Homazh dëshmorit Allaman Dervishi

Leda Hysa

Ese me rastin e 16 vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Policisë së Shtetit Allaman Dervishi. Dëshmori e fton Policinë që qytetarëve t’u shërbejnë me paanshmëri, pa urrejtje, e ndarje të tallazitura

Sefer Pasha

Kur kisha filluar të shkruaja letërsi në socializëm dhe e lexova për herë të parë tregimin: “Ç’lajme ke nga atdheu?” të Heminguejit, titulli i tregimit nuk më pëlqeu. M’u duk shumë prozaik si ato që botonte gazeta “Zëri i Popullit”. Në socializëm ishim të izoluar dhe atdheun e kishim brenda gardhit. Do të frynin erërat e demokracisë dhe shqiptarët nëpër botë do ta shikonin vatanin me syrin e njeriut, që ka mall ngaqë është larg. Tani të gjithë pyesin për lajmet nga vendlindja. Në këtë erë të re unë i thinjur do t’i jepja të drejtë Heminguejit për titullin e tregimit: – “Ç’lajme ke nga atdheu?” E kujtova këtë detaj dhe e vura në shkrimin për dëshmorin e policisë Allaman Dervishi, i cili më 24 maj mbush 16 vjet, që u vra nga dora e krimit. Njerëzit në çdo vakt pyesin “Hë mo! Ç’kemi nga Shqipëria”? “Prap me bomba molotov?”, “Si nuk u morët vesh një herë?”, “Qënkemi një popull që e dashkemi me dru”. I lesova këto grimca tek ndjek lajmet, dhe kur këto ditë po hidhet baltë mbi policinë. Policia e ka fajin që kohë më parë nuk u dogj Kryëministria dhe Parlamenti, dhe tani së fundmi u shëmb godina e Teatrit Kombëtar!. Po bëhen mbi tridhjet vjet që njolloset Policia e Shtetit. A e dinë këta “analist” se deri tani janë vrarë 474 policë e që janë shpallur Dëshmor të Atdheut. Djem si Allamani që u vranë në lulen e rinisë, gra që mbetën vejusha në moshën njëzetë vjeçare, dhe djem e vajza që nuk i njohën baballarët. Shumë nëna në 97- tën pësuan infrakt e vdiqën nga hidhërimi. Djali i Allaman Dervishit, Eriksi qe 4 vjeç kur ja vranë të atin. Ai tani është rritur si lis e me tufa me lule në dorë vete tek Autostrada, ku një rrugë dytësore mban emrin “Allaman Dervishi”. Kur Allamani u vra ishte 33 vjeç. Po pse kaq shumë helm mbi Policinë e Shtetit? Policët zëmërpetrita vazhdojnë të jenë qytetarët më të pafajshëm. Të pambrojtur, pa shtëpi, gratë si kanë në punë, kërcënohen nga politika, nga krimi dhe nga oligarkët. Edhe këto ditë në gërmadhat e Teatrit Kombëtar individ të papërgjegjshëm i kanosnin policët duke u thënë. – “Sa të marim pushtetin ju do t’ju heqim nga puna dhe do të mblidhni kanaçe në kazanët e plehrave”!. Ç’bëhet kështu? 30 vjet dhe i njëjti avaz. Shqipëria nuk drejtohet nga dinastitë. Pse Policia e Shtetit e ka fajin që u shëmb Teatri Kombëtar? Nëse një polic nuk zbatonte urdhrin SHKB – ja, e cila ishte po aty e arrestonte.

E tora fillin e gjalmit të këtij tregimi në kujtim të jetës dhe veprës së dëshmorit Allaman Dervishit. Duke gjurmuar jetën e Allamanit preka këto ditë varre policësh me epitafe ngjethës në vendet ku ata janë vrarë, shtëpi policësh që u është zënë dera me “driza”, fëmijë jetim që kanë përfunduar në fshatin Sos, vejusha të martuara nga halli, nuse te reja që u thinjën e u plakën para kohe, urrejtje dhe hasmëri me vrasësit, që ose janë në burgje, ose kanë ikur nëpër botë, libra dhe këngë të shkruara për trimat nga vet trupa e policisë, ditare vejushash si ai që shkruan gruaja e Allaman Dervishit, Selvia. Ajo zmadhon fotografitë e të shoqit e gjurmon çdo kujtim të tij. Ditën e martesës Selvien dhe Allamanin i ka shoqëruar një mikesha e Selvies, që quhej Barbara dhe ishte nga Roma e Italisë. Barbara punonte bashkë me Selvien në një fondacion në Fushë –  Arrës. Ajo e shoqëroi çiftin që nga Qafa e Malit e deri në Kryezi. Gjatë gjithë udhës malore ajo me një kamer ka fotografuar e filmuar motive të martesës. Por një ditë Barbara iku me gjithë kamer e materialet e çmuara. Allamani u vra dhe Selvia nuk po e gjen artisten nga Roma me emrin Barbara. Thuhet se punon me fondacionin e saj në Australi.  Selvia e kërkon. Në filmin e kamerës së saj ka diamante. Aty është dasma e Allamanit me Selvien. Barbara ka pasur dhe humor. Ajo i ka thnë Selvies në vendin e quajtur Livadhi i Hudhrave se “Allamani ka marë dy nuse”. Njëra ishte vet Barbara.

Biri i Kryeziut të Pukës Allaman Dervishi më 24 maj mbush 16 vjet që ra në krye të detyrës. Nga një soditje e çiltër e jetës së dëshmorit të policisë, parë nga këndvshtrimi i këtyre ditëve, kur në të gjitha ekranet përfiltet figura e policit,  e thuren një varg intrigash me gjuhën e përrallave qytetari ndihet keq. Janë rreth 474 policë që kanë rënë në krye të detyrës e të tjerë të mbetur invalid. Qindra familje i vuajnë tragjeditë e njerëzve të tyre ashtu siç e vuan dhe djali i dëshmorit Allaman Dervishi, Eriksi, i cili ishte vetëm 4 vjeç kur dora e krimit e la pa baba. Dëshmorët e Policisë së Shtetit janë pasuri kombëtare. Por pa asnjë grimë mëdyshjeje dhe e thënë fjalë për fjalë e me një vështrim të qartë në shpirt të gëlon urrejta kur gjykimet për detyrën e policisë mot pas moti grahet nga një gjykim i gabuar. I quajnë banditë për intersa të çastit. Harrojnë se ata kanë familje. I presin gratë dhe fëmijët në shtëpi. Mes atmosefrës së përpalsjeve policët nuk kanë energji mbinjerëzore dhe nuk i ndalojnë dot stuhitë e pasioneve politike. I godasin në krye të detyrës. Familjet tmerrohen se mos në protesta infektohen nga koronavirusi, ose i vrasin. Kronika e jetës së tyre ashtu si dhe jeta është e përkorë. Policia pavarësisht nga forca politike që vjen në pushtet ajo është në krahun e duhur. Meret me zbatimin e urdhërit për ruajtjen e rendit. Polici i thjeshtë nuk ka asgjë në dorë. Nëse prishet e a nuk prishet Teatri Kombëtar kjo s’është punë e policit. Polici i zakonshëm  në gërmadhat e teatrit është në betejën ekzistenciale për të marë rrogën, të siguroj vendin e punës, të ruhet se mos e arrestojnë kur nuk bën detyrën. Ata nuk duan t’ja dinë për partitë, por jetojnë në absurdin e një kohe të mallkuar.

Po çfarë i ndodhi Allamn Dervishit 16 vjet më parë?. Në orën 2 pas mesit të natës të datës 24 maj 2004, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, e informon patrullën që ishte në detyrë e drejtuar nga Allaman Dervishi, se nga Durrësi drejt Tiranës po udhëtonte me shpejtësi një autoveturë e që drejtohej nga keqbërës, të cilët e kishin grabitur dhe kishin marë peng një qytetar. Nuk vonoi dhe në hyrje të Tiranës, tek Kthesa e Kamzës, patrulla që drejtohej nga Allaman Dervishi përballet me autoveturën, e përshkruar nga Salla Operative Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, dhe në segmentin e rrugës afër doganës e ndalojnë atë në bazë të urdhrit të dhënë. Natyrisht që Allamani në bazë të rregullores me të marrë informacionin, i ndau detyrat dhe u zu prita. Në këto rrethana, autovetura e drejtuar nga keqbërësit u detyrua të ndalohej. Allamani sipas urdhrit u kërkon dokumentet. Keqbërësi, i cili kishte kryer vepër penale në Durrës dhe që ishte mbi timon dha autorizimin, kurse bashkëpunëtori i tij doli nga autovetura pa të keq dhe hapi zjarr. Tragjedia ishte fatale. Thënie të pjesshme, dëshmi të gjymtuara, zëra të shkëputur nga kalimtarët e rastit, siç ngjet në balada e thonë me plot gojën se pas plagëve të rënda, Allamani është çuar, ka belbëzuar emrin e të vëllait Bilbilit,  dhe të djalit të vetëm, Eriksit. Në çastin më tragjik të jetës është përpjekur ta përballoj sfidën e fundit, ta kapërcejë me një hap luginën e Kryeziut, Arën e Epërme e të fluturojë mbi Kunorën e Dardhës në Pukë. Nuk duhet të vdes ka thirrur ai. Po vdiqa i humba të gjitha. E lashë Eriksin fillikat të parritur në mes të Tiranës dhe nusen Selvien vajzë të re. Në mes të furisë tragjike, ku kaosi dhe anarkia bënin ligjin, në autostradën e përgjakur nga plumbat ka mundur me dorën e majtë të ndalojë gjakun në plagën e kraharorit, ku i kishin dalë plumbat. Vet ishte i ri, plot 33 vjeç. Sapo kishte krijuar familjen dhe ajo që ishte e llahtarshme linte në vetmi djalin, Eriksin 4 vjeç dhe bashkëshorten shumë të re. Ai, Allamani zë ëmbël, që gjithë jetën kishte kënduar këngët e kreshnikëve, kur helli i plumbave ia ka përshkruar trupin, sigurisht që ka menduar sesa e rëndë do të ishte kjo vdekje për nënë Gjylën, për fisin e për miqësinë.

Allaman Dervishi, në mes të liqenit me gjak, e ka kuptuar se nuk mundej të realizonte asnjë nga ëndrrat dhe shpresat. Të gjitha pikëpyetjet, në pak sekonda për të mbijetuar janë shuar. Mjerisht kishte triumfuar dora e krimit. Meteori i Kryeziut ka dhënë shpirt, sigurisht shumë i brengosur e me një lëngatë të madhe. Por siç ndodh me diamantet e margaritarët Allamani ka ikur siç ikin kreshnikasit me gjëmime të mëdha, i ndjekur nga trimëritë, bëmat, baladat, tregimet, legjendat, këngët e fjalët e urta, të cilat vërtiten çdo ditë mes miqve dhe shokëve të Komisariatit të Policisë Rrugore të kryeqytetit.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *