Hito Sadik, “Branko Merxhani i Amerikës”

DITA Online

 

Kush ishte intelektuali nga Bënça e Tepelenës që la Amerikën për t’u vënë në shërbim të Luftës Çlirimtare, por që tetë vjet më vonë provoi kalvarin e ferrit komunist deri në vdekje

Veledin Durmishi

Kishin nisur shkreptimat e motit, vrunduj ere sillnin e shpërndanin një mjegull të ftohtë. Të gjithë po “hynin në diktaturë si në festë”. Të gjithë ishin shurdhuar dhe ishin memecë. Qenia e tij sikur ishte ndaluar, truri, zemra s’punonin më.  Ndjehej një qetësi, por e frikshme. Kishte filluar një fushatë e egër kundër intelektualëve që kishin ndjekur shkollat në Perëndim (u arrestuan 1030 shqiptarë).

Ëndërr e ndërprerë pa u nisur mirë, një shpresë e bjerrur, një shpresë që vdes që në embrion. Dikush kishte hequr një vijë fatale, të kuqe, poshtë emrit të Hito Sadik, mes dhjetëra e dhjetëra emrave të tjerë. Në një listë ku në krye, një dorë  analfabeti kishte shkruar “sekret”. Një listë e gjatë emrash që si në një apel:  Hito Sadik, kalo këtej! Pyetje. Ai apel, si një krrokamë që po kriste një ëndërr në mes. E shkuara po vuloste për të ardhmen. Madje jetën. Një krismë, një çartje si një udhë mes mjegullinash, një pakt moskuptimi. Qe ndier i shkrehur.

Askush  nuk mund të dinte si kishte përfunduar ai para një skuadre pushkatimi në një zallishte, në periferi të kryeqytetit, në një natë të zezë si fati i të gjithëve; viktima e vrasës. Sytë  ngrinë nga pamja. Mes shkretisë njerëzore ndiheshin ngadhnjyesit, ata që ngritën armët ndaj njerëzve të tyre e  më ngadhënjyesit, ata që rrinin në zyrat e shtetit të ri demokratik, për të cilin ca breza kishin tretur rininë, ëndrrat, jetën.

Ishin rrathët e parë të ferrit komunist, por që ai nuk donte t’i fliste askujt, madje as vetes. E kishte harruar talentin e vet, dashurinë e parë. E vrau vetë a ja vranë të tjerët, nuk i jepte dot udhë. E dinte shpirti i plagosur, e ndjenin duart e pranguara të cilat i dhembnin gjithnjë. Shestimi i një vrasjeje.

Ca krisma sikur  vranë  pak ag që me dhimbje po vinte nga lindja e më pas një shurdhërim e një verbim u bë sunduese, edhe pse pak diell  depërtonte me gulç atë  mëngjes të zi. Kujt mund t’i rrëfehej veç asaj nate që e kishte mbështjellë me krahët e vet të gjakosur. A ishin ata që ngritën armën njerëz të racës së tij, apo ai nuk ishte i racës së tyre!

Harresa është e pashpirt. Njeriu që kishte ndjerë në tallazitjet e shpirtit të vet dashurinë për atdheun e lirinë, tani asgjë nuk i hynte në sy. Kishte rënë perdja e jetës  së tij. I trazuar si zemërim i lumit të Bënçës në dimër, ai ziente.

Kujtimet janë thelbi i së shkuarës, por edhe kujtimet tani i shkaktonin dhimbje. Tani ishte rrethuar nga bashkëfshatarët e vet dhe nga shpirti revoltues që dëshpërimisht ai e demonstron. Ai nuk njeh asgjë të tijën me të cilën të bëjë një pakt. Idetë komuniste e kishin përmbysur djaloshin tepelenas e ai e kishte quajtur atë shpresën e shpëtimit të atdheut të tij të lodhur e të drobitur. Atdheu që kishte derdhur lumenj gjaku në emër të lirisë, mezi e priste atë ëndërr përvëluese. Ai ishte gati të vdiste për idealin e madh të lirisë e se besonte se komunizmi do ta përmbushte atë  ideal. Por dikur e ndjeu se kishte gabuar. Madje aq shpejt.

Intelektual me interesa të gjera

Mbeti jetim që kur ishte njomëzak. 14 vjeç, një djalë i brishtë që prindërit i vdiqën herët, herët i vdiqën edhe një motër e një vëlla e që për fatin e tij të keq ai nuk ka ditur kurrë edhe varret e tyre.

Në vitin 1916, së bashku me tokën amerikane, ai prek edhe ëndrrën amerikane. Shumë shpejt hyn në marrëdhënie më anëtarët e shoqërisë së madhe shqiptare në Amerikë “Vatra” dhe shumë shpejt bëhet një nga anëtarët e saj më aktivë duke vënë emrin e tij në shkrime të shumta deri edhe në editore të organit të kësaj shoqate “Vatra” dhe jo pak, por plot 12 vjet, ai do të jetë  gjuha e kësaj gazete e që në rrethet e shqiptarëve Hito Sadik do të identifikohej me epitetin “Poeti”.

Dhe jo vetëm kaq. Ai ishte një mik. Madje miku më i mirë i Faik Konicës, i cili për plot 12 vjet do të jetë sekretar i Konsullatës sonë në Washington, deri në dhjetor 1940.  Më 1941 shkon në Itali, ministria jonë e jashtme i propozon detyra të tjera si konsull në Turqi e Greqi, por ai nuk pranon.  1941- 43 ka qenë  atashuar në “Oficia Albania” në Romë për të korrigjuar lajmet nga Shqipëria të cilat i bënte në katër kopje.

Ka qenë spiker në Radio-Roma për katër vjet duke dhënë lajmet për shqiptarët e Amerikës deri në shkurt të vitit 1943, kur në Romë erdhën misionet anglo-amerikane, ku u krijua një komitet shqiptar dhe  Hito Sadik ka qenë përkthyes i këtij misioni, i cili drejtohej nga Mehmet Konica.

Në tetor 1944  është njohur me Harry Fulcin dhe më 1944 kthehet në Shqipëri për të vdekur në atdheun e tij pak vite më vonë.

Martohet me italianen Ermioni Violet, por nuk lënë trashëgimtarë. Punon si përkthyes në ATSH dhe pranë Kryqit të Kuq Shqiptar.

Absurdi: “Armik, se ke qenë mik i Konicës dhe Petro Markos”!

Arrestohet më 15 maj 1947. Dy vjet hetime. Pyetje absurd ku injoranca shfaq klasin e vet… armik, mik i Faik Konicës dhe Petro Markos, çfarë lidhjesh duhet të ketë me Amerikanët, duhet të jetë edhe  një agjent i Italisë, se edhe gruan e ka italiane, kujdes, spiunët janë si artistë, dinë ta vërtisin!…

Dhe një natë ndodhet para një skuadre pushkatimi. Fati e ndihu. Dikush nga ata të Sigurimit që  e çonte deri në fund qëndrimin  ndaj të arsimuarve në Perëndim, dikush që shoqëronte të dënuarit duke u dhënë edhe plumbin e fundit, ndërsa nën dritën e fëlliqur të një ndriçuesi elektrik u dallon fytyrën “kriminelëve” për herë të fundit, pra, ky dikushi mbetet një hop i nemitur. E njeh. Hito Sadik! E kishte njohur dikur këtë njeri dhe gjithë habi bëri një pyetje: – Hito, ti këtu!? Dil këtej! Pak ditë më pas u ngrit akt-akuza: deklarohet fajtor për dhënie   informacioni shtetërore te të huajt, dënohet më tre vjet heqje lirie dhe një vit punë e detyrueshme për mosdenoncim të elementëve antiparti.

Pas dy vjet hetimesh, torturash e një vit në burgun e Bënçës, tani Hito Sadik del nga burgu  me shëndet të rënduar. Ishte 53 vjeç. Kthehet në vendlindje dhe i shtyn ditët nën limontinë e jetës dhe fletoreve të tij me shënime e letërsi artistike.

Burgu e kishte lënë me pasoja. Sëmuret rëndë dhe dikush nga fshati, fshehurazi, pushtuar nga ethet e frikës, e shpie në spitalin e Gjirokastrës (atë që shpuri në spital e përjashtojnë nga partia!) Aty Hito ikën nga jeta. E varros komunalja e qytetit, por një shi i asaj nate i përmbyti varrin këtij njeriu, ashtu si edhe paraardhësve të tij.

Arti poetik i Hito Sadikut

Koha  e gjatë që Hito Sadik ndenji pranë Konicës në Amerikë, ishte e mjaftueshme që ai ta njihte mirë mjeshtrin e madh të artit të shkruar e nën ndikimin e tij ai të ndërtonte gjithë ngrehinën e artit të vet artistik, sidomos në publicistikë. Ai me mburrje thoshte se i përkiste shkollës së Konicës e nën ndikimin e kësaj shkolle ai u bë edhe një  polemist i flaktë, një kritik i denjë i veseve të shoqërisë shqiptare.

Hito Sadik, edhe pse nuk ka jetuar në Shqipëri, e njeh mirë shoqërinë shqiptare. E njeh nga shoqëria e tij, e cila është krejtësisht shqiptare, e njeh nga  letërsia e kohës dhe nuk i ka kursyer asnjëherë tehun e hollë të sarkazmës së vet ndaj shoqërisë sonë, e cila ka qenë aq e prapambetur sa edhe vulgare e primitive.

Janë dhjetëra personazhe që lëvizin nëpër artin e këtij martiri, ku ndihet elementi pozitiv, njeriu shqiptar primitiv, por me moral të fortë njerëzor, ashtu si ndihet edhe njeriu egërshan, njeriu që ka shitur shpirtin e vet si Fausti te Mefistofeli. Kërkon njeriun e lartë, njeriun që jep nga vetja për shoqërinë, njeriun që ndriçon mendjen dhe nuk përpihet nga vala e turmës e nga psikologjia  agresive, nga antivlera e boshësia. Ai kërkon të sfidojë realitetin shqiptar i cili i ka lodhur së tepërmi mendjet e ndritura të kombit, ku ai nuk rresht së kërkuari nga shqiptarët ngritjen e vetëdijes kombëtare e cila do ta radhisë atë në  një rresht me kombet e tjera evropiane. Shqiptarët nuk kanë më kohë për të humbur e koha e humbur duhet të jetë nxitësja për të rendur përpara.

Arti i Hito Sadik është rrjedhë e kohës, ai nuk është futurist, gjithçka që buron nga rreshtat e tij është realiteti shqiptar i mbushur me dhimbje, tragjedi, zhgënjime, plagë të Shqipërisë, të cilat ai i ka përfituar së pari nga shqiptarët e Amerikës e që janë botuar hap pas hapi në organet e shtypit të kohës.

Hito Sadik, “Branko Merxhani i Amerikës”

Dinjitetin e vet në fushën e publicistikës, Hito Sadik e ka shprehur me shkrimin “Një letër shqiptare”, e cila është botuar  në anglisht në 1941 në Nju Jork. Është historia e marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjin e vet jugor, me Greqinë e që me këtë shkrim autori donte  të njihte opinionin botëror mbi çështjet e mëdha kombëtare dhe sjellja e fqinjëve tanë serb e grekë ndaj një kombi të vogël nga madhësia, por jo nga historia, një kombi të cilin fuqitë e huaja në shekuj e kanë patur si një shesh lufte.

Kohë para shkrimit të kësaj letre, ai kishte kërkuar nga gazeta “The New York Times” që të bënte një korrigjim në një shkrim të sajin për një pasaktësi historike.  Greqia, që kishte patur gjithnjë mbështetjen e Anglisë dhe të Francës, kishte shfaqur pretendimet e veta në një pjesë territori të Shqipërisë Jugore dhe shkrimi në fjalë ishte shprehur: “Qeveri provizore e  Epirit Autokton u ngrit prej shqiptarëve”.

Gazeta e madhe nuk e kishte përfillur sugjerimin e një shqiptari me emrin Hito, por ky Hitua i kthehet kësaj gazete me një shkrim serioz, gjithë fakte historike, të denja për një penë koniciane, e që gazeta amerikane nuk mund ta linte pa e botuar, edhe pse në Amerikë gëlonin fuqishëm qarqe antishqiptare greke.

Hito Sadik ka pasionin e të shkruarit, por nuk ka pasionin e një koke të nxehtë ballkanasi që shovinizmi të errëson logjikën e që ti mund të deformosh faktet të cilat bota ka shekuj që i njeh e për më tepër nuk i ka kundërshtuar kund. Përkundrazi,  historianë të fuqishëm, gjuhëtarë, shkrimtarë, gazetarë  joshqiptarë, kanë hedhur dritë mbi morinë e fakteve  të cilat i nxjerrin shqiptarët jo vetëm autoktonë, por edhe dinjitozë  në këtë histori. Kurrë shqiptarët nuk i kanë deformuar faktet, përkundrazi, kanë qënë fqinjët tanë ata që i kanë fryrë kacekut të urrejtjes mes fqinjëve me të dyja bulçitë, duke sjellë luftëra, gjak e duke mbjellë varre e urrejtje mes shqiptarëve nga njëra anë e grekëve e serbëve, të cilët i bashkon një etje e përjetshme e gllabërimit të tokave të Shqipërisë, e cila jo rrallë është lënë  e vetme në hallin e vet, apo më keq, kur këto shtete, me ndihmën e fuqive të mëdha, kanë copëtuar trojet shqiptare si të ishin toka pa zot.

E, shqiptari i Amerikës, me një analizë të hollë, duke u mbështetur me fakte të pakundërshtueshme, analizon  origjinën e shqiptarëve duke demaskuar përpjekjet e grekëve në  idenë e tyre shovene “megali idesë”, në  kërkimin pareshtur të vendosjes së kufirit në Vjosë, në pretendimin e kishës greke se  ortodoksët e  Shqipërisë i përkasin etnisë greke e broçkulla të tilla,  të cilat kanë shekuj që gëlojnë në prapaskenat greke e që janë mbytur nga antishqiptarizmat.

Dhe historia ka fakte të shumta. Masakra greke në një kishë në Kodër të Tepelenës, në shtëpinë e Zotit,  në vitin 1914, ishte fakti më mizor, ku greku përdori dinakërinë, mizorinë për të greqizuar viset e Jugut të Shqipërisë. 217 burra  hormovitë u vranë aty në atë kishë nga andartët grekë. Urrejtja, dinakëria greke aty u shfaq me të gjitha përmasat e mundshme. Greku që ka zotëruar mirë dinakërinë dhe urrejtjen nuk ka ditur kurrë të fqinjësojë me veriorin e vet e që nga ana tjetër, shqiptarët  nuk kanë dëshmuar kurrë urrejtje, por i kanë shtrirë atij gjithnjë urat e mirëkuptimit e fqinjësisë së mirë. Sa shqiptarë janë kontribuues në pavarësinë e Greqisë, sa emra rrugësh janë në Greqi me emra shqiptarësh të cilat Greqia ka kërkuar t’i përvetësojë ata?

Shkrimi i gjatë (50 faqe libri) që i ngjan një studimi serioz i Hito Sadik nuk mund të lihej jashtë  nga gazeta amerikane. Ai u botua në vitin 1941 dhe nuk kaloi  në heshtje. U trazuan qarqet antishqiptare në Amerikë, por shqiptarët aty kishin dy nga majat më të larta të letërsisë së saj,  Fan. S. Noli dhe Faik Konica.

Share This Article
2 Comments
  • “Më 1941 shkon në Itali, ministria jonë e jashtme i propozon detyra të tjera si konsull në Turqi e Greqi, por ai nuk pranon. 1941- 43 ka qenë atashuar në “Oficia Albania” në Romë për të korrigjuar lajmet nga Shqipëria të cilat i bënte në katër kopje.”
    këtë nuk e kuptoj kështu 100%!
    “NGA MINISTRIA JONË E JASHTËME”-pra nga qeveria kuislinge???
    pra ka marrë pjesë në propagandën “e qeverisë tonë”??apo të italisë fashiste??
    “Ka qenë spiker në Radio-Roma për katër vjet duke dhënë lajmet për shqiptarët e Amerikës deri në shkurt të vitit 1943,”,apo jo??
    “kur në Romë erdhën misionet anglo-amerikane, ku u krijua një komitet shqiptar dhe Hito Sadik ka qenë përkthyes i këtij misioni, i cili drejtohej nga Mehmet Konica.”-në këtë kohë amerikanët ishin aleatët tanë dhe të dy palët punonim për të njëjtën kauzë!!
    kurse në “Në tetor 1944 është njohur me Harry Fulcin dhe më (?????pra me çlirimin e shqipërisë??)1944 kthehet në Shqipëri”????
    pra nga amerika shkoi në italinë fashiste dhe me çlirimin e shqipërisë,vjen me “kërkesë të amerikanëve”,të cilët në këtë kohë nga aleatë këthehen,ngadal,ngadal,në kundërshtarë?!
    sidoqoftë ai pas ardhjes në shqipëri “Punon si përkthyes në ATSH dhe pranë Kryqit të Kuq Shqiptar.”,nuk është hedhur poshtë,por i janë dhënë vënde të mira pune!!
    nuk e di por dhe sot,kur amerikën e kemi alatin më të madh, aktiviteti i hitos më sjell shumë ndyshime!!e jo më po të flasim për atë kohë kur ishte,armiku më i madh!!
    e dimë fare mirë që amerika pas L2B rekrutoi tërë ish bashkkpuntorët e nazifashizmit në zonën e mbetur nën ndikimin sovjetik dhe i përdori për luftën e ftohtë!!
    aktiviteti hito sadik në romë gjat periudhës së pushtimit fashist të shqipërisë,dhe qënja e tij spiker për shqiptarët e amerikës,më duket pakë si shumë i “DYSHIMTË”për të mos thënë propagandues i poliitkës fashiste!!
    sidoqoftë,sot jemi në kohën kur duhet të shkatërrojmë komunizmin e tmerrshëm dhe të ngrëmë këdo që ka qënë kundër tij,edhe kur ka qënë bashkpuntor i fashizmit e nazizmit!!
    sotë na rroftë gomarllëku se të tjerat janë për ti VK!!
    ps:fillimi i bukur i shkrimit”Kush ishte intelektuali nga Bënça e Tepelenës “,nëse me intelektual,ne quajmë dikë që ka mbaruar një nivel të lartë arsimor,universitet,unë nuk shoh asnjë të dhënë ku zotëria të ketë mbaruar ndonjë universitet!!të qënit mik i faik konicës,i petro markos, o ku ta di unë,nuk të jepë dipllomë universiteti!!por po ta përkëthejmë në shqip intelektual=i zgjuar atëherë mund të themi se mund të ketë qënë i zgjuar por pa arsim të lartë!!

  • “Më 1941 shkon në Itali, ministria jonë e jashtme i propozon detyra të tjera si konsull në Turqi e Greqi,”
    pra sipas Veledin Durmishit,kanë të drejtë grekët që thonë se shqipëria i ka shpallur luftë greqisë,dhe jo italia!!
    sipas këtij kokë qillotës nuk kemi qënë të pushtuar fare??
    hy debilat e muti,por më keq është kjo redaksi DEBILE!!
    LIDHJE ME TRURIN NUK KA!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *