Holanda: Korrupsioni pengesë për avancimin drejt BE-së

Saimir Lleshi

Në gjashtë muajt e parë të vitit të ardhshëm, Presidenca e Bashkimit Evropian drejtohet nga Holanda, një nga vendet skeptike për zgjerimin dhe që vendos vazhdimisht rregulla të forta.

Zëvendësambasadorja e Jashtme e Holandës, Renee Jones Bos, ndodhet në Tiranë, ku ka deklaruar se korrupsioni është problem serioz për Shqipërinë. Sipas saj, lufta ndaj këtij fenomeni do të përcaktojë hapat e mëtejshëm të Shqipërisë.

“Ne duhet të jemi të sinqertë. Korrupsioni është me të vërtetë shqetësim. Mendoj se korrupsioni, së bashku me një sistem drejtësie që nuk mirëfunksionon, shërben si një vështirësi në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka deklaruar ajo. Duke folur për reformën në drejtësi, numri dy i diplomacisë holandeze ka deklaruar se duhet të përshpejtohet në këtë drejtim.

“Reforma në drejtësi është një prej atyre gjërave të vështira për t’u realizuar. Është më kryesorja për t’u realizuar. Çdo demokraci e meriton të ketë një sistem drejtësie të mirë. Nëse nuk e kemi një drejtësi të tillë, atëherë demokracia nuk është funksionale. Për Shqipërinë kjo reformë është një prej aspekteve më vendimtare. Ne e ndihmojmë Shqipërinë dhe nuk themi çfarë është mirë apo keq, pra jemi partnerët tuaj. Këtu ne kemi një program për shtetin e së drejtës. Do të punojmë bashkë për hapat e tjerë”, tha Renee Jones Bos. 

Ajo deklaroi se nuk mjafton vetëm kryerja e reformës në drejtësi, por me rëndësi është zbatimi i saj. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *