Holanda i thotë PO statusit për Shqipërinë

anazapta

Ndryshe nga dhjetori ku Holanda doli në kërkim të aleatëve brenda BE-së për t’i shtyrë statusin e vendit kandidat Shqipërisë, këtë herë ky vend mbështet rekomandimin e Komisionit Europian që i tha “PO” pa hezitim dhe mëdyshje statusit për Shqipërinë.

Të paktën qeveria holandeze në këtë letër të siguruar nga Top Channel, që i është dërguar Parlamentit kombëtar i cili do të mblidhet në ditët e ardhshme për të ratifikuar qëndrimin ndaj Shqipërisë, thotë se mbështet raportin e Komisionit Europian për vendin tonë.

“Bazuar në qasjen holandeze strikt dhe të drejtë, qeveria ndan mendimin e Komisionit se Shqipëria i është përgjigjur thirrjes që Këshilli i bëri në dhjetor 2013. Qeveria vë në dukje se që në dhjetor 2013, një shumicë e madhe e vendeve anëtare ishin mbështetës të dhënies së statusit të vendit kandidat”, thuhet në letër.

Qeveria holandeze përmes kësaj letre të ministrit të saj të Jashtëm, i ka vënë në dispozicion Parlamentit të saj gjetjet e Komisionit Europian për Shqipërinë, ku theksohet se gjatë periudhës së raportimit, qeveria shqiptare ka treguar aksion konkret dhe vullnet politik në zbatimin e legjislacionit, e veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Qeveria holandeze nxit vijueshmërinë e reformave të cilat thotë se janë në rrugën e duhur. Por po ashtu si Komisioni, ky vend gjithashtu vlerëson se hapja e negociatave është ende larg.

“Vendi duhet të vazhdojë të japë prova dhe të tregojë reforma të qëndrueshme gjatë viteve të ardhshme. Reformat dhe zbatimi i tyre do të monitorohen ngushtë. Ky mesazh i është komunikuar në mënyrë të qartë kryeministrit Rama, i cili vizitoi Holandën më 26 maj dhe bisedoi me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm. Gjatë vizitës, qeveria holandeze ka mirëpritur axhendën e qartë të reformave të qeverisë shqiptare dhe hapat konkrete që janë ndërmarrë në zbatim të saj. Ky mesazh është koordinuar ndërmjet disa vendeve anëtare dhe i është përcjellë kryeministrit shqiptar edhe prej tyre”, thuhet në letër. / Top Channel

Share This Article
1 Comment
  • Vetem ne efektet e hashashit Hollanda mund ti thote PO Shqiperise sepse me mendje te kthjellet Shqiperia eshte mijera vite mbrapa EU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *