Histori nën lëkurë

anazapta

Edhe pse i mbajnë në trup, pavarësisht se i kanë bërë fshehurazi apo me miratimin e prindërve, edhe pse dikujt mund t’i ketë ikur moda e dikujt ende jo, mbajtësit e tattoove, mbase nuk e dinë se fjala tattoo ka ardhur nga dy vende të ndryshme. Nga fjala “ta” që në gjuhën e polinizianeve do të thotë “të godasësh diku”, dhe “tatau” nga gjuha tahitiane, që do të thotë “të njollosësh diçka”. Pavarësisht etimiologjisë së kësaj fjale, rëndësi ka fakti se Tattoo-t kanë ekzistuar në shekuj, i kanë mbijetuar pushtimeve dhe etnitë kanë arritur ta ruajnë këtë art në trup.

 

Në studion e Melsit

Tattoo 1Stina e verës është koha e posaçme e shfaqjes së “telajove në trupin e njeriut”. Por a është stina e verës e përshtatshme edhe për të bërë një tattoo? Miku ynë i ri, Melson Isaku, një ndër të shumtët artistë që ushtron këtë profesion në dyqanin e tij të vogël, në një nga zonat më trendy të Tiranës, na tregon për prirjet e modës të këtij sezoni. “E vërteta është se për tattoo të mëdha ndoshta jo, nuk është koha, por për një skicë të vogël, pse jo?! E më shumë vlen kjo për turistët, që të marrin një tattoo si kujtim nga vizita e tyre në Shqipëri”. Si profesionist i vërtetë, “njeriu i tattoo-ve”, tregon se një tattoo, nuk është thjesht një vizatim në lëkurë që bëhet brenda pak orësh, por është një proces i tërë, që nis nga studioja e vogël e punës dhe përfundon me përkujdesin maksimal ndaj saj, për disa muaj me radhë. “Nuk duhet harruar, thotë ai, që një tattoo, sidomos në këtë stinë, duhet ruajtur nga rrezet diellore për një periudhë 5 mujore. Duhet një përkujdesje maksimale, gjithashtu duhen përdor kremra mbrojtës. Gjithmonë duhet pasur kujdes!” Diçka tjetër që personazhi ynë nuk e lë pa përmendur është se klienti duhet të zgjedhë me kujdes tattoo shop-in, Ai jep ca porosi që një klient duhet t’i  “ketë vath në vesh”. “Vendi ku punohet duhet të jetë i veshur me pllaka, nuk duhet të mungojë koshi specifik për gjilpërat, në mënyrë të domosdoshme të ketë të gjitha pajisjet e sterilizimit (autoclave) për pastrimin e tubave. Asnjëherë mos të harrojmë, gjilpërat, gjithmonë janë një përdorimshme! Pastërtia në ambientin e punës është kusht, ndërsa bojërat që do përdoren duhet të jenë të veçanërisht për tattoo dhe jo bojëra “tushi”.

 

Moda e tattoo-ve

Tattoo 2Tattoo-t mbijetuan në lëkurën e marinarëve duke skicuar vendet e reja që ato vizitonin, por edhe mbretërit nuk mbeten mbrapa. Ata vinin në dukje fuqinë e tyre eprore për të mbajtur një popull nën fre me anë të “njollosjes” së trupit. Kjo tregon se moda e tattoo-ve ndiqej nga gjithë klasat sociale, por ama me kuptime të ndryshme. Sot, siç çdo modë, dhe ajo e “zhgarravitjes” trupore ndryshon dita ditës, me skicime të reja dhe me dizajne nga më të ndryshmet.  Melsi thotë se “megjithëse kohët e fundit tattoo-të kanë hyrë si modë, rrënjët datojnë shekuj përpara, pra përveç modës është një traditë. Për shumë fise, klane, komunitete, përmes tattoo-ve shpreheshin emocionet e tyre, ndërkohë që për shumë të tjerë shërbejnë akoma si komunikim i traditave të tyre.

Çdo vit dalin në skenë tattoo të reja, por kjo nuk do të thotë se tattuazhi humbet kuptimin, ai duhet perceptuar si një aksesor i të ardhmes. “Pra, nqs kemi një tattoo një shkronjë kineze, apo një dragua se e tillë ka qenë tendenca e modës në kohën kur është bërë, mos u pendoni, por mendoni për kohën që e bëtë, mendoni se sa tërheqës dukeshit, fundja e fundit kthehuni me një buzëqeshje asaj kohe”.  Melsi me perceptimin e tij na ndihmon të kuptojmë se tatuazhi ka një lidhje shpirtërore, na ndihmon të kuptojmë dhe të rikujtojmë të kaluarën, ose më saktë të qenurit mirënjohës kohës së shkuar.

Po Shqipëria a ka një modë në tattoo? Personazhi ynë rrëfen se “shqiptarët, janë në hapat e para të tyre, dhe po zhvillohen shumë shpejt. Tatuazhe primitive kanë ekzistuar gjithmonë, ndërsa tani është futur tatuazhi profesionist. Çdo prind shqiptar mund të ketë një tattoo të parakrahut nga koha e zborit. Ato na kanë mbajtur traditën të cilën ne e çuam në nivel profesional” shprehet ai. “Edhe në kohën e regjimit komunist në Shqipëri tattoo-t mbijetuan, edhe pse presioni politik ishte i madh. Mendoj se ajo kohë ka qenë një urë lidhese me atë çka ne përfaqësojmë sot si artistë shqiptarë”.

 

Arti i paragjykuar

“Në Shqipëri, ekziston një frymë paragjykimi, mbase jo për fajin tonë, por të prapambetjes së thellë nga vijmë. Brezat me njeri- tjetrin nuk arrijnë të gjejnë rrugën e mesme. Kështu edhe tattoo-t, nuk i kanë shpëtuar këtij paragjykimi. Çdo person me një tattoo ndeshet me pyetjet të tipit “për çfarë e bëre ti?” ose “mos je gjë kriminel?”. Melsi thotë se gjithsesi, paragjykimi nuk është më si përpara, ka ardhur duke u ulur. “Sidomos këto 5 vitet e fundit ka ndryshuar. Vërej dhe jam i lumtur se vetë prindërit i sjellin fëmijët e tyre 18 vjeçar për të kryer tattoo-n e parë. Tashmë shqiptarët kanë thyer mentalitetin për tabutë edhe pse kanë akoma punë për sa i përket kësaj çështjeje. Po a paragjykohen njëlloj femrat dhe meshkujt që bëjnë tattoo!? Nëse një mashkull etiketohet si “rrugaç”, vajzat çfarë etiketimi marrin? “Pikërisht kjo gjë ka qenë një stop i madh për klientët femra tregon Melsi, megjithëse ai shton se kohëve të fundit është rritur numri i femrave që bëjnë tatoo, madje ato nuk hezitojnë as për përmasat e tattoo-ve në trup. Do të preferoja që kliente femra të kishte më shpesh, është më e lehtë thyerja e paragjykimit kur shohim një tattoo art tek një femër. Me fjalë të tjera, edhe për njëherë tjetër mbetemi në duart e grave për të na dhënë një mësim të mirë”.

 

Tattoo shop

“Tattoo shop-sat” na dalin para në çdo cep, me muret e tyre të bojatisura në mënyrë ekstreme dhe me logot e tyre paradoksale. Ama, pak janë ato që kanë kualifikimet e duhura për të ushtruar ketë art apo profesion. Dallimi i të “mirit” duket nga puna që ka kryer edhe nga standardet që përmbush studioja. Shumë klientë nuk i japin rëndësi këtyre standardeve, pasi i mbërthen entuziazmi për të patur një tattoo, por nga ana tjetër është një fakt që nuk duhet harruar apo mënjanuar. Po, sa arrijnë këto studio apo tattoo shop, të shumtë në numër, të bashkëpunojnë mes tyre e të shkëmbejnë eksperienca? “Me disa studio ekziston fryma e bashkëpunimit gjë që ndihmon për rritje të cilësisë, dhe kjo gjë nuk mbetet vetëm brenda kufijve tonë. Unë jam i  lidhur me tattoo studio jashtë trevave tona me të cilët bashkëpunojmë nga afër. Nuk duhet harruar se edhe konkurrenca e rrit kualitetin e punës. Konkurrenca duhet shfaqur për të kuptuar kush është një profesionist i vërtetë.” Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe Tattoo Convention, një organizim i kryer për herë të parë në Tiranë, që mblodhi artistë nga treva të ndryshme. Por kjo ngjarje duket se nuk ka përmbushur pritshmëritë e Melsit, i cili gjen një varg mangësish dhe defektesh në organizim. “Një nivel jo profesional, mungonin elementët e higjienës, të hapësirës, pjesëmarrësit nuk kishin kualifikimet e duhura. Mos harrojmë se një “tattoo convention” zhvillohet për të shkëmbyer eksperienca me njëri tjetrin, gjithmonë në nivel eksperti.

Por, duke mos harruar se është mbledhja e parë e tatuatorëve shqiptar, unë personalisht jam i lumtur që u zhvillua një festë e tillë në vendit tonë. Kjo tregon se edhe ne shqiptarët kemi një të ardhme në këtë art. Shpresoj që në vitet ne vazhdim të arrijmë organizimin e duhur”.

 

 

Histori në tatuazh

Që në kohën e hershme një tattoo kishte një domethënie, çdo komunitet që kryente një tattoo nuk e bënte thjesht për t’u “njollosur” por për t’i dhënë kuptim trupit të tij, pse jo dhe shpirtit të tij. Në fiset polineze një tattoo është një punë e rëndësishme, tregon se çfarë aftësish ka artisti, pa harruar faktin se nëpërmjet një tattuazhi ato shprehin forcën e emocionit të të jetuarit. Fise të tjera përdornin tattuazhin si mjet identifikimi rankesh, edhe në Greqinë e lashtë, apo Romën e lashtë, tattuazhi ishte i gjallë, çdo skllav merrte një tattoo dhe në shumicën e rasteve në trupin e tij shënohej “taxa u pagua”. Sot ky art ka marr një qasje te re, njerëzit gjykohen më pak  dhe shumë persona ndërmarrin një tattoo.

 

 

 

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *