Thomas Müller e ka shumë të vështirë të marrë frymë lirisht këto ditë, sepse ai është mësuar të luajë futboll nga minuta e parë te Bayern München dhe të ndihet protagonist pa u sprovuar me zëvendësime.
Mesfushori u la në stol në ndeshjen e fundit të Bundesligës me Werder Bremen-in dhe trajneri Carlo Ancelotti e shpjegoi duke thënë se ky ishte thjesht një vendim taktik, por fakti se 27-vjeçari reagoi jo fort qetë pas ndeshjes lë një shije të hidhur dhe tregon se diçka po ndodh në Mynih.
Duke mbajtur mend edhe sezonin e shkuar, gjatë të cilit Müller performoi shumë dobët dhe rrallë herë gjeti veten në fushë, ish-trajneri kampion Evrope me bavarezët, Ottmar Hitzfeld, i ka dalë në krah lojtarit. “Nuk e di se çfarë kërkon Ancelotti”, sipas “Gjeneralit”, është një fjali krejt normale.
“Thomas është një lojtar klasi, kampion bote dhe me shumë vlera. Klubi ka nevojë për të.
Kur një lojtar jep intervistë, çdo fjalë merr peshë tjetër. Për mendimin tim, pas ndeshjes Thomas dha një intervistë shumë normale. Është normale të flasësh ashtu, kur je lojtar që nuk luan. Ai është shembull te Bayern dhe gjithashtu shumë popullor me tifozët. Sigurisht që nuk do të jetë i kënaqur me gjendjen aktuale.
Thomas është një performues i klasit të lartë, kampion bote dhe me shumë vlera. Klubi ka nevojë për të. Nëse nuk luan nga minuta e parë, vështirë se do të jetë i lumtur. Thomas është lojtar i sinqertë dhe thotë atë që mendon. Duhet të jemi të lumtur për këtë”, – ka reaguar Hitzfeld në gazetën “TZ”.
Më troç se kaq nuk mund të flasësh. Klubi dhe trajneri e morën mesazhin, por a do të jetë reagimi ashtu siç presin tifozët dhe vetë Müller? Presim deri në ndeshjen e radhës!
