Të mërkurën në Zeqir Ymeri, Kukësi luan një prej tre dueleve të mbetura për Europën nga Kategoria Superiore. Veri-lindorët nisen si favoritë absolut në ndeshjen përballë Vllaznisë dhe kjo jo vetëm prej faktorit fushë, apo duke krahasuar pozicionimin e skuadrave në renditje.
Pas rikthimit të trajnerit Klodian Duro në krye të stolit, me klubin që duket se rigjeti qetësinë, në dispozicion të skuadrës do të jenë edhe disa elementë të rëndësishë.
Edon Hasani dhe Ylli Shameti janë rikuperuar nga dëmtimet dhe do të jenë të gatshëm për Kukësin. Gjithsesi, stafi teknik pritet të mos rrezikojë dhe dy titullarët do ta nisin ndeshjen nga stoli.
Në dispozicion të trajnerit Duro do të jenë edhe mbrojtësi Lladrovci dhe mesfushori Musolli, që ishin të pezulluar në sfidën e fundit të fituar në Vlorë.
Përballë Vllaznisë, nënkampionët e Shqipërisë kanë edhe garancinë e statistikave. Shkodranët nuk fitojnë prej 9 ndeshjeve me Kukësin, me suksesin e fundit që është regjistruar në Shtator të vitit 2013. Edhe ajo një fitore 3-0 në tavolinë.
Në ndihmë të kuqebluve, që janë dëshpërimisht në kërkim të pikëve në luftën për mbijetesë, nuk vjen as ecuria e fundit, me Vllazninë që ka pësuar katër humbje në 5 javët e fundit të kampionatit. Trajnerit Armando Cungu i duhet të mposhtë të kaluarën, për të shpëtuar të tashmën.
