Historia e paretushuar dhe ekstremistët

Ornela

Me shkas nga debati i hapur kohët e fundit për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në 75-vjetorin e çlirimit të atdheut. Dy ngjarje në dy kohë të ndryshme për mënyrën si duhet gjykuar dhe shkruar historia. Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha përballë Pjetër Arbnorit. A duhen vendosur dhe të respektohen kritere historike, apo do të vazhdohet me ekstremizma individësh?

Bujar M. Gaxhaj*

Kanë kaluar 29 -vjet nga ndryshimi i sistemit e përsëri vazhdon grindja midis të djathtëve e të majtëve për shumë probleme të historiografisë shqiptare! Veçanërisht kjo grindje bëhet më e ashpër për qëndrimet dhe vlerësimin e Luftës Antifashiste, ku njëra palë e mbron atë e pala tjetër e hedh poshtë me pretekstin se ishte më shumë luftë civile!

Nuk do të hyj në mbrojtje të asnjërës palë për të mos influencuar mbi lexuesin, po do të tregoj dy ndodhi nga koha kur kam qenë drejtor muzeu në Korçë. Dy ngjarjet kanë ndodhur në dy kohë të ndryshme, para dhe pas 90-ës.

***
Kisha vetën një muaj që isha emëruar drejtor në muzeun historik. Ishte 7 shkurti 1987, kur fillova nga detyra. Pas një muaji do të festohej 100 -vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe. Puna për të pritur sa më mirë këtë festë kishte filluar disa muaj më parë. Kuptohet, ishin angazhuar të gjitha strukturat e asaj kohe! Natyrisht barra do t’u binte organeve ekzekutive. Ata do të hartonin dhe do të zbatonin programin e festës. Franklin Xegës iu ngarkua zbatimi i platformës së muzeut, mbasi, në atë kohë, nuk ishte emëruar njeri si drejtor në muzeun historik dhe, e dyta duhej një njeri me eksperiencë për hartimin e platformës. Franklini kishte punuar në ngritjen e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Për saktësi, atë vit shkolla e parë shqipe kishte marrë statusin e muzeut kombëtar. Edhe për këtë arsye kërkohej angazhimi i të gjithëve që platforma të zbatohej pa asnjë gabim! Duhej bërë kujdes që të mos dilnin probleme as më pas!
Erdhi dita e 7 Marsit. Kishin ardhur nga Tirana. Erdhi vete Ramiz Alia. Ai ishte i shoqëruar nga Nexhmije Hoxha dhe të tjerë. Duke vizituar dhomat me radhë nën prezantimin dhe shpjegimet e Franklinit, arriti pranë një stende ku ishte një foto e kursit teorik të partisë gjatë luftës. Në atë kurs kish qenë pjesëmarrës dhe Ramiz Alia. Ndaloi aty dhe, me humor, na u drejtua ne:
⁃ Kush e gjen ku jam unë në këtë foto? Mos më shikoni mua tani që jam pa flokë, dikur edhe unë kam qenë djalë i ri e me flokë.
⁃ Ta gjej unë, – u hodh Nexhmija.
⁃ Jo ti, se ti ke punuar gjithë kohës me mua. Ta gjejnë këta. Asnjë nga ne nuk e dallonte në foto dhe heshtëm. As Franklini nuk e dinte kush ishte, mbasi në fotografi ishin disa persona. Ndenji disa sekonda duke vështruar foton dhe tha:
⁃ Po këtu qenka edhe Nesti Kerenxhi? Kaq u desh dhe ne, që e kishim dëgjuar emrin e tij, u premë.
U largua pa thënë asgjë tjetër. Vazhdoi në dhomat e tjera. Vizita mbaroi! Na përgëzoi për punën e mirë dhe u largua.
Ditën e hënë në mëngjes bie zilja e telefonit.
⁃ Kiçua jam, shefi. Eja shpejt në zyrë! Pas disa minutash arrita në zyrën e shefit. E pashë që ishte i shqetësuar.
⁃ Të gjendet menjëherë kush është Nesti Kerenxhi në atë fotografi dhe të hiqet, ndryshe, do të mbash përgjegjësi. E pashë që ishte i shqetësuar. Me gjëra të tilla nuk bëhej shaka.
⁃ Pse më thua mua të mbaj përgjegjësi! Platformën nuk e hartova unë dhe, me sa di unë, kjo foto erdhi nga arkivi i shtetit. Franklini mund ta dijë më mirë, ia ktheva unë.
⁃ Ti je drejtor tani, ty të bije përgjegjësia.
⁃ Ju shef jeni më i madh në moshë se unë, kur s’e njihni ju nga do ta njoh unë që në atë kohë nuk kisha lindur. E vura re që u nxeh më shumë. Për ta qetësuar i thashë:
⁃ Rri i qetë do ta zgjidhim këtë punë. Dola nga zyra e shkova drejt tek Franklini. Atë e kish marrë shefi në telefon më parë.
⁃ Ore Frankln, ç’kusur kam unë të ndreq gabimin tënd? Në fakt as Franklini nuk kish faj për atë foto që kish ardhur nga Tirana si shumica e fotove që ishin dërguar kohëve të fundit. Si thua, Franko, kë të pyesim që ta gjejmë kush është Nesti?
⁃ Mendoj Behar Shtylla ka qenë në atë kurs e ndoshta dhe Pilo Peristeri mund ta njohë, tha Franklini. Për Beharin nuk e kemi problem se do të na ndihmojë Barjami, për Pilon nuk e di si do t’ia gjejmë anën.
U nisa drejt zyrës së Barjamit pasi foli Frankoja në telefon. Më priti në zyrë i tregova shqetësimin që, në fakt, tani dihej nga ai.
⁃ Mos ki merak, do të flas në telefon me Beharin. Ngriti telefonin e i tregoi përse ishte fjala. Do të vijë drejtori i muzeut nesër. Po pate mundësi bëji një telefon dhe Pilos. Pas disa minutash morëm përgjigje se na prisnin të dy. Falënderova Barjamin për ndihmën që na dha.
⁃ Pa ndihmën tende zor se do të kishim për t’i takuar ata të dy. Faleminderit!
Takimin e parë e bëra me Pilon në shtëpinë e tij. I tregova fotografinë që kisha marrë me vete. E vështroi, po nuk e gjeti dot. Pasi dhe fotoja ishte e rikopjuar, por edhe kishte kaluar një kohë e gjatë dhe mosha bën të vetën. Humbi një shpresë për ta gjetur. Tani mbetej Behari.
Pasi i rashë ziles doli vetë Behar Shtylla. Hyra brenda. U ula në një kolltuk e pranë meje u ul Behari. I dhashë të falat e kushëririt Barjamit. Për të mos humbur kohë nxora foton. Sa e pa tha,
⁃ Ky është Nesti!
⁃ Je i sigurtë?
⁃ Po!
⁃ Nga cila anë i ndante flokët, – e pyeta. Kisha një hollësi që e kisha dëgjuar nga Franklini prandaj dhe e pyeta për t’u siguruar.
⁃ Nga e djathta. Kjo përgjigje më siguroi. Ai e kishte kujtesën shumë të mirë. Na qerasi sipas zakonit e pastaj unë e pyeta në konfidencë për disa gjëra. Biseda vazhdoi gati një orë, por unë dhe sot mbaj mend gjithçka. Pasi u largova, duke i uruar natën e mirë, dola me përshtypjen se kisha biseduar me një ish liceist, ambasador e ministër. Po, mbi të gjitha, me një njeri me kulturë të gjerë! Ishte vërtet një bisedë shumë e ngrohtë! U sqarova! U qetësova! Mbas kësaj bëmë retushimin e fotos.
Nuk kaluan as disa ditë, kur postieri më solli në zyrë librin “Enveri ynë” të Ramiz Alisë me një shkrim dore të shkruar nga Nexhmije Hoxha që e dërgonte si dhuratë për muzeun e Arsimit. E shfletova, kur sytë më vajtën tek fotoja e kursit të Panaritit, e cila ishte vënë e pa retushuar! Hapa sytë dhe mora menjëherë Franklinin në telefon.
⁃ Nuk e di ç’të them, m’u përgjigj kur i tregova. U nisa drejt zyrës së shefit. Trokita dhe hyra direkt në bisedë për të mos i lënë mundësi shefit që të fliste dhe, pak me të qeshur, i thashë:
⁃ Shef, ti më bëre namin për foton, po tani ç’do të thuash për këtë që është botuar e paretushuar? Çfarë t’i bëjmë këtij tani, dhe i tregova librin e porsa ardhur.
Kiçua e pa dhe nuk po u besonte syve.
⁃ Shpëtuam shef, tani rri i qetë! -i thashë dhe dola jashtë duke buzëqeshur dhe duke parë fytyrën i tij akoma të habitur.

***
Ngjarja e dytë lidhet me 80 -vjetorin e Liceut dhe ka ndodhur në gjysmën e parë të viteve 1990.
Kishin mbetur vetëm tre javë nga data e festimit. Në mbledhjen e zgjeruar me drejtuesit e arsimit e të kulturës ku merrja pjesë dhe unë, u ngrit Hasan Malolli dhe propozoi që të ribëhej muzeu i Liceut. E kundërshtova me argumentin se nuk kishte kohë, pasi ai ishte muze shkolle dhe, së pari i takonte seksionit te arsimit, ndërsa ne vetëm mund të ndihmonim me asistence. Koha e shkurtër nuk lejonte që të behej një platformë e plotë e të zbatohej sipas kritereve. U vendos që të bëhej ç’është e mundur dhe të ndryshonte muzeu. Punoja në disa drejtime; duhet të shikoja arkivin e shkollës ku të nxirrja sa më mirë, saktë e drejt historikun e Liceut dhe, veçanërisht, periudhën e pas çlirimit. Njëkohësisht duhet të ruaja strukturën e historikut të shkollës pa kaluar në ekstremin tjetër; hiq këtë e vër atë. Veç kësaj duhet të përballoja edhe gjithë presionin që kisha nga shefi e disa të tjerë që vinin herë pas here e hidhnin nga një grusht mizash dhe pastaj kërcisnin e iknin.
Një ditë, pasi isha kthyer nga shtëpia e Xhuvi Binos, me të cilin konsultohesha për shumë ngjarje të shkollës, më thotë Raqi:
⁃ Drejtor, erdhi shefi dhe tha: akoma s’janë hequr këta dëshmorët dhe disa foto te tjera. Ky muze prapë mban erë komunizëm. Ne ishim në mes të punës.
⁃ Mos ia vër veshin o drejtor, – u hodh një nga piktorët që kishim marrë për ndihmë. Do të ketë pirë ndonjë gotë dhe flet gota! Mos ia vër re! Unë nuk e kisha njohur më parë shefin e ri, por nuk e kuptoja nga i buronte gjithë kjo urrejtje, kur kish qenë dhe drejtor shkolle. Dola jashtë muzeut i nxehur me fjalët e shefit, por edhe se pse nuk bisedonte direkt me mua. Përballë derës së muzeut po rinin Gjergj Çikopana e Peçi, të cilët po bisedonin me njëri tjetrin.
⁃ Ç’dreqin ka Petrika që kërkon të përmbysë tërë historinë e muzeut?! Vetëm se do ai u ndryshoka e vërteta?! Kështu u bëkan punët?! Unë nuk kam të drejtë të ndryshoj historinë e vërtetë të liceut, u thashë, duke u prerë bisedën në mes.
⁃ Po! -tha Gjergji, që e kuptoi përse bëhej fjalë. Ke të drejtë. Nuk duhen shtrembëruar gjërat.
Nuk e zgjata më shumë bisedën. Hyra përsëri brenda.
⁃ Le të më heqin nga puna po deshën, i thashë Raqit, unë do të pasqyroj të vërtetën.
Kisha takuar ish-liceistë me pikëpamje të kundërta për të gjetur dokumente autentike. Më rekomanduan një ish-liceist të persekutuar. Shkova dhe i kërkova edhe atij të më jepte ndonjë foto nëqoftëse kishte. Më nxori një foto të vitit 39-të, ku kishin dalë disa ish-liceistë.
⁃ Kush janë këta? -e pyeta.
⁃ Janë anëtarë të rinisë fashiste.
⁃ Më vje keq, por këtë nuk mund ta marr e ta vë në muze.
Erdhi dita kur do të vizitohej muzeu i shkollës. Erdhi Pjetër Arbnori si i dërguar nga Tirana. Pa hyrë mirë në sallën e muzeut, m’u drejtua:
⁃ Në këtë muze ka qënë nxënës e mësues Enver Hoxha! E ke hequr apo është? Se mos ke vepruar si ata të parët?
⁃ Jo! – i thashë. Ja ku është fotoja kur ka qenë nxënës – dhe u drejtova drejt stendës. Kam patur presion për heqjen e shumë gjërave, por jam munduar ta pasqyrojmë historinë e liceut e vazhdimin e saj në vite. Unë nuk mund të heq dëshmorët e liceut e as emrin e shkollës, që ndonjëri mund të dëshirojë!
⁃ Jo, ne i respektojmë dëshmorët! Ata ranë për atdheun jo për komunizmin, -tha Pjetri. Historia është histori e duhet pasqyruar drejt e me vërtetësi! Pasi e pa gjithë muzeun, më falënderoi.
⁃ Ju lumtë kini bërë një punë të mirë. Fjalët e tij ishin indirekt dhe një përgjigje për disa ekstremistë që edhe sot përpiqen të bëjnë historinë sipas qejfit, jashtë çdo kriteri historik që, sot më shumë se kurrë ndonjëherë, ndjehen të domosdoshme.

*Emigrant në SHBA

Share This Article
3 Comments
  • Sot ekstremizmi eshte ngritur ne sistemin politik,ideologjik,ekonomik,arsimor,shendetesot,kulturor,letrar,artistik,sportiv,ushtarak etj,etj!
    Sot per 50 vjet socializem jo vetem nuk kujtohet asgje e mire te bere atehere,por nga frika e te vertetes kurre nuk kane guxuar te bejne edhe ndonje krahasim per te gjitha fushat se cfare eshte bere me mire keto 29 vjet ne krahasim me ate kohe!
    Sidoqofte eshte KRIM i madh te fshish jeten e nje populli te tere per 50 vjet vetem se urren socializmin ,qe me djallezi quhet komunizem!
    Eshte KRIM i madh te perdhosesh Luften Antifashiste Nacional Clirimtare duke e cilesuar ate lufte civile vetem se ate lufte e bene komunistet,ndersa ballistet ishin bashkepuntore me pushtuesit!
    Si mund te injorohen sot sukseset kolosale te atij sistemi ne Arsim,Shendetesi,Bujqesi,Industri, miniera,pyje,mjedis,drejtesi,siguri jete,kulture,sport,ushtri,flote tregetare dhe luftarake,aviacion luftarak,prodhimi i kromit dhe ferrokromit,i bakrit dhe kabllove te bakrit,i urese e superfosfatit,i instrumenteve mates te precizionit te larte ne Korce ,ne punesimin e njerezve,ne ruajtjen dhe rritjen shkencore te pjellorise se tokave,elektrifikimin e vendit,zhdukjen e kenetave,malarjes,sifilizit etj?
    Nuk mund te jete kurre nje sistem i drejte,i perparuar dhe demokratik ne se hedh poshte sukseset e meparshme te popullit pavaresisht se kush ishte ne udheheqje!
    Nje sistem progresiv kurre nuk injoron nje te mire te ndertuar me pare,sic eshte vepruar keto 29 vjet tek ne!
    Dhe kurre nuk mund te jete progresiv nje kryeminister qe hedh poshte LANC-in dhe nderon kryeballistin kuinsling te pushtuesve sic beri fashisti Edi Rama!

  • Franklini,.Franklini,,atje tek franklini ja paske mbathur o korcar kocixoxist! Pse nuk shkuat ne Kore ju kocixoxistet?

  • Po permenden shume emra, por nuk permendet neofashisti edi rama. Edhe azem Hajdari e ka mbrojtur luften NAC.CL. u bej thirrje MOS votoni per rilindjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *