Holanda sheh në 1/8 në Brazil 2014, pasi arriti të merrte maksimumin e pikëve edhe në sfidën rokamboleske ndaj Australisë, që duhet pranuar ndoshta meritonte të paktën një barazim përballë nënëkampionëve të Botës, që në fund iu gëzuan suksesit 3-2. Starti i takimit ishte shumë më i mirë për Socceros, që u shfaqën agresivë duke e mbajtur kundërshtarin në gjysmëfushën e tij. Goditja e parë e holandezëve në portën e australianëve erdhi në minutën e 18 me Van Persin, pas krosimit të Roben, por portieri Rayan e ka shumë të lehtë për ta kontrolluar topin. Por 22-vjeçari nuk mund të bënte asgjë 2 minuta më pas, kur Roben pas një inkursioni personal zhbllokoi sfidën.
Pak sekonda pasi Australia rinis topin nga qendra, Cahill realizon ndoshta golin më spektakolar të këtij Botërori, me një gjuajtje volej pas një vertikalizimi nga e djathta të Mcgowen. Është e vështirë të gjesh një fajtor në skuadrën holandeze për të finalizim perlë të sulmuesit australian, që do ta kishte zili edhe vetë tulipani Marco Van Basten. Kangurët për pak i shnagët tupilanët në minutën e 31, por goditja e Brecianos në vijën e 16 metrave përfundoi pak cm mbi tra. Në aksionin pasardhës australianët humbën një tjetër rast flangrant me Spiranovic, devijimi të cilit përfundoi në duart e Cillesen. Edhe në fund të fraksionit të parë Australia ishte shumë më kërkuese, ndërsa holandezët e kishin shumë të vështirë për të depërtuar në thellësi të gjysmëfushës kundërshtare.
Holanda shkon në dhomat e zhveshjes me një ndërrim të detyruar, pas dëmtimit të Martins Indi, vendin e të cilit e mori Depay. Tulipanët e nisin me tjetër ritëm pjesën e dytë, teksa në të 50 një goditje potente nga distanca e Sneijder devijohet me majat e gishta nga Ryan. Tre minuta më pas Australia fitoi një 11-metërsh, pas prekjes së topit me dorë nga Jaarmat. Nga pika e bardhë ekzekuton saktë Jedinak, me Holandën çuditërisht të mposhtur nga skuadra që konsiderohej më e dobëta e grupit. Por spektakli në Estadio Beiro Rio të Porto Alegres ishte në kulmin e tij, teksa Robin Van Persi në të 58 shfrytëzon një rreshtim të gabuar të mbrojtjes kundërshtare duke vënë baraspeshën.
Në të 67-n pasi një gabimi të rëndë të mbrojtjes Holanda shpëton mrekullisht nga goli që mund të ishte i nokautit, ndërsa në aksionin pasardhës Depay befason Rayan me një gjuajtje nga distanca, që përfundoi në rrjetë falë edhe efektit që mori topi Brazuka. Pas këtij momenti taktika për Socceros kalon në plan të dytë, por janë sërish holandezët që i afrohen golit të katërt në të 74 me De Jong, të cilit Rayn i mohon një gol të sigurt. Gjendja e ankthit e shoqëroi këtë sfidë deri në sekondat e fundit, por pa e cenuar suksesin e Holandës, që tashmë mendon për fazën e 1/8.
