Ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders, vendi i të cilit udhëheq prej dy javësh Bashkimin Europian, u ftua në Parlamentin Europian për të diskutuar prioritetet e kësaj presidence mbi zgjerimin e Unionit.
Megjithëse nuk përfshihet në programin 6-mujor të kryesimit holandez, ministri Koenders deklaroi se, “zgjerimi mbetet në agjendën e BE-së” dhe se “presidenca i kushton rëndësi madhore besueshmërisë së gjithë këtij procesi”, duke rikujtuar qasjen holandeze “strikt, por ndershëm” për avancimin e vendeve kandidate, bazuar në parimin e kushtëzimit dhe meritave individuale.
“Mbi Shqipërinë ka një progres të qëndrueshëm në trajtimin e prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Nevojiten ende përpjekje të mëtejshme, të tilla për të miratuar paketën e reformës në drejtësi. Në përgjithësi, sundimi i ligjit, të drejtat themelore, administrata publike dhe lufta kundër korrupsionit janë çështjet në fokus të Presidencës holandeze përsa i takon zgjerimit. “Të gjitha vendet kandidate kanë parregullsi serioze në fushën e sundimit të ligjit”, sipas tij, dhe “reformat strukturore janë më të domosdoshme se kurrë”.
Presidenca e fundit holandeze daton në 2004-n, por kjo “është më e vështira”, për shkak të situatës së brishtë në kufirin lindor të organizatës, kanosjes së sigurisë nga terrorizmi, dyndjes së refugjatëve, etj. Sipas kryediplomatit të Hagës, “nëse BE nuk eksporton stabilitet, atëherë do të importojë destabilitetin” brenda saj.
