Në 60 – vjetorin e TVSH-së
Hamdi Jupe
Në gjashtëdhjetë – vjetorin e Televizionit Shqiptar janë shumë gjëra për t’u thënë, së pari nga ata që punuan për ta ngritur në këmbë e për ta zhvilluar deri ku mundën atë institucion. Nuk kam punuar asnjëherë atje, kam qenë “popull”, një konsumator i programeve të tij. Në kuadrin e këtij jubileu, po flas për të nga këndi i teleshikuesit, të cilit i ka rënë rasti të “shëtisë” gjatë pesëdhjetë vjetëve nga jugu në veri të vendit e anasjelltas dhe ta vështrojë televizionin në shumë pamje. Bëj pjesë tek ai mbi nëntëdhjetë përqindsh i popullsisë jashtë Tirane, sepse deri në vitin 1990, në kryeqytet banonin më pak se 7 përqind e popullsisë.
TVSH lindi dhe u zhvillua si pjesë integrale e përpjekjeve të televizioneve të vendeve të tjera të përparuara, e atyre fqinje në radhë të parë dhe u ndikua e u orientua në një mase të madhe prej tyre në shumë drejtime. Domosdo, në fillimet e tij, nuk mund të bëhej fjalë për “përvojë kombëtare” në këtë fushë revolucionare të teknologjisë, sepse nuk kishte të tillë.Udhëheqja komuniste e kuptoi shpejt rolin e këtij mjeti të fuqishëm të propagandësdhe kulturësdhe prandaj nuk e la t’i ikte nga duart, me investime të rëndësishme dhe burime njerëzore nga më të mirat. Italia, vendi fqinj në gjashtëshen më të industrializuar të botës, ishte në pararojë të televizionit dhe ne ishim me fat që ndodheshim afër saj.
Propaganda komuniste zinte vendin kryesor në programet e televizionit tonë që nga fillimet e veprimtarisë së tij. Por ai ishte njëkohësisht edhe përhapës dhe nxitës i fuqishëm i kulturës kombëtare, folklorit, arsimit, artit, njohurive shkencore, filmave dekumentarë dhe artistikë nga vendi dhe bota, teatrit dhe estradës, sporteve, me në krye futbollin etj. Në të gjetën hapësirë për krijimtari mbi njëmijë e dyqind punonjës të fushave të ndryshme të veprimtarisë intelektuale, përveç mijëra bashkëpunëtorëvetë jashtëm. Më poshtë janë dëshmi okulare mbi televizionin tonë e mëgjerë, e parë kjo edhe në raport me televizionet e tjera të vendeve fqinje, valët e të cilave arrinin në Shqipëri.
Fillimet në Konispol
Aparatin e parë marrës televiziv e kam parë me sy në viitin 1972 në fshatin Shkallë të Ndërmarrjes Bujqësore të Vrinës në rrethin e Sarandës, afër Konispolit, kur isha gjimnazist. Ndërmarrjet bujqësore në të gjitha fshatrat kishin shpërndarë televizorë që u vendosën nëpër kafenetë e tyre. Televizorët ishin të importuar, sepse Uzina e Radiotelevizorëve në Durrës nuk kishte filluar ende prodhimin, ose prodhonte me pakicë. Në këtë kohë TVSH kishte rreth pesë vjet që transmetonte programe, fillimisht në mënyrë eksperimantale.
Në këto “kuti magjike” të kafeneve të NB-së atje,shikoheshin fillimisht vetëm kanalet greke të ERT-së. Sinjali i Televizionit Shqiptar nuk kishte mbërritur akoma në atë zonë. Më vonë u ngrit antena përforcuese në malin e Sopotit në Gjirokastër dhe, akoma më vonë, në malin Milè, pranëKonispolit, ku është edhe sot, që mbulon me sinjal gjithë skajin jugor. Në kanal grek kam parë nëshkurt të vitit 1973 në fshatin Livadhja të Sarandës ndeshjen e parë ndërkombëtare të futbollit, Ajaks – Bajernpër kupën e kampionëve që përfundoi me rezultatin katër me zero për Ajaksin, kur luanin edhe Krojf dhe Bekenbauer.
Aparatet televizive ishin me pakicë dhe shpërndaheshin me autorizim për “kuadrot” dhe njerëz “të dalluar” në punë.Fakti që shteti komunist shpërndante televizorë edhe në zonat që akoma nuk mbuloheshin me sinjal nga Tirana, tregonte se nuk ishte edhe aq “e ndaluar” të shikoje kanale të huaja në atë kohë. Dihej që shpejt edhe atje do të arrinte sinjali i TVSH-së. Problemi kryesor ishin paratë: një televizor kushtonte 4 mijë lekë të reja, ose sa rroga e gjashtë muajve e një punonjësi me arsim të lartë. Edhe ky çmim subvencionohej pjesërisht nga shteti, sespe si mallra importi, ato ishin të kushtueshme.
Para ardhjes së sinjalit televiziv, ato zona jugore “kullandriseshin” vetëm me valët e radios. Në vitin 1970 kam dëgjuar për herë të parë bashkë me shumë të tjerë, në radion italiane te sheshi i rrapit nëqendër të Konispolit transmetimin e ndeshjes finale të Kampionatit Botëror të futbollit midis Brazilit dhe Italisë, zhvilluar në Meksikë,ndeshje që përfundoi me rezultatin 4 me 1 për Brazilin.
Në vitet 70 – 73 Radio Tirana transmetonte të shtunave mbrëmapas orës njëzetë e tridhjetë minuta në kanal të dytë një prorgram me muzikë të huaj të zgjedhur vallzimi nga e gjithë bota. Në konvikt, rreth njëqind nxënës, çdo të shtunë organizonim mbrëmje vallëzimi deri në mesnatë me muzikën e radios. Këtë e dinin drejtuesit e shkollës: ishte muzika që jepte radio Tirana. Kjo muzikë e huaj vallëzimi në verë ishte në të gjitha baret dhe restorantet që kishin pista vallëzmi, nga Saranda, deri në Tiranë e në Shkodër. Qysh në Konispol, para vitit 1970, e dija se egzistonte Festivali i Sanrremos në Itali, sespe këngët e tij më të bukura fishkëlleheshin edhe në skajin jugor.
Kampionati botëror në Vaun e Dejës
Në vitin 1973 isha student në Shkodër. Prej kolegëve shkodranë dëgjonim që ata shikonin në shtëpi tre kanale të huaja televizive, përveç Tiranës: RAI- n, Televizionin e Titogradit (Podgorica e sotme) dhe Beogradin. Kjo, veçanërisht kur kishte ndeshje ndërkombëtare boksi, sport që prej disa kohësh ishte i ndaluar në Shqipëri.
Kisha patur rast të bëja vizita në familjet shkodranedhe ta vija re edhe vetë këtë. Televizionet e huaja, veçanërisht RAI, i mësuan shqiptarët se çfarë ishte televizioni dhe programet e tij kulturore, artistike, sportive etj. Ato bënë që të rritej kërkesa ndaj cilësisë së programeve televizive në vend, duke nxitur TVSH – në të përpiqej të ishte në nivelin e televizioneve më të mira fqinje për nga cilësiae programeve se ndryshe, i fluturonte audienca te televizionet e huaja.
Në verën e vitit 1974 ishim me zbor njëmujor si studentë në Vaun e Dejës në Shkodër dhe flinim në kapanonet e punëtorëve që kishin ndërtuar hidrocentralin, të larguar pas përfundimit të tij. Po afronin finalet e kampinatit botëror të futbollit që zhvilloheshin në Gjermani. Aty ku ishim me kapanone, një vend gropë midis kodrave, nuk e merrte televizori sinjalin e Tiranës. Si do bëhej, se 1200 stundetë të Institutit nuk mund të rrinin pa parë futbollin. Do shthurrej zbori, se do iknin studentët në Shkodër për të parë ndeshjet.
