Letër e nënshkruar, Eqerem Kajo
Duket se z. Stefanaqi (Stefani), me shkurtimin flokëve dhe rritjen e temperaturave të larta ka ndryshuar dhe mendimet mbi historinë e LANÇ. Si një demagog del si kofini pas të vjelës e hedh baltë mbi historinë e LANÇ. Si pedagog që ka qenë në Akademi apo në shkollat e tjera ushtarake, na paska nderuar, duke mos u thënë të vërtetën bazike të historisë së LANÇ! Sepse ballistët paskan qenë patriotë dhe nuk kanë qenë tradhtarë, se ata luftuan komunistët sepse donin të sillnin sllavët. Por partizanët nuk ishin komunistë more zoti Stefanaq, partizan do të thotë ide të reja. Partia Komuniste u formua më 8 nëntor 1941, ndërsa veprimtaria e Ballit të kombit filloi qysh me pushtimin e vendit nga Italia fashiste më 7 Prill 1939, kur ata që ti i quan patriotë i pritën pushtuesit me lule dhe organizuan dreka e darka. Këta më vonë i dorëzuan Viktor Emanuelit kurorën mbretërore. Veprimtaria armiqësore e këtyre patriotëve që ju vini shenjën e barazimit me partizanët fillon qysh me masakrën e 4 shkurtit. Këta patriotë që thoni ju z. Stafanaq, pse nuk dolën në pritën e Dukës në Kolonjë, kur Petrit Dumja u bëri thirrje të luftonin së bashku dhe ballisti S. Butka ju përgjigj se ne do t’u biem juve nga pas? Ballistët nuk luftuan as në luftimet me italianët në Leskovik, Vithkuq, Lubonjë etj. Në Kolonjën time Balli ka bërë krimet më të shëmtuara, në Blush, Vodicë, Selenicën e Pishës etj. Edhe kur erdhën gjermanët, ata i pritën me lule. Gjermanët bënë masakrën më të madhe në Ballkan. Në Borovë vranë e dogjën 107 vetë, që nga fëmijët në djep e deri te më të moshuarit. Ka dëshmitarë okularë se ballistët bashkëpunuan me gjermanët në këtë masakër, për vetë faktin se ku e dinin gjermanët se në kishë ishin nën mbrojtje shumica e fshatarëve? Këtë jua treguan spiunët e Ballit. Kur ishin kaq atdhetarë, pse e ndoqën mbrapa gjermanin? Mbi 3000 kriminelë u grumbulluan në qytetin e Shkodrës ku terrorizuan gjithë qytetin, dhe pastaj ju bënë bisht gjermanëve, gjatë tërheqjes ku një pjesë ikën nga Tivari për në Itali. Por zoti Stefanaqi, historinë e LANÇ e kanë shkruar fitimtarët me gjakun e tyre dhe jo ju a Tiku (Al) që nuk kishit dalë nga koqet e prindërve tuaj, që i dilni në mbrojtje tradhtisë. Damkën Ballit ia ka vënë populli qysh para çlirimit për krimet e tyre në popull dhe jo komunistët dhe as Enver Hoxha. Sa për atë që thoni se Muharrem Bajraktari ka qenë një patriot dhe ka luftuar kundër gjermanëve, bëni një mashtrim të madh. Për këtë referojuni Kujtimeve të Shefqet Peçit, që pas marrëveshjes ai luftoi kundër partizanëve në kohën kur ata ishin duke ngrënë bukë. M. Bajraktari nuk deshi të luftonte me frontin NÇL, por jashtë tij me qëllimin e keq që pas çlirimit të krijonte bajrakun e tij në verilindje. Në Francë u pushkatuan 2000 vetë si bashkëpunues me nazistët dhe nuk u quajtën patriotë, por tradhtarë. Z. Stefanaq, ju që kini dhënë Marksizmin e dilni tani në mbrojtje të tradhtarëve të kombit, mbas 70 vjetësh, ju jeni më tradhtar se ata që mbroni. Lërini demogogjitë, se të qeshin edhe qentë dhe mos na shit profka neve që e kemi përjetuar atë histori dhe për fat të mirë jetojmë e shohim tradhtarët e rinj. Eqerem Kajo
