Gulnara Karimova është vajza e Islam Karimov, diktatorit uzbek, i cili drejton vendin pak a shumë që nga shkëputja me Rusinë dhe ish-republikat e tjera sovjetike të Azisë qendrore. Gulnara, 41 vjeçe, e njohur edhe me emrin e artit “Googoosha”, është vajza e llastuar dhe disi arrogante e tij, e cila për vite me radhë ka përdorur milionat e taksapaguesve për të financuar karrierën artistike dhe eventet kulturore në shërbim të spikatjes së saj.
Disa muaj më parë ishte një grua e suksesshme, jetonte në Perëndim, duke alternuar karrierën si këngëtare, me atë të stilistes dhe ambasadores së vendit. Haptazi e painteresuar për situatën e të drejtave të njeriut në Uzbekistan, Karimova së fundi ka pohuar për “The Guardian”: “Nuk doja konflikte dhe nuk kisha dijeni për shumë gjëra që u jepnin bezdi shumë personave, sepse isha e angazhuar me projekte në ndihmë të njerëzve, si bursa dhe mbështetje financiare për shoqatat profesionale. Disa e denoncuan me zë të lartë, por u desh kohë që të kuptoja se në ç’realitet jetojmë”. E pamundur që pasuria dhe privilegjet që gëzonte të mos e kishin bërë të dyshonte për dekada të tëra. Në Gjenevë ajo dhe e motra, të rrethuara nga një shpurë e përmasave mbretërore, jepeshin pas shpenzimeve kolosale dhe tashmë të dyja janë në krye të perandorive ekonomike që kanë tërhequr vëmendjen e Zvicrës, Suedisë dhe Francës. Tre vendet po hetojnë Gulnarën për importe të paligjshme kapitali (fryt i korrupsionit në Uzbekistanin e pasur me naftë) dhe kërkojnë llogari për pasuritë e saj të ngritura në to.
Tekat e Gulnarës janë shoqëruar edhe me dhunën ndaj atyre që e akuzonin për shpërdorimet e skajshme dhe jetën përrallore që ndiqte, aq sa opinioni publik në Uzbekistan i caktoi titullin e “njeriut më të urryer në vend”.
Rënia e të përzgjedhurës
Rënia e Gulnarës ka qenë spektakolare dhe në më pak se një vit i është dashur të mbyllë kompanitë e saj, ndërsa ka humbur kontrollin e televizioneve, fondacioneve dhe pronave të tjera të saj. Sikur të mos mjaftonte, një muaj më parë agjentët uzbekë u futën befasisht në apartamentin e saj duke kaluar përmes tarracës dhe arrestuan Rustam Madumarov, ortakun njëkohësisht të fejuarin e saj, që tashmë ndodhet në qeli bashkë me dy burra të tjerë të akuzuar për riciklim, korrupsion, mashtrim me taksat dhe zotërim të sasive të mëdha kartëmonedhash të huaja.
Prej atëherë Gulnara është e burgosur në shtëpinë e saj dhe komunikon vetëm nëpërmjet ndërmjetësve. Në një letër që i dërgoi Natalia Antelavas, korrespondentes së “BBC”-së për Azinë, rrëfen vuajtjet prej të burgosure teksa pohon se edhe është rrahur. Denoncon vendin e saj si diktaturë, por nxiton të shpjegojë se gjithçka po ndodh pa dijeninë e të atit, i cili nuk dëshiron ta presë për shkak të një komploti të ujdisur nga e ëma dhe motra e saj. Këto të dyja konsiderohen si jo më pak të korruptuara dhe të pasura, por ndryshe nga Gulnara kanë qenë gjithnjë shumë diskrete.
Shenjat e një lufte për trashëgiminë e pushtetit u manifestuan brenda familjes Karimov dhe uzbekët panë të përballeshin publikisht dy vajzat e diktatorit, me rezultatin se e para tashmë është e falimentuar dhe ndodhet në arrest shtëpiak, ndërsa për të dytën nuk dihet asgjë.
Një llogari në Twitter e menaxhuar nga një person i afërt me të, ka publikuar foton e disa personazheve të çuditshme që ruajnë shtëpinë ku qëndron e burgosur bashkë me të bijën 16 vjeçare. Sipas Gulnarës, qindra në mos mijëra mbështetës të saj janë arrestuar vetëm sepse përkrahën shtysën e saj për modernizimin e vendit dhe tërheqjen e të huajve në vend. Për të ftuarit e saj perëndimorë (midis të cilëve Zherard Depardie), nuk ka ndonjë të dhënë që tregon se janë kthyer për të denoncuar diktaturën e egër në Uzbekistan. Të gjithë morën shpërblimet e tyre të majme dhe u kthyen nga kishin ardhur. Edhe vetë Gulnara dikur reagonte ashpër sa herë i kërkonin llogari për dhunimet e bujshme të të drejtave të njeriut në vendin e saj dhe për regjimin e të atit, i cili sot e drejton vendin në stilin e Pinoçetit.
Familja tha mjaft
Në Uzbekistan korrupsioni është endemik dhe mesa duket babait Karimov nuk i kanë pëlqyer veprimtaritë e fundit të së bijës ashtu sikurse edhe titulli që i vunë si personi më i urryer i vendit. Dikur ajo mburrej me ambiciet presidenciale dhe e shpallte veten trashëgimtare të të atit. Por, duke mbërritur në këtë pikë është e pamundur të besohet se më parë Islam Karimov ishte në “hije” të aktiviteteve të së bijës, ndërsa as sot nuk është në dijeni të fatit të saj prej të burgosure. Karimov jo vetëm nuk ka cekur asnjë fjalë rreth kësaj çështje, por edhe është kandiduar për mandatin e ardhshëm si president i vendit. Nuk ka më asnjë lajm për fatin e bashkëshortes dhe vajzës tjetër të tij, por, në fund të fundit, janë çështje familjare dhe as ndërkombëtarët e as uzbekët nuk duken të interesuar që të shpenzohen për Gulnarën.
Pavarësisht ankesave të saj, përshtypja është se Karimov vendosi t’i jepte fund aktiviteteve të panumërta të vajzës artiste që e kanë shkatërruar edhe më tej imazhin e një familje që edhe kështu nuk është më e dashur në Uzbekistan. Ndër sipërmarrjet e shumta të saj bënte pjesë edhe një kompani telefonike që sot është në qendër të hetimeve në dhjetë vende të ndryshme.
Mundësitë janë që ortakë dhe mbështetës të saj të torturohen, por jo ajo. Drejtësia e Karimovëve e ka pasur gjithnjë dorën e rëndë. Në vend nuk ekziston liria e shprehjes dhe në protestën e parë, qeveria urdhëron hapjen e zjarrit mbi manifestuesit. Për të mos folur për faktin që çdo vit mbyll shkollat dhe i dërgon nxënësit dhe punonjësit publikë të mbledhin pambukun. E sërish të ardhurat e sipërmarrjeve kolektive në Uzbekistan janë gjithçka tjetër veçse të kolektivizuara./Përgatiti: Dorina Gjuzi



Berisha ne mes dhe zeni me giden ne krah