Ishte kulmi i luftës kundër “liberalzimit dhe shfaqjeve të huaja borgjezo – revizioniste”, me dënimet e Festivalit të Njëmbëdhjetë të këngës në RTSH, burgosjen e Fadil Paçramit e Todi Lubonjës etj. U mblodh Byroja e partisë e Institutit dhe vendosi: Ndeshjet e botërorit do të shikohen te televizioni i Titogradit, i vetmi televizion që kishte valë atje. Televizori që ishte sjellë nga Instituti, u vendos mbi një kodër ku kapej më mirë sinjali, antena u ngrit nja dhjetë metra lart mbi një depo uji dhe atje u panë ndeshjet çdo natë nga mbi gjashtëqind sudentë e pedagogë,tifozë të futbollit, përreth një muaj.
Televizori hapej 5 minuta para, mbyllej në pushim të ndeshjes,kur jepeshin reklamatdhe hapej prapë në pjesën e dytë, për t’u mbylllur menjëherë sapo mbaronte ajo. Ndeshjet e ekipit të Bashkimit Sovjetik, meqënëse nuk i jepte Tirana, nuk i shikonim as ne, edhe pse i jepte Titogradi. Në krye të studentëve duke parë ndeshjen,i veshur ushtarak si të tjerët,ishte edhe drejtori i Institutit, Mihal Prifti, ish – komisar i Divizionit të Dytë të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, ish – ambasador i parë i Shqipërisë në Moskë dhe më vonë në Pekin, ish – Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i sjellë në Shkodër tani për “qarkullim.” I vetmi “privilegj” i tij ishte se ai rrinte ulur në karrige, ndërsa ne të tjerët të ulur në shesh.
Në Dibër e më gjerë
Në rrethin e Dibrës, ku shkova mësues pas tre vjetësh, nga fshati Luzni (e Epërme) gjashtëqind metër mbi nivelin e detit, shikohej si në pëllëmbë të dorës qyteti i Dibrës së Madhe në Maqedoni dhe prandaj edhe kapeshin valët e televizionit të Shkupit, krahas atij të Tiranës. Kishte ende pak aparate marrëse në zonë, kryesisht nga mësuesit. Në shkollën e fshatitgjeta një radiome bateri të markës “Orion”shumë e mirë dhe e përdorja si burim informacioni dhe argëtimi nga vendi dhe bota. Ajo më mbajti mendjen në vend për të mos “roitur”gjatë katër viteve të qëndrimit atje. Prej saj dëgjoja lajmet te Tirana dhe Prishtina dhe merrja vesh se ç’bëhej“këtej e andej kufirit”. Atje dilnin edhe valët e Radio Moskës, Radio Sofies, Radio Vatikanit në gjuhën shqipe etj.
Më 29 maj 1985 ishte finalja e kupës së kampioneve të Europës në futboll në stadiumin “Heisel” të Brukselit midis Liverpulit dhe Juventusit. Prisja të shikoja ndeshjen në orën e caktuar në shtëpi në qytetin e Peshkopisë. TVSH kishte vendosur siglën e finaleve të Europianit në ekran, por ndeshja nuk po dukej gjëkundi. Me titra në të shkruhej: “Në pritje të fillimit të ndeshjes së futbollit”. Pas ndonjë ore duke pritur, dola dhe shkova te shtëpia e një shoku dibran aty afër, të shikoja se çfarë po ndodhte me ndeshjen, sepse ai shikonte stacionin e Shkupit. Atje mësova se çfarë kishte ngjarë në stadium, ku ishin vrarë 38 dhe plagosur me qindra tifozë, kryesisht italianë. Televizioni i Shkupit jepte drejtpërdejt pamjet e stadiumit me njerëz që ulërinin të tmerruar dhe policët belgë të hipur mbi kuaj që përpiqeshin të ç’dekurajonin huliganët anglezë brenda në stadium. Shokuishte anëtar partie dhe aktor në estradën profesioniste të qytetit.
Në vitin 1987 Komiteti i Partisë në Peshkopi dha urdhër të dilnim me nxënësit e gjimnazit e të hiqnin antenat e televizionit maqedonas nga pallatet e qytetit. Dukej se antenat e huaja ishin shtuar shumë, saqë ishin kthyer në shqetësim për udhëheqjen. Kjo u prit me zemërim (të matur, natyrisht) nga ana emësuesve. Ç’punë kishin mësuesit dhe nxënësit me antenat e televizioneve private? Apo të na rrëzohej ndonjë nxënës nga taracat e pallateve?
Dolëm nja dy herë me grupe nxënësish nëpër lagje. Ne bënim sikur i hiqnim antenat e huaja, ata të Komitetit bënin sikur e besonin që antenat ishin hequr dhe i raportonin Udhëhejqes në Tiranë për “suksesin” e heqjes së antenave. Edhe ata të Tiranës besonin se nuk kishte mbetur më antenë e huaj në këmbë. Komedi e vërtetë. Të gjithë ata qytetarë që donin të shikonin televizionin e huaj, e shikonin edhe në Dibër. Programi i TVSH-së zgjaste vetëm katër orë e gjysmë (nga ora tetëmbëdhjetë, deri më njëzetë e dy e tridhjetë minuta), ndërsa qytetarët donin më shumë dhe u drejtoheshin televizioneve të huaja. Vetë nuk isha i dhënë pas tyre, sepse kisha mjaft punë të tjera me vlerë për të bërë, në vend që të vrisja kohen para ekraneve të huaja: programi i TVSH-së ishte goxha i pasur me filma seriozë nga bota, me sporte etj. Ishin edhe puna e mësuesit, kujdesi për fëmijët, librat për t’u lexuar, provimet pasuniversitare etj.etj.
Durrës, Vlorë, Tiranë, Sarandë
Kisha të afërm në Durrës dhe Vlorë, ndaj ndodhte të ndaloja në këto qytete për pushime në verë. Kam parë aty të shikoheshin kanalet e RAI-t gjatë gjithë ditës nëpër familje qytetarësh të thjeshtë, të cilët nuk kishin frikë nga askush, sepse punëtorë ishin. Frika ishte vetëm te ata që mund të humbisnin vendin e punës në administratë. RAI shikohej drejtpërdrejt në tre kanale në Durrës, Vlorë e deri në Bregdet nga antenat e tij në Itali, sidomos në kohë të kthjellët. Sadoqë aparatet televizive tani prodhoheshin në Durrës pa “grup” (pajisja që bënte të mundur marrjen e shumë kanaleve), njerëzit ia kishin gjetur mënyrën sesi të kapnin kalalet e huaja.
Në vitin 1988mbrita me punë në Tiranë. Këtu qytetarët e shikonin RAI-n nga përforcuesi i Dajtit, i vendosur atje nga RTSH, ose drejtpërdrejt nga Italia. Televizioni Shqiptar e kishte vendosur përforcuesin (të pautorizuar nga RAI, natyrisht)për dy arsye: e para, sepse Udhëheqja dhe Blloku nuk mund të rrininn pa parë televizionet e huaja, kryeissht RAI-n, larg qoftë!E dyta, sepse RTSH programet e saj nga jashtë i merrte (kupto: i vidhte)nga RAI. Prej tij merreshin lajmet nga bota, filmat artistikë italianë dhe të vendeve të tjera, programet për fëmijë që transmetonte RAI; të gjitha llojet e kampionateve ndërkombëtare të futbollit, volejbollit, basketbollit; të gjitha olimpiadat botërore dhe lojëra të tjera (përjashto boksin); të gjitha emisionet shkencore që paraqisnin interes për publikun tonë. Këto bëheshin në mënyrë pirate, sepse nuk kishte marrëveshje bashkëpunimi midis televizioneve të dy vendeve dhe prandaj as që paguhej gjë për to. Nuk e di nëse kishte ndonjë marrëveshje për blerjen e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit që transmetoheshin nga TVSH. Vetëm kur dilte Papa në televizionin e RAI-t, hynte në lojë zhurmuesi që prishte sinjalin. Papa na prishte punë, sepse Shqipëria ishte “i vetmi vend ateist në botë”.
Për të “mbuluar” (me gjethe fiku) piraterinë e programeve,shpesh herë në TVSH fshihej sigla e RAI-t në këto programe, por dukej qartë që ajo ishte fshirë, nga njolla e zezë që dilte në cepin e ekranit. Nga televizioni italian TVSH ka marrë dhetrasmetuar filma të tillë serialë si: “Oktapodi”, “Nëse një ditë do të trokasësh në derën time”, “David Koperfild”, “Dombi dhe i biri”, “Mariana Pineda”, “Sllavia Izaura”e shumë filma kinematografikë klasikë të Hollivudit. Mirënjohje atyre dhjetëra krijuesve që u morën me përgatitjen dhe transmetimin e tyre në shqip. Aq e madhe ishte kjo pirateri televizive, saqë është folur se ka patur protesta nga ana e RAI-t ndaj qeverisë shqiptare, sepse ata kërkonin që këto transmetime të bëheshin mbi bazën e një marrëveshjeje dypalëshe, por kjo nuk ishte pranuar nga “pala jonë”. Sidoqoftë, me pirateri apo jo, shqiptarët që dëshironin, e shikonin rëndshëm RAI-n në Tiranë e gjetkë, sa nga përforcuesi i Dajtit, ashtu edhe drejtpërdrejt nga Italia në zonën bregdetare, sidomos në verë.
Ndjekës të hershëm të televizioneve të huaja
Shqiptarët shquhen për njohjen e gjerë të gjuhës italiane, sidomos në qytete, megjithëse kjo nuk është mësuar shumë në shkolla gjatë kohës së komunizmit, veçse në mënyrë autodidakte nga programet etelevizionit italian. Në korrik të vitit 1990 dhe pastaj më 1991, shqiptarët mësynë masivisht Italinë, me anijet transoqeanike “Vlora” dhe “Tirana” dhe kjo ishte e kuptueshme: për ta ishte i njohur vendi fqinjmë mirë se çdo vend tjetër nëpërmjet televizorit, sadoqë shpesh herë në mënyrë të gabuar, sepse e njihnin kryesisht nga shkëlqimi i reklamave televizive dhe këtë e kanë vënë në dukje qysh atëherë edhe italianët.
Në një nga ditët e fundit të dhjetorit të vitit 1990 kryeministri grek Micotaqis (i vjetri) u pyet nga gazetarët se çfarë qëndrimi do të mbante Greqia, nëse valë refugjatësh nga minoriteti grek i Shqipërisë do të shkonin atje, për shkak të situatës së destabilizuar në vendin tonë në atë kohë ndryshimesh demokratike. “Do t’i presim” – tha kryeministri grek. Pa mbaruar mirë intervista e tij në televizion, me mijëra refugjatë nga zonat e minoritetetitgrek në Sarandë e Gjirokastër morën rrugët për Greqi në këmbë natën, pa pritur të gdhihej e nesërmja. Kjo tregonte se televizionet greke shikoheshin gjerësisht në ato zona.
Kjo ishte situata e televizioneve që ndiqeshin në vendin tonë para viteve nëntëdhjetë, si atij shqiptar ashtu, edhe të huaja. Ishin pra të paktën gjashtë televizone të huaja që ndiqeshin rregullisht nga shqiptarët në zona të ndryshme të vendit, krahas TVSH-së: RAI 1,2,3; ERT grek, TV Shkupi i Maqedonisë, TV Titogradi i Malit të Zi dhe TV Beogradi në zonat e veriut. Në këto rrethana, përballë këtyre fakteve, nuk mund të thuhet se “ishte e ndaluar të shikoje RAI-n në Shqipëri në kohën e komunizmit”. Kjo është thjesht, ose mosnjohje (injorancë, “gjindje pa shkollë”) ose mohimi qëllimshëm i realitetit, për t’uparaqitur demek i persekutuar edhe atëherë kur nuk kishte persekutim. Në qytetet e mëdha kishte herë – herë edhe zhurmues për të penguar sinjalin e televizioneve të huaja. Pormbi shtatëdhjetë përqind e popullsisë jetonte në qytete të vogla dhe në dy mijë fshatra që kishte vendi dhe shteti komunist, praktikisht nuk kishte mundësi reale të vendoste zhurmues në to.
TVSH u rrit bashkë me teleshikuesin shqiptar. Ky i fundit u formua si i tillë jo vetëm nga TVSH, por edhe nga televizionet e tjera, kryesisht ato italiane. Dhe kjo, pa paguar asgjë. Ishte ky bashkëpunim dhe “rivalitet” njëkohësisht me televizionet e tjera që e çoi përpara Televizionin Shqiptar, të cilit tani i urojmë: Edhe njëqind vjet të tjera, por tani pa pirateri.

—-“Ke pas shum t’mira ,e begati!
Po sot RTSH,me thuaj si je!
ashtu si lisi ,rrezuar perdhe!
shkon “Topi “e “Klani” e ben sikur s’njeh,
dhe “Syri’i Saliut ben sikur s’sheh !
Te vodhen ,te drobiten ,
te shkaterruan e te grabiten ,
deshen te merrnin falas,
sic ben me uzinen ,sic bene me fabriken!
Te prune ca Dema ,
po jo per te leruar ,apo “lavderuar” ,
por per te ulur ,per te poshteruar!
Je bere si Lypsar,
dhe askush s’te shikon,
mbahesh me 100leke,
qe te paguaj une ,
kur mar pension!
RTSH-ja sot ka programet me te mira ne kanalet qe transmeton. Emisionet dhe reportazhet tematike jane me te mirat qe transmetohen, krahasuar edhe me Topin dhe Klanin. Dikur kam pasu neveri te shihja nje emission ne TVSH , por ka ndryshuar 180 grade.
Ne digitalb, tring, etj ndjek vetem filmat. tek Topi , Klani , Ora te gjithe emisionet jane zhurmuese pa nje balance ku te marresh vesh realitetin. RTSH eshte e balancuar.
Persa i perket artikullit te mesiperm, flet me shume per RAI-n sesa TVSH-ne.
Permiresimi i RTSH eshte rrenjesor . Ka emisione te plota , edukative , te bazuara ne shkence . Shkurt ka marre fytyre njerezore . Nuk ka boshlleqe , qe i mbush kotesia . Filmat e blere , jane te mire , jo nga ata , qe shiten me oke . Ka kohe , qe ky Tv. ka gjetur veten dhe perparon dukshem . Zgalem
Po, RTSH sot ka ndryshuar shume, per mire sigurisht, (ndonjehere drejtuesit spekulojne hapur psh nuk transmetojne ndeshjet e kampionatit tone kombetar te futbollit dhe kjo gje sigurisht me mbeshtetjen e autoriteteve më të larta shteterore per aresye te nderhyrjeve te privatëve….) te mos harrojme Rtsh paguhet nga taksat e popullit
Per sa i perket te kaluares eshte tamem si pershkruhet në artikull, vetem se duhet shtuar se në fillim te viteve 70 zhurmuesit u vendosen fillimisht per Rai-n dhe më pas edhe per stacionet jugosllave.
Shqiperia gjate diktatures ka qene vendi më i izoluar në Europe, por në cdo dreke dhe mbremje Tirana zyrtare lidhte me Rai-n dhe rregullisht shihnim lajmet e Rai1 dhe Rai2, gjithashtu edhe ndeshje nderkombetare futbolli apo lojerat olimpike (per sa i perket Bllokut ekzistonte pershtypja qe ka patur lidhje tjeter per Rai-n)
Hapja ndaj kultures perendimore ndodhi ne vitin 1986 (nje vit pasi diktatori nderroi jete) kur Radio Tirana hapi nje kanal tjeter gjate stinës së veres ku transmetohej vetem muzike perendimore Rrok, Pop, Xhaz etj