Në vargun e botimeve historiografike të dekadave të fundit, kanë tërhequr vëmendjen edhe hulumtimet e gjera e komplekse të studiuesit të talentuar Nuri Dragoj, i cili është përherë në kërkim të rrënjëve të lashta e të reja të etnokulturës dhe historisë së një treve zëmadhe në historinë tonë kombëtare, siç është Përmeti dhe viset e tij.
Edhe në botimin më të ri, Përmeti midis dy Luftërave Botërore, që në një farë mënyre është vijim i librit Përmeti, nga lufta për pavarësi në pushtimin grek, autori sjell një punë komplekse dhe analizë të plotë të zhvillimeve për atë periudhë.
Duhet thënë që në fillim, se ndryshe nga mjaft studime e botime historike dhe monografike të botuara për qytete e krahina të tjera të vendit, në punimin e Nuri Dragojit, Përmeti midis dy Luftërave Botërore, gjejmë një studim shumëplanësh mbi jetën ekonomike, politike, kulturore, arsimore dhe marrëdhëniet shoqërore. Aty nxjerrin krye një varg problemesh e fenomenesh që kanë të bëjnë me traditën e pasur të asaj treve, në përpjekjet dhe luftërat për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut. Duke shfletuar librin përballemi me shpirtin e madh kombëtar dhe arsimor të përmetarëve, ndihmesën e dhënë në Shpalljen e Pavarësisë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare nga lakmitë e fqinjëve ballkanikë, konsolidimin e pavarësisë së fituar dhe fatin dramatik të shqiptarëve ndërmjet dy Luftërave Botërore, për shkak edhe të politikës së Fuqive të Mëdha.
Duke qenë se të dy librat botohen në të njëjtën kohë dhe në themel të tyre kanë veprimtarinë atdhetare dhe politike të zhvilluar në trevën e Përmetit gjatë viteve 1912-1939, edhe unë, në parathënien time, nuk po i ndaj nga njëri-tjetri.
Në studimin monografik bie në sy që, studiuesi Nuri Dragoj, serioz dhe skrupuloz në studimet e veta, tablonë e gjerë të jetës historike të asaj treve e shpalos në një këndvështrim të ri e të thellë, duke u mbështetur në dokumentet arkivore të Londrës, Romës, Vjenës, Stambollit, Athinës dhe sidomos të Arkivit Qendror Shtetëror të Republikës së Shqipërisë, por edhe në botime të shumta historiografike, si dhe në kujtesën historike të përmetarëve. Nëpërmjet këtyre burimeve të shumta ndriçohet fati dramatik i asaj krahine dhe shqiptarëve në tërësi që, sipas vendimeve të Fuqive të Mëdha dhe pushtimit të Shqipërisë nga fqinjët ballkanikë, mundën ta copëtonin, duke rrezikuar ekzistencën e saj.
Hapësirat historike të këtij studimi të thellë të Nuri Dragojit, dëshmojnë qartë pasionin dhe këmbënguljen e tij për të zhbiruar të vërtetat historike, ngjarje e bëma, detaje e dokumente, dorëshkrime e shtypin e kohës, ku herë-herë jeta e përmetarëve shfaqet si një kronikë e gjallë e rritjes së ndërgjegjes kombëtare, ku vend qendror zë atdhetaria e tyre.
Sigurisht, kur bëjmë fjalë për një trevë si ajo e Përmetit, ngjarjet dhe fenomenet historike zënë vend në përbashkësi me viset dhe krahinat e tjera si Kolonja, Korça, Berati, Skrapari, Tepelena, Gjirokastra e më tej, deri në Vlorë e Prizren, pasi fara e mbjellë nga rilindësit Frashëri e mjaft mëmëdhetarë të tjerë, la gjurmë në bashkimin e shqiptarëve dhe zgjidhjen e problemeve mbarëkombëtare.
Krahas qëndresës me armë, treva e Përmetit është shquar edhe për përpjekjet e saj në përhapjen e arsimit shqip. Autori, duke u mbështetur në dokumente dhe shtypin e kohës, jep një pasqyrë të gjallë të lëvizjes për arsimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe në atë trevë, siç ishin pjesëmarrja e Mithat Frashërit në Kongresin e Manastirit, një varg protestash e memorandumesh në mbrojtje të alfabetit latin dhe gjuhës amtare, si dhe mitingu i Përmetit më 1910, i drejtuar nga Baba Abedini, ku morën pjesë rreth 5 mijë përmetarë.
Studiuesi Nuri Dragoj, duke dhënë një tablo të gjerë të lëvizjes kombëtare në Përmet dhe viset rreth tij, në prag të Shpalljes së Pavarësisë, sjell mjaft të dhëna interesante në lidhje me veprimtarinë e çetave patriotike, jo vetëm të Përmetit, si ajo e Mehmet Pavarit, At Stath Melanit, Nexhip Bënjës, Servet Frashërit, Dervish Shemes, Menduh Zavalanit, Mete Topojanit, por edhe bashkëveprimin e tyre me çetat e Namik Delvinës, Themistokli Gërmenjit, Alush Takës e Dervish Himës, të cilat u përfshinë në kryengritjet antiosmane të viteve 1911-1912. Ishte kjo valë e fuqishme e kryengritjeve antiosmane në Veri, që i dha vrull lëvizjes çlirimtare në jug të vendit. Frashëri u bë qendër e rëndësishme e organizimit të Kryengritjes Antiosmane të vitit 1912.
Përmetarët e mbështetën fuqimisht Shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit të ri shqiptar, nën kryesinë e Ismail Qemalit, duke patur në kuvendin e Vlorës delegatin e vet, Veli Bej Këlcyrën, i cili u zgjodh edhe në senatin e kuvendit.
Duke u mbështetur në mjaft materiale arkivore, studiuesi Nuri Dragoj sjell të dhëna të reja mbi Luftëne Parë Botërore dhe sulmet andartëve grekë ndaj popullsisë së pa mbrojtur shqiptare, për organizimin e rezistencës antiitaliane në trevën e Përmetit, si dhe krijimin e komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, që luajti rol të veçantë në përkrahjen e Kongresit të Lushnjës dhe pjesëmarrjen në Luftën e Vlorës, më 1920.
Përmeti midis dy Luftërave Botërore, botimi i studiuesit Nuri Dragoj, shpërfaq mjaft aspekte të jetës politike, ekonomike e kulturore të kësaj treve gjatë viteve 1921-1924.
Botimi i një studimi të tillë historik është kontribut i veçantë, jo vetëm për trevën e Përmetit, ku ngjizet mendimi historik e kulturor i studiuesit Nuri Dragoj, por edhe për qytete e treva të tjera të vendit, pasi, siç vihet re, gjerësia dhe thellësia e mendimit historik, analizat dhe sintetizimet e rrjedhave historike, na jepen nën një dritë të re, mbështetur në dokumente autentike, që shprehin punën pasionante e këmbëngulëse të autorit në studimet tona historike bashkëkohore.
Në këtë punim hasen të dhëna të shumta, ndonjë prej të cilave mund të shihet me dyshim, apo të pretendohet që aty të flitej më gjatë. Pikërisht nga kjo nuk mund të pretendojmë se historia e Përmetit trajtohet në mënyrë shteruese, por janë bërë përpjekje për të qenë sa më afër të vërtetës historike.
