Homazh për Atjonin

redaktor

Më fal Visar e Atjon që nuk të takova. Të më ndjeni. Në këto ditë të para të vitit të ri 2015 kur Atjoni na përshëndet me engjëjt, bashkë m’u kujtua ngjarja. Dashamirës të veprave të Visar Zhitit i kërkonin me ngut disa libra të tij që s’më ndodheshin. Shko te shtëpia e Visarit,- më tha djali im. Ajo ndodhet diku te Iliria. Djali e njihte mirë Visarin, kish punuar me të. Shkova. U ula në një tavolinë dhe po prisja.

Ai erdhi. Nuk më vuri re, por i përqafuar me Atjonin guguriste e qeshte me mall (aty mësova se ai ishte djali i tij Atjoni). Porositën diçka për të ngrënë dhe aty unë u mpiva. Ata, Visari dhe Atjoni ushqenin njëri-tjetrin. Si dallëndyshja me të voglin ose mjelma me zogun.

I lashë me paqen e belbëzimit dhe heshturazi u largova. Po mëkonin njëri-tjetrin. Djali im, kur i tregova ngjarjen, më foli:- Mirë bëre që nuk i takove, kishin momentet më të bukura. Librat e Visarit do t’i gjej unë,- përfundoi djali im i vetëm. Për këtë të më falësh Visar.

Unë e lexova falënderimin e familjes tuaj për ne njerëzit që ju duam. Lexova dhe materialin e Atjonit. U befasova me dashurinë e Atjonit dhe zellin e tij. Visar i dashur. Bëra dhe një studim për emrin Atjon se ju s’kishit rast e kohë për ta shpjeguar. Ndoshta e kam gjetur. Këtë emër unë do ta mbaj gjatë në tru sa të kem frymë. A mos vallë është fillimi i një lutje të besimit që fillon “O Ati Jon”? N.q.s nuk është kjo, duhet të jetë te Homeri. Kur Odisea ka verbuar ciklopin e ai kërkon ndihmë, thotë: Lutju atëherë për ndihmë Atit tonë dhe mbretit Posejdon.

Çfarëdo rasti të jetë, fenomeni ATJON do na mbajë gjallë. Gjëmat e mëdha ndodhin edhe në shpirtrat e trazuar. Çajupi e quajti kupa më e madhe e fatkeqësisë. Atjonin nuk ta zëvendëson kush, por janë shumë që të rrinë pranë Visar, shumë, shumë, jam dhe unë që të flasim me zemër.

 

Letër e nënshkruar

Vasil Puci

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *