Homazh Luan Shahut, specialistit të shquar të bujqësisë

DITA Online

Loni Çuko

Dje u nda nga jeta në moshën 88 vjeçare Luan Shahu, një nga emrat e njohur të bujqësisë sonë në vite, një nga profesionistët më të mirë të saj.

Shkollën  fillore dhe unike ai e kreu shkëlqyeshëm në vendlindje në Gjirokastër. Fill mbas mbarimit të shkollës 7-vjeçare familja transferohet në Tiranë, ku vazhdoi teknikumin bujqësor dhe kjo për arsyen  e vetme se rridhte nga një familje me origjinë tregtare. Në vitet e para pas lufte, u hapën mundësi për studime në vende të tjera me gjendje e nivel shumë më të zhvilluara. Kështu, në kontingjentin e parë të studentëve, për t’u përgatitur jashtë nuk kishte si mos përfshihej edhe nxënësi i shkëlqyer me prirje matematike Luan Shahu. Në Hungari, në një grup me shokë të tjerë filloi studimet në Universitetin Bujqësor të Budapestit. Studimet universitare Luani i përfundoi me shumë sukses dhe, për më tepër, duke lënë emër për aftësitë e tij në fushën e mekanizimit.

Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1955 kthehet në atdhe dhe emërohet në Stacionin e Makinave e Traktorëve (SMT) të Tiranës. Veç punës së zyrës atë e hante meraku për atë që kishte studiuar, tokën dhe bimën. Toka në Shqipëri në kushtet e një bujqësie primitive ishte e pa sistemuar, e pa trajtuar shkencërisht, ndaj më parë duheshin studime, e mandej aksione konkrete.

Projektin që kishte në kokë, e hodhi në letër dhe me kompetencë shkencore skicoi rrjetin e kanaleve kullues, kolektorët kryesorë, kanalet e para, kanalet e dyta dhe derdhjet. Për të shpëtuar përmbytjet e fushës nga ujërat e kodrinoro-malore u mendua  dhe u ndërtuan kanalet e pritjes të ujërave të larta.

Të gjitha sa u thanë Luani me insistim i drejtoi dhe i materializoi ato në shumë ekonomi dhe rrethe të vendit si Tiranë, Krujë, Durrës dhe deri në Sarandë e Tropojë. Që kjo përvojë të ndihmonte  dhe të zbatohej nga vetë specialistët e çdo ekonomie, ai si bashkautor me specialistin e shquar Andrea Shundi botojnë një libër me vlera  shumë praktike për sistemimin e tokave. Për çdo gjë të re që kërkonte të bënte Luani, asnjëherë nuk e la lapsin pajisjeve. Lapsi i Luanit ka qenë i pranishëm kudo dhe kurdoherë, ku duhet të tregohej se çfarë duhej bërë dhe cili do të ishte  rezultati ekonomik i pritshëm, sidomos kur punoi në Ministrinë e Bujqësisë dhe në Komisionin e Planit të Shtetit.

Për vlerat si drejtues flasin qarte rezultatet që u arritën në periudhën që ai ushtroi aktivitetin si shef i bujqësisë  dhe që vazhduan e u konfirmuan në rritje edhe në pozicionin e zv/kryetarit të Komitetit  Ekzekutiv që mbulonte bujqësinë e tregtinë për Tiranën. Ne këto vite Luani drejtoji organizimin e përqendruar e të specializuar të prodhimit të perimeve të freskëta, ku rezultatet u ndien menjëherë nga vetë konsumatori. Përmirësimi në rritje u ndje më shumë me zgjerimin e sipërfaqeve të mbuluara si, serrat me xhama me ngrohje, importuar nga Holanda dhe diellore dhe me masive serrat e mbuluara me polietilen.

E pashë me vend që së pari të flisnim për vlera si  specialist, se në mendjen e njerëzve në rrethin e Tiranës ka mbetur një burrë me personalitet dhe drejtues shumë i aftë, ku spikati si kryetar në kooperativën e Baldushkut të Tiranës, shef i bujqësisë dhe zv/kryetar i komitetit ekzekutiv.

Luan Shahu, në gjithë karrierën e tij nuk e ka njohur lepe-peqen. Në të gjitha konferencat kombëtare, seminaret, konsultat apo analizat që mbaheshin e drejtoheshin nga pushtetarët e lartë ra në sy kompetenca e lartë shkencore, që shumë drejtues të lartë ia njohën dhe ia vlerësuan. Kështu, p.sh,  Abdyl Këllezi, ish-kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe një ekonomist kompetent që mbështeste futjen e të rejave në ekonomi, konsultohej shpesh me të. Po kështu marrëdhënie të mira dhe frymë mirëkuptimi kishte edhe me Koço Theodhosin, ministër i Industrisë së Rëndë dhe Minierave për mekanizimin në bujqësi. Si mund ta vlerësosh ndryshe qëndrimin e tij të prerë, se tufëzimi duhet të bëhej vetëm kur të sigurohej baza ushqimore, me plane të detajuara dhe jo kuturu, siç u bë. Qëndrimin e tij për këtë çështje ai e mbrojti përballë komisionit të ardhur direkt nga Komiteti Qendror i Partisë, i drejtuar nga një anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Sekretariatit, pasi në rrethin e Tiranës për procesin e  tufëzimit kishte zvarritje. Këtë e tregon edhe telefonata e bërë nga zyra e tij në pushimin e takimit, nga sekretari i parë i Tiranës, Foto Çami direkt me njëshin e Shqipërisë, Enver Hoxhën. Kur i tha Fotua Enver Hoxhës se ç’mendim kishte Luani, ai i tha se Luani ka të drejtë dhe ata të tjerët të kthehen nga janë nisur. Duhet të pranojmë se si në gjithë Shqipërinë fenomeni “tufëza dhe arëza” shkatërruan ekonominë shqiptare, jo më pak edhe në Tiranë.

Me përgjegjësi dhe me kompetencë Luani drejtoi dhe ndërmarrjen e tregtisë së jashtme “Agro-eksport” për vitet 1986-991, periudhë e vlerësuar me arritjet më të mira, e krahasuar me vitet e mëparshme. Në vitet e pluralizmit ai  ishte i pari që organizoi biznesin e parë privat për eksportin e bimëve mjekësore që për një dekadë u konsiderua nga me të suksesshmit. Për të gjitha këto ai la një emër të respektuar te të gjithë që e njohën dhe punuan në vite me të.

 

v.l/ Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *