Histori njerëzore / “Drejtësi edhe për ne…”

redaktor

“Unë nuk e fitova se ka korrupsion. Ka para në mes. Ata të institucioneve të drejtësisë i kanë të dorës së dytë grupet vulnerabël. Hezitojnë, se dhe leku është i pashmangshëm.

Ai tjetri që kishte lekë dhe mik, e kishte problemin të zgjidhur”, kështu e nis historinë e tij dhe kalavarin e gjatë të përpjekjeve dhe sorollatjeve për të zgjidhur çështjen e pronave Z.P nga qyteti i Durrësit. Ai rrëfen për një padrejtësi që po i bëhet me pronën e bashkëshortes, e cila është me aftësi të kufizuara. Konflikti ka nisur me vëllezërit e bashkëshortes, të cilët pretendojnë se motra e tyre nuk ka të drejtë pronësie në shtëpinë ku është rritur.

“Që nga viti 2008 gjendem në dyert e gjykatave për të gjetur drejtësi, por që realisht nuk ka. Dhe arsyeja është se korrupsioni, i cili po gërryen mbi 78 për qind të popullsisë ka kapur edhe gjykatat. Gjykata e Shkallës së Parë më ka trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe jo normale, ndaj dhe për këtë çështje kam bërë ankim.

Duke u marrë me Kodin Civil, me nenet përkatëse, unë nuk fitova por dështova. Ndaj them se e kam provuar, se sa i korruptuar është ky sistem. Çështjen e kam kaluar tanimë në Gjykatën e Lartë”, shprehet Z.P, i bindur se kjo e drejtë po i mohohet për shkak të korrupsionit në sistemin gjyqësor shqiptar. Ai është dëshmitar për ryshfetin, pasi sipas tij kjo ka ndodhur edhe me çështjen e pronës së bashkëshortes së tij .

Madje për këtë akuzon jo vetëm gjyqtarët, por edhe avokatët .”Unë kam qenë në dyert e gjykatave për vite me radhë. Atje nuk i preferojnë fare grupet vulnerabël. Erdhi paraja nga pala tjetër nga Italia. Ishin 7200 euro, dhe ja ku bë drejtësia, që më zvarrit mua për më shumë se 7 vjet. Këto lekët erdhën për të fituar shtëpinë pala tjetër.

Avokatët janë sekserët e gjykatësve dhe prokurorëve. Më kanë kërkuar 800 mijë lekë për të gjitha procedurat. Ia kam dhënë në dorë. Ai merret një të verbëri lekë, dhe në këto shuma? Por, unë kam hall dhe jam i detyruar t’i paguaj. Shuma të tilla 7000 euro, për t’i dhënë në dorë dhe për të bërë korrupsion nuk kam mundësi. Ndaj dhe i kam humbur proceset gjyqësore.

Mjerë ata që kanë halle”, shprehet Z.P, i cili shprehet se nuk do të dorëzohet. Qytetari Z.P është i sigurte se ndaj bashkëshortes së tij me aftësi të kufizuara, gjykatat janë duke lëshuar vendime të padrejta dhe të influencuar nga paratë që marrin nën dorë. Tanimë kjo çështje është në Gjykatën e Lartë në Tiranë dhe Z.P ka shpresë se do të fitojë të drejtën e tij dhe të bashkëshortes, ndonëse tregon se po kalon një kalva r të gjatë dhe të mundimshëm

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *