjetoi Agimi, që dinte të qeshte si aktor filmash,me të cilën ia kishte rrëmbyer zemrën Laurës. Kjo brengë ka sfilitur mijëra çifte emigrantësh shqiptarë. Disa kanë mbijetuar, të tjerë kanë ndryshuar jetën dhe ekonominë,ndërsa shumë të tjerë kanë pësuar drama e trauma shpirtërore në emër të mirëqenies dhe së lirisë së vërtetë.

Një nga tregimet më të bukura të këtij libri është ai me titullin kuptimplotë “Liridona”, që në fakt është sintezë e shprehjes “dua të jem e lirë”. Ndoshta kjo është arsyeja kryesore që autori me këtë emër pagëzon gjithë vëllimin. Boshti themelor i problematikës së këtij tregimi është liriaa universale e njeriut dhe veçanërisht e femrës shqiptare,e cila falë edukimit qytetar në botën e lirë perëndimore nuk lejon askënd ta mbyllë në kafazin e skllavërisë. Po le të tregojmë me pak fjalë historinë e kësaj vajze,që edhe kur gabon, di të ringrihet me guximin dhe forcën e vetë. Historia e saj është sa e trishtë dhe e vështirë,aq e bukur dhe triumfuese. Peripecitë e jetës së saj nisin që në moshën 6-vjeçare, kur në përbërjen e familjen së saj kosovare ajo detyrohet me forcë të marrë rrugën e arratisë për në Shqipëri nën klithmat e shprehjes rracist:“Shporruni në atdheun tuaj”!Kujtimi i kësaj shprehje të hidhur, përzier me krisma armësh dhe rënkima njerëzish të vrarë e të plagosur, që rendin  përmes baltovinave e zinxhirëve të traktorëve duke luftuar me vdekjen, e shoqëroi Liridonën e vogël derisa shkeli në trojet e Shqipërisë, ku e pritën krahëhapur.-Mbërritëm në gjirin e nënës tonë -thirrën të përlotur prindërit e saj. Dhe kishin të drejtë. Në fund të fundit kishin shpëtuar gjallë. Mbasi përjetuan mikpritjen dhe shërimin e plagëve të marra, rikthehen në trojet e tyre në Kosovën e çliruar. Më pas Liridonën do ta shohim në Kanadanë e largët, ku më parë kishin shkuar dhe vëllezërit e saj për të shëruar plagët e varfërisë dhe të luftës. Madhështia e liqenit të Torontos po i ngjante me atë të detit të  Durrësit. Në fillim, kur vëllezërit nisën të shkonin në punët e tyre,ajo mbeti brenda dyerve të shtëpisë, ndaj ndjen plogështi sepse ëndrrat e saj ishin të mëdha. Por shpejt, me ndihmën e prindërve dhe guximin e saj nisi studimet e larta. Krahas shkollës ,ajo nisi të aktivizohej me grupin e valleve popullore të shoqatës së shqiptarëve të Torontos. Pushimeve të verës ajo rikthehej në Kosovë. Që në vitin e dytë të shkollës së lartë ajo njihet me Shabiun,i cili kishte mbaruar agronominë me rezultate të larta dhe në atë kohë punonte specialist në një nga  ministritë e shtetit të ri të Kosovësos. Ishte halla e saj, martuar në fisin e Shabiut, që e kishte propozuar këtë lidhje. Liridona, e rritur në Kanadanë e madhe, në fillim nuk e kish pëlqyer këtë lidhje,por dalëngadalë ajo ishte miqësuar me Shabiun, i cili iu duk një djalë i sjellshëm dhe i pamshëm. Këtë simpati ja forcuan më tej fjalët e gjyshit, që i pat thënë: “Dua të martohesh me atë djalë, sepse buron nga një familje e mirë kosovare”. E kish pranuar këtë lidhje, edhe pse nuk ishte shumë e bindur, me besimin se me të do të krijonte një familje të lumtur. Por shpejt nisën të shfaqen divergjencat dhe grindjet. Koncepti i lirisë universale që kish nisur të lulëzonte në shpirtin e Liridonës,nuk mund të bashkëjetonte dot me egoizmin maskilist e patriarkal të Shabiut.Atë lidhje të brishtë, të krijuar mbi bazën e një qëllimi kontravers,shpejt do të niste ta brente egoizmi dhe xhelozia.Në karakteret e tyre do të nisnin të gjallëronin tipare diametralisht të kundërta. Liridona ishte një vajzë e shkathët, e rritur dhe e edukuar në një botë të lirë. Ajo kishte një natyrë të qeshur e të çiltër. Ishte vajzë mendjehapur,elegante,e guximshme dhe me ëndrra të bukura për jetën. Gjënë më të shenjtë ajo kishte lirinë e dinjitetin, të cilat nuk lejonte  t’ia ndrydhte e përlyente askush. Ndërsa Shabiu ,ishte vërtet një djalë i lexuar,por për shkak se vinte nga mjedise konservatore të mbarsura me mentalitete patriarkale e maskiliste, martesën e sheh si një gomone për t’i shpëtuar varfërisë,ndërsa bashkëshorten si një kukull. Ai hyn në shtëpinë e Liridonës si kollovar për të shijuar mundësitë dhe bukuritë e Kanadasë,dhe mbasi i siguron ato vetëzbulon xhelozinë dhe egoizmin për të ndrydhur dinjitetin e Liridonës. Miqësia e sinqertë e Liridonës me piktorin durrsak Gentjan Kodra,kish nisur ta brente Shabiun nga brenda. I ishte errur shpirti nga xhelozia. Këtë shqetësim ai ia kishte treguar edhe narratorit. E vërteta ishte se lidhja e Liridonës dhe Gentianit ishte miqësia e vjetër familjare dhe veprimtaritë e shoqatës. Ajo e respektonte atë si artist dhe mik shtëpie. Tashmë ajo kishte kuptuar se bashkëshorti i saj ishte një mashkull me dy pamje. Kulmin, konflikti i këtij çifti, e arrin në festën e ditëlindjes së Liridonës në Ujëvarën e Niagarës, ku Gentiani i dhuron një pikturë me portretin e saj. Kjo dhuratë u bë shkak që Shabiu, nga xhelozia, ta copëtojë me thikë pikturën e dhuruar. Por, me këtë thikë,ai nuk kishte përdhosur një copë kanavaci të ngjyrosur,por ndjenjat e një miqësie të pastër midis çamëve dhe kosovarëve, që kishin patur të njëjtin fat .’’Ajo thikë buke-thotë Liridona-nuk ka goditur mbi një portret kanavaci, por mbi zemrën time’’(55). Ky ishte fundi i një lidhjeje të gabuar dhe fillimi i një çlirimi shpirtëror të heroinës kryesore të këtij tregimi me një brendi sa të vërtetë aq dhe reale me vlera universale për lirinë e femrës shqiptare. Në këtë tregim triumfon shpirti i lirë i një vajze të guximshme shqiptare përballë sjelljes provinciale të Shabiut, i cili me këtë gjest të ulët, kishte djegur bashkëjetesën me një vajzë të mrekullueshme.

Një histori akoma më të trishtë të një familjeje emigrante rrëfen A.Kënaçi,edhe në tregimin “Ata të rrugës Morlin”. Përveç varfërisë së tejskajshme, vdekja aksidentale tepër e dhimbshme e djalit të vetëm 13- vjeçar, e detyrojnë familjen Dhoga të emigrojë në Greqi, me shpresën se dalëngadalë do t’u largohej hija e djalit të vdekur, që dukej sikur i ndiqte këmba-këmbës edhe në mërgim. U vendosën në Selanik me mendimin se jo vetëm që do të largonin dhimbjen, por dhe do të fshinin si me dorë varfërinë. Kryetari i familjes, Niku, që dukej  si një burrë  e i sjellshëm, si në shoqëri ashtu edhe në familje, u sistemua në një punë me të cilën kishte nisur të ndreqte disi ekonominë familjare. Por hija e të birit të vdekur kish rinisur ta ndiqte edhe përtej kufijve të vendit të tij. Për të vrarë dhimbjen kishte rifilluar të pinte akoma më shumë. Kur pronarja e zdrukthëtarisë, ku ai punonte, pa se Nikua nuk po hiqte dorë nga pija u detyrua ta largonte nga puna. Kjo bëri që familja Dhoga, pa punë e pa mbështetje, nisi përsëri rrugën e varfërisë së tejskajshme. Për të siguruar bukën e gojës i duhej të largohej sa më parë nga Selaniku. Po ku të shkonte!? E vetmja rrugë, i thanë, ishte të merrte një vizë pune për në Kanada ku mund të punësohej e strehohej. Sapo shkoi në Toronto, me ndihmën e komunitetit shqiptar, veçanërisht Vjolës, u strehua dhe u punësua për të siguruar gjërat më të domosdoshme të jetës. Por s’kaloi shumë kohë kur Niku nisi të dehet përsëri. Stresi dhe pija bëri që ai të sëmurej rëndë. Nga pija e stresi, tashmë vuante nga një sëmundje kanceroze. Tashmë barra e rëndë e familjes i mbetej gruas së tij të stërmunduar, Suzit dhe vajzës së vetme,e cila për të përballuar barrën e familjes vret ëndrrën e shkollimit. Erdhi një ditë që Niko Dhoga vdes. Tashmë halli më i madh ishte se ku do të varrosej. Vetëm trualli i varrit kushtonte 15 mijë dollarë. Pyetja shtrohej, ku do t’i gjenin këta dollarë, në një kohë kur familjen e kërcënonte uria. Pas shumë dilemash tragji-komike për zgjidhjen e këtij halli, papritur vjen një zarf, i cili mbante brenda peshën e një borxhi të vjetër prej 10 mijë eurosh kur Niko Dhoga luante bixhoz. Kjo ishte fatura ogurzezë që Nikua, tashmë i vdekur,i kishte lënë bashkëshortes e vajzës se tij të vetme. Në këto çaste dramatike Suzie, tronditur thellë, i drejtohet kufomës së tij me fjalët sarkastike: ”Eh more Niko Dhoga…, akoma do të na mundosh!?E paske lënë litarin jashtë varrit. Shtatë pashë nën dhe do të të fus. Pesëmbëdhjetë metra thellë do të varros dhe vendin që do të mbetet mbi varrin tënd do t’ua shes dhjetë të vdekurve të tjerë. Do të bëj biznes me varrin tënd…”.Ky ishte fati tepër tragjikomik i Nikos, që u bë viktimë e dhimbjeve dhe veseve të tij të pandreqshme dhe historia e dhimbshme e një familjeje emigrante shqiptare, që u sfilit duke udhëtuar nëpër botë ,në kërkim të mirqënjes dhe lirisë së vërtetë.

Era e ngrohtë e demokracisë që fryu edhe në trojet tona, në fillim të viteve ‘90, nisi të pjekë para kohe edhe fëmijët shqiptarë. Një problematikë e tillë është bërë boshti kryesor i njërit prej tregimeve më të bukura të A.Kënaçit me titull “Ngjarje në Sheshin Duomo”. Në të tregohet historia, sa e lumtur,aq dhe e dhimbshme e djaloshit shqiptar 14-vjeçar Salvadore, i cili në ato kohë të vështira, bashkë me një shokun e tij, niset me një peshkarexhë drejt Italisë me ëndrrën për një jetë më të mirë. Sapo zbret, për të mos rënë në sy të rojeve, fshihet në arkat e mbushura me peshq. Kapiteni i anies, duke parë tiparet e rralla të këtij djali, kërkoi ta merrte për ta punësuar. Pas disa muajsh, tregon Salvadore, u njoha me Laurën, një grua që do t’i sillte fatin, që s’e kishte parë as në ëndërr. Një ditë, vazhdon ai,ajo do të vinte me bashkëshortin e saj për të më veshur si në përralla. Laura, një grua tepër fisnike, atë ditë i pati shprehur bashkëshortit të saj dëshirën për ta birësuar këtë djalë të bukur shqiptar. Mbasi prindërit shqiptarë genetikë i, ai pranoi me kënaqësi birësimin nga prindërit  e dytë italianë Emiljano dhe Laura. Ata dhanë leje i dhuruan këtij djali, jo vetëm dashurinë  prindërore, por dhe gjithçka që ata trashëgonin. Ja, ky djalë i qeshur mallakastriot, tregon narratori, që fati  kishte bërë që të lumturohej e pasurohej si në përralla,na priti në Itali, sikur të kishim gjetur aty papritur vëllain dhe mikun tonë më të mirë. U ndamë me të ,me shpresën se do të takoheshim përsëri një ditë për t’i rikthyer mirënjohjen dhe miqësinë që na kishte dhuruar në atë takim të paharruar. Por kur u kthyem, pas 2 vitesh,me dhimbje morëm vesh se ai kishte vdekur në një aksident automobilistik. Ndoshta konkurrentët ziliqarë ja kishin ngrënë kokën. Eh fati ynë i mallkuar, psherëtin narratori! S’thotë kot populli:’’Delja e zezë s’bëhet kurrë e bardhë’’…

Një nga tregimet me histori të trishtë kombëtare është ai me titullin’’Përdhunimi’’,i cili e merr temën nga lufta e popullit kosovar për liri,kundër dhunës shfarosëse të Millosheviçit,e cila frymëzohej nga doktrina çnjerëzore rraciste e Çubrilloviçit. Ky pseudoakademik, për shporrjen dhe shkombëtarizimin e kosovarëve, rekomandonte, jo vetëm shtrëngata e gjaku, por dhe sterilizimin e përdhunimin,si një mjet të pastrimit të rracial dhe poshtërimit moral të kombit shqiptar. Në qendër të tregimit qëndron  fati i Besës dhe  vajzës së saj të mitur, të cilat si shumë kosovarë të tjerë ,për shërimin shpirtëror nga presionet , shantazhet, torturat dhe përdhunimet e paskrupulla,strehohen në një institucion rehabilitimi në qendër të Tiranës. Në atë përndjekje të çmendur ajo tregon se si u shpëtoi kthetrave të turpshme të Drazhes, të cilit nga urrejtja i kishte kafshuar veshin. Por,në atë çast,një oficer e pati goditur fort,duke e rrëzuar për tokë. Ishin shoqet e saj që e kishin përmendur me frymën e gojës së tyre. Por përsëri e kapin xhelatët , të cilët si qentë e tërbuar, i presin gjoksin. Në ato çaste, Besa nuk donte gjë tjetër veçse të vdiste. Nuk donte të rronte më pa bashkëshortin e saj Sokolin. Ishte letra që i dërgoi me të atin e tij, patriotin Ali Gjura, që ja rigjalli shpresën për jetën. Në këtë letër bashkëshorti i saj vlerësonte qëndresën e saj stoike në përleshje me bishat serbe, gjë që e bëri që jo vetëm të heqë dorë nga vetëvrasja, por dhe të mendonte për të ardhmen e saj të lumtur në Kosovën e lirë. Kjo histori e trishtë që narratori e tregon bukur nëpërmjet gojës së drejtoreshës së institucionit të rehabilitimit të grave e vajzave kosovare të përndjekura dhe të përdhunuara nga regjimi i çmendur i Millosheviçit, është një histori e dhimbshme që duhet ta dijë i gjithë njerëzimi  për të mos u harruar dhe përsëritur kurrë.

Si një karakter i virtytshëm dhe i papërsëritshëm,simbol i drejtësisë,që në memorien e lexuesit ngrihet si një specie e rrallë, gati në zhdukje, të shfaqet para sysh figura e Xha Kasëmit. Sapo nis të lexosh tregimin me të njëjtin emër, edhe pse ngjarjet shtrihen  në Labërinë e viteve 1800, ato vinë të freskëta sikur të ndodhnin para syve tanë në ditët e sotme. Historia e dashurisë së Vullnetit 21-vjeçar me Sofien e bukur,për pak desh  e u kthye në një tragjedi të vërtetë. Syri  i disa gojështhururve keqdashës bëri që Sofia, për t’shpëtuar paragjykimeve, deklaroi se në vendin e takimit me djaloshin kishte shkuar me forcë e jo me këmbët e saj. Në se ky pohim ishte i vërtetë,sipas kanunit të Labërisë,Vullneti dënohej me vdekje. Ky dënim kapital ishte një sprovë e madhe për kryeplakun e fshatit , Xha Kasëmin. Pyetjet që nisën t’ia brenin shpirtin ishin:’’Si mund t’ia merrte shpirtin djalit të vetëm të mikut të tij?!Po nëse fakti është i vërtetë, si mund të mos e zbatonte ligjin?! Xha Kasëmin ,në këtë krahinë,  të gjithë e njihnin jo vetëm si njeri të zgjuar e human,por dhe të rreptë për zbatimin e ligjit. Por prapë pendohej kur natë e ditë luftonte t’u jepte përgjigje pyetjeve të tilla :’’Po sikur të ishte djali im ?!.Po nëna e gjorë si do ta priste  lajmin për dënimin me vdekje të birit të saj të vetëm’’?!Në atë fshat ato ditë çdo gjë dukej sikur kishte ngrirë në vend. Vetëm harabelat nuk donin t’ia dinin. Pritej një gjëmë e madhe. Vullneti do të ekzekutohej , për të vetmin faj se dashuronte marrëzisht një vajzë. Por këtë barrë të rëndë nuk mund ta mbante dot mbi shpinë Xha Kasëmi. Prandaj nisi hetimet për të gjetur të vërtetën. Kur e vërteta, se vajza kishte shkuar me këmbët e saj në takim me Vullnetin doli në shesh, Xha Kasëmi mblodhi menjëherë këshillin për të marrë vendimin e drejtë. Kur këshilli u nda me vota të barabarta,ishte vota e tij që e shpëtoi nga vdekja Vullnetin,i cili rrezikonte të ekzekutohej , vetëm se dashuronte një vajzë.Ai tashmë ishte i lumtur se me këtë vendim të drejtë kishte shpëtuar jetën  e një djali të pafajshëm e trim,i cili do t’i duhej fshatit dhe vendit në ato kohëra të vështira luftërash. Shembulli i Xha Kasëmit, pushtetarit që vjen nga thellësitë e shekujve, shfaqet në ditët tona si simbol i një pushtetari të zellshëm për të mbrojtur të drejtën,dukuri që sot fatkeqësisht është një specie e rrallë, ndoshta në zhdukje.

Në këtë vëllim A.Kënaçi duket se po hedh hapa të sigurta edhe në sprovën e tregimit të gjatë, siç është novela. Për ta argumentuar këtë mendim mjafton të ndalemi tek një nga novelat e tij më të arrira me titullin provokues “Numri 5001”. Në themel të brendisë së kësaj novele është historia e trishtë e një studenteje shqiptare me emrin Meri Niko, e cila pas shumë peripecish të rënda përfundon tragjikisht në arkëmortin 5001 të një morgu në një spitalë të Kanadasë. E tradhtuar nga i dashuri me një nga shoqet e saj, ajo pëson tronditje psikologjike. Kjo bën që të braktisë edhe shkollën. Halla e saj e lidh me Samiun 39- vjeçar, që jetonte në Kanada, pa e njohur mirë se kush ishte ai. Ditët e para në Kanada, përjetoi bukuritë e saj të rralla,por dalëngadalë do të plogështohej, kur merr vesh se Samiu, edhe shtëpinë nuk e kishte të tijën. Ajo u trondit kur në shtëpi gjeti edhe dy fëmijë që me kohë nisën ta shanin e kërcënonin për t’u larguar andej sa më parë. Më vonë Meri do të ndeshej edhe me Lilin, ish gruan e Samiut, e cila nisi t’i rrinte çdo çast si çekan mbi kokë me mallkimet dhe kërcënimet e saj për ta larguar nga shtëpia. E ndodhur përballë këtij presioni, Merit po i dukej vetja si plaçkë e humbur. Për të gjetur të vetveten Meri kërkoi të gjente një punë,por Samiu nuk e lejoi,me mendimin se u mjaftonte rroga e tij. E tronditur thellë nga sharjet e kërcënimet e përditshme dhe izolimi brenda katër mureve të shtëpisë, një ditë vendosi të mbledhë plaçkat për t’u larguar nga ai burg i tmerrshëm. Për shkak të fatit të saj të keq që po e ndiqte këmba-këmbës edhe në Kanadanë e largët,të cilën e kishte ëndërruar si mrekulli, ishte hedhur nga lartësitë e Ujëvarës së Niagarës, për të sfiduar atë mrekulli, që se shijoi kurrë. Samiu, i tronditur thellë ,mbasi e kërkoi shumë,e gjeti atje ku nuk e priste .Të ngrirë në arkëmortin 5001. Ky ishte fati i hidhur i një vajzeje shqiptare në Kanadanë e largët, që kërkoi lirinë e vërtetë dhe gjeti ferrin e vdekjes së akullt. Meri nuk ishte e para vetëvrasje në këtë vend përrallor. Ajo ishte e 5001-ta lule e tharë në kurorën e vetëvrasjeve në këtë vend përrallor,ku çuditërisht bashkëjetojnë vdekja me mrekullitë e jashtëzakonshme.

Një vend të dukshëm në tregimtarinë e gjatë të A.Kënaçit zë edhe tema e gjakmarrjes. Grindja për një kullotë bagëtish midis dy fqinjëve të Labërisë bën kurban Zenelin 22- vjeçar, i cili pas tre muajsh do të martohej. Edhe për kanunin e Labërisë së asaj kohe, gjaku lahej me gjak. Por babai i djalit, plaku i mençëm Xha Agushi, edhe pse lakejtë e gjakmarrjes e shtynin të merrte gjakun e djalit,ai nuk u ngut kurrë. Megjithatë,e kuptonte se ajo i rrinte mbi kokë  çdo ditë si shpata e Demokleut, aq sa nuk e linte as të jetonte as të vdiste. Xha Agushi e kuptonte që gjakmarrja ishte një lubi që hante të zonë,prandaj çdo gjë kërkonte ta bënte të matur dhe me zgjuarsi. Kur e pa që djali i tij i dytë nuk kishte ndërmend ta merrte gjakun e vëllait të vrarë,i përgatiti atij trillin, se gjoja vëllezërit fqinjë,nuk ishin mjaftuar me vrasjen e vëllait të tij,por për ta poshtëruar  më tej, kishin marrë peng gruan dhe djalin e tij të mitur. Lirimi,djali i dytë i Xha Agushit, për të shpëtuar kokën dhe nderin e njerëzve të tij të zemrës afërm shkon me vrap për t’u përleshur me vëllezërit vrasës dhe rrëmbyes. Në këtë përleshje të ashpër,hasmi që i kishte vrarë Zenelin, kishte mbetur i vdekur,pa dashur nga dora e vëllait të tij  gjatë asaj përleshjeje të tmerrshme. Kur Xha Agushi e mori vesh se këtë vrasje nuk e kishte bërë djali i tij Lirimi,u lumturua,sepse këtë lloj ‘’hakmarrje ‘’ kishte pritur. Kur nuk merr hak ligji i shtetit të fortë, mendonte ai, ekziston edhe dora e padukshme e Zotit,i cili nuk vonoi. Ndryshe gjaku i hakmarrjes vetjake do të bëhej lumë, që s’do të kishte digë e mal që do ta ndalte…

 

Share This Article
1 Comment
  • jane rreth 1.5 miljon shqiptare te ikur nga vendi meme

    dhe jane mijra histori trishtuese te pabesueshme

    dhe keto qe tregon Abdullai duken histori roze..e kam fj

    fjalen per Greqine..

    ______

    nje verejtje per zotin Harka & more

    fjala NARRATOR ne shqip eshte TREGIMTAR

    pra pse perdoret kjo fjale e huaj ku shpesh

    shqipshkruesit tane e perdorin se gjoja jane

    te ditur..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *