Arben Duka
(Shënime për romanin “Dielli është i të gjithëve, hëna është e imja”) të autorit Skënder Sakaj
Romani fillon me një nëntitull që autori e ka cilësuar si ‘Historia e një ëndrre’. Strukturalisht libri është i ndërtuar nga njëmbëdhjetë pjesë, ku çdo pjesë ka një histori më vete e përshkruar me gjithë autenticitetin që e karakterizon Skënder Sakajn, nderin e krenarinë e qytetit të Lushnjës, e jo vetëm…
I realizuar në vetën e parë, romani i S. Sakaj njëherazi shpalos vërtetësinë në çdo fjalë e shprehje. Protagonisti kryesor i rrëfimit është vet autori e natyrisht dhe çdo personazh tjetër të cilët i konkretizon jo pa qëllim…, për të shprehur kështu stilin e tij konciz e shumë transparent.
Ndërmjet këtij rrëfimi autori na bën me dije kohët që jetoi para viteve 90- të, ku tregon për regjimin komunist me gjithë anët negative që kish ndikuar drejtpërdrejtë në jetën shqiptare.
Një sistem ku çdo bashkëvuajtës nuk dëshiron kurrsesi ta sjellë në mëndje…Jeta e cunguar, vështirësitë ekonomike …liria e fjalës e me radhë janë tematika që lanë një gjurmë të madhe në jetë. Në detaj, Skënderi tregon për postin e vet që kishte në atë kohë në puset e naftës ku pasqyron kështu një nga resurset më të mëdha që ka toka shqiptare..ajo që e angështon autorin është mos funksionimi i rregullt i qeverisjes politike në vend. Një sistem ku individi nuk vlerësohej në bazë të aftësisë, meritës së vet, por sipas interesave e pikësynimeve të politikës në atë kohë.
Duke krijuar kështu pakënaqësi shpirtërore e ekonomike për jetën në vend, jo vetëm të autorit. Përshkrimi në detaj na lë të kuptojmë se njeriu i asaj kohe në radhë të parë ishte në luftë me veten…një luftë e cila dilte jashtë parashikimeve njerëzore ku dhe buka ishte me racion…njeriu nuk mund të vepronte ndryshe përveçse ideologjisë së sistemit totalitar që obligonte çdo qytetar të dakordësohej me ta.
Një nga personazhet më të vlerësuar për autorin është Nikolla, i cili është ideali i njeriut të mirë e dashamirës, të thjesht, punëtor, simbol i njeriut human.
Një tjetër personazh është dhe Vlashi, inxhinier i naftës, i cili pasqyron njeriun në karrierë për aftësitë e vlerat që posedon të cilat, bëhen zili e ambicie për dashakeqësit e kohës….Ai, Vlashi karakterizohet si person pozitiv për të gjithë ata që e njohën që me dijen e logjikën e vet gjithnjë kish një mesazh për të transmetuar.
Ndër personazhe të tjerë kemi dhe L. Nika, një grua humane që i dha mbështetje çdo njeriu që e meritonte , siç ishte edhe vet autori.
Qartësisht vihet re mirënjohja e madhe që autori shpreh për çdo person që i dhanë ndihmën e tyre në vështirësitë më të mëdha të jetës së tij.
Të tjerë personazhe kemi: E.Hoxha, R.Alia, S.Berisha ,E.Rama, A.Broci, F.Nano, S.Gjinushi, L.Xhuveli, J.Çakalli etj.
Në çdo situatë autori nuk rend së treguari me brengë ashtu siç ishte realitetin e dhimbshëm për çdo peripeci që iu desh të kalonte nën mbikëqyrjen e pushtetit aktual. Ai, ashtu si edhe bashkëkohësit e vet, është dëshmitar për situatën kaotike të ndërrimit të sistemit politik gjatë viteve 90-të me ardhjen në pushtet e liderit të partisë demokratike S. Berisha.
Shpresa për një jetë ndryshe dallohet qartë në syrin e popullit shqiptar e natyrisht edhe të vet autorit. Lirimi i kufijve, drejt shtetit fqinjë, Greqisë, përmirësoi disi ekonominë por edhe botëkuptimin shqiptar pas asaj ëndrre të keqe që Shqipëria jetoi. Bie në sy largimi nga vendi i intelektualit te njohur I. Kadare. Vetëm populli shqiptar e di mirë se ç’kishin kaluar nën qeverisjen e sistemit totalitar.
Duket se nuk kanë të sosur vuajtjet e autorit, duke mos gjetur veten në atdhe edhe ai nis të emigrojë si një pjesë e mirë e bashkë-atdhetarëve të tij. Por edhe aty has problematika e vështirësi të emigrimit. Problematika nga më të ndryshmet siç ishte gjuha e huaj, kurthet e smirëxhinjëve që përfitonin në kurriz të njeriut të drejtë e punëtor. Luftë për mbijetesë!
Për të tria sistemet politike: Komunist-Demokratik-Rilindje, autori shpreh me konçizitet çdo aspekt pozitiv e negativ të tyre duke qenë se i përjetoi deri në palcë frytet e tyre, sidomos atë për të cilin punoi 10-vjet me radhë, pushtetin socialist. Pasoja të cilat i zbehën në detaj ngjyrat e një ëndrre pa shpëtim.
Skënderi, ndërmjet këtij romani përcjellë një mesazh koherent: Njeriu nevojitet të qëndrojë i fortë, guximtar e i duruar përpara çdo sfide njerëzore të çdo niveli në jetë.
Me rëndësi për autorin është të jetuarit jetën në lirinë e të drejtën e vet, me virtytet e mirësisë, drejtësisë, e punës me nder…ai e quan hero njeriun që ia del kësaj jete.
Më se e qartë se çdokush që ka prekur kohën e jetuar të autorit ka gjetur ndofta një pjesë të vetes,e njeriut që i doli ballë-përballë të vërtetës duke këmbëngulur në të, me sakrificë e bindje për të jetuar ëndrrën. Dielli mund ti ngrohë të gjithë, por është fisnike të kesh gjithë hënën për vete…
Romani më i ri i shkrimtarit të talentuar S. Sakaj me titullin poetik: “Dielli është i të gjithëve, Hëna është e imja”është një risi në letërsinë e sotme. Është risi pasi kemi të bëjmë me personazhe real, ku një prej tyre është vet autori.
Ky mund të quhet një roman i mirëfilltë autobiografik, që ka një dimension shumë më të gjerë se ambienti ku jeton, punon dhe krijon S. Sakaj.
Kemi të bëjmë me një individ jo vetëm të ditur e të kënduar por, edhe me një shtyllë të fortë kurrizore, që nuk e kthen gunën nga fryn era.
Ai dominon mbi ambientin dhe nuk dominohet nga ambienti. Është e pamundur që në këto pak rreshta të pasqyrosh një galeri gati të pafund personazhesh dhe ngjarjesh.
Skënderi e prezanton veten si një mjeshtër i rrëfimit larg fantazive boshe. Sinqeriteti i tij krijues është befasues, që rrallë haset në romane të tjerë të kohës që jetojmë, e cila mund të quhet natyrshëm: “Koha e kameleonëve”.
Në kohën, kur kemi një lumë botimesh nga autorë të ndryshëm, të njohur e të panjohur është e vështirë që një autor të bjerë në sy pa një kritikë korrekte e dashamirëse. Por S. Sakaj është i veçantë, ka sjellë një model të ri të pa lëvruar nga askush deri më sot. Nëse ju nuk e lexoni librin është e pamundur të arrish në këto përfundime, ku kemi arritur ne.
Zakonisht kur na vjen një mysafir në shtëpi, ne i themi: “Të lumshin këmbët” por me ardhjen e Skënderit në shtëpinë e shkrimtarëve nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i themi: “Të lumtë dora dhe të lulëzoftë pena”. Me këtë urim, po e mbyllim dhe ne këtë shkrim modest për një roman dinjitoz me treqind e dyzetë e dy fletë, të cilat kanë çelur si treqind e dyzetë e dy trëndafila.
Shkrimtari është në një proces intensiv krijues. Presim veprat e tij të reja, si një kontribut i çmuar për brezat e sotëm dhe atyre që do të vijnë.
Letërsia është si dashuria që nuk njeh moshe…

Te ishin te gjithe”DIELL”si Arben Duka ne kete shkrim.
Faleminderit Arben Duka per kete pasqyrim te krijimtarise se te pa njohurit per mua ,Skender Saka ne kete liber, qe ju ma beni si ta kem lexuar.Ju faleminderit .Vertet duhet te jete nje botim i ralle. Sa mbritur ne atdhe, besoj do ta gjej.Miresite ju shoqerofshin Ju; “DIELLI-DIELL i te gjitheve…”
Me konsiderate 83 vjecari rrugeve te emigracionit,sa marre erren e atdheut, keto muaj;”lenduar nga politikat qe na bejne te flasim me VETE…Juve ju faleminderit dhe per te tjera shkrime..
Guri Naimit D.( Dh Xh.)