Fabian Duro, 26-vjeç është i vetmi praktikues i sportit që në botën e sotme njihet si “free-style football”, apo që në shqip do të përshtatej me zhonglimin me top.
Për të gjithçka ka nisur më 2008-n, kur nga futbolli i zakonshëm filloi të zhvendosej tek ky lloj tjetër futbolli.
Suksesi i parë do të vinte në 2010-n, kur triumfoi në Kampionatin e parë dhe të fundit Kombëtar të kësaj disipline të veçantë, “Redbull Street-Style”, ku edhe fitoi të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Botëror, që zhvillohej në Kejp Taun të Afrikës së Jugut në prill të po atij viti.
Më pas, ai ka qenë një vizitor i rregullt nëpër veprimtaritë ndërkombëtare të këtij sporti, duke ngjitur edhe shkallët e suksesit teksa përballej me më të mirët e botës.
“Atje arrita të fitoj në garat kundër Ukrainës dhe Arabisë Saudite, por duke qenë kampionati im i parë botëror, nuk arrita të shkoj dot më tej, – rrëfen Fabiani.
Ky sport i ka dhënë mundësi të udhëtoi shumë, të njoh të ngjashmit e tij në botë, por nga ana tjetër edhe të zhvillohet në zhdërvjelltësimin e stileve që ky sport ka.
Së fundmi na tregon se ka udhëtuar në disa shtet.
“Isha një muaj në Çeki, më pas shkova në Hungari, Rumani, Bullgari dhe Maqedoni”- thotë Fabiani për Dita-n.
“Në Çeki isha së bashku me kampionin e Rumanisë në këtë sport, pasi aty ishim të ftuar për të bërë disa shfaqje, dhe kështu shëtitëm në disa vende të tjera, gjithmonë me… top në kokë”.
26-vjeçari nga Tiranë, i cili gjithçka e ka mësuar vet, me vullnet dhe stërvitje ka patur disa oferta nga vendet e huaja, por, edhe pse është një sport që nuk vlerësohet, përsëri ai dëshiron që ku do të shkojë të përfaqësojë Shqipërinë.
Së fundi, Fabiani thekson se është mbajtës i rekordit të topit me 272 rrotullime të kokës./ E. Resuli












