Nga Xhevdet Shehu
Është ndarë nga jeta në datën 18 dhjetor poeti Zoi Dashi. Lajmin e bëri të ditur në fejsbuk poeti fierak dhe miku i tij Petraq Kote, ku natyrshëm shprehte dhimbjen therëse për një poet të talentuar, për një mik të vjetër dhe për një njeri që përshkoi një jetë plot peripecira. Ndër të tjera ai shkruante: “Iku Zoi që të bërtiste, “…sa herë zgjedh (politikisht), mos zgjidh zgjedhën!” ai, që mërmëronte nëpër rrugët e Athinës, “…s’ po shoh ndonjë të njohur ta pyes për emrin tim!” ai, qe “tregonte”, “…kur isha i ri, koha ishte plakë”, iku Zoi (Jetë) Dashi ai që nuk e plotësonte shpirtërisht, ekonomikisht as “atdheu as njerkëdheu”, iku ai, ai që zihej me veten, me qiejt, se donte token përmbi…”
Zoi Dashi u nda nga jeta në moshën 68 vjeçare ndërsa botoi një sërë librash cilësorë me prozë dhe poezi. Ndër ta unë do të veçoja vëllimin poetik “BOTA” dhe romanin “Nga njerkëdheu në atdheburg”.
Vëllimi “Bota” është një libër vërtetë poetik, i mbushur me poezi me vlera të spikatura, që shquhen për thellësi mendimi dhe përgjithësimi artistik. Është një këndshikim poetik i botës që jetojmë, me të gjitha problemet, hallet dhe bukuritë që ajo mbart. Zoi Dashi arriti të na japë një vëllim të bukur me poezi, si dhe një dëshmi të pjekurisë dhe individualitetit të tij artistik. Këto poezi ke qejf t’i lexosh dhe rilexosh, t’i mbash mend dhe t’ua përcjellësh të tjerëve. Duke medituar mbi nëntekstet dhe mbitekstet e ideve të shprehura poetikisht, shumë gjëra të vijnë në mendje dhe lexuesi natyrshëm bashkohet me poetin dhe shqetësohet e vuan si ai për fatet e kësaj bote.
Poetët janë dukur të lodhur, të rraskapitur, madje dhe të përbuzur. Emfaza dhe ekzaltimi i tyre për t’i kënduar si dikur me pathos atdheut dhe botës që na rrethon ka pësuar një rrënim tronditës. Ky është realiteti, një realitet i ashpër që shpesh mbyt dhe eklipson të bukurën, të brishtën, poezinë. Jam tejet i lodhur, thotë diku me dhimbje Zoi Dashi. Dikur për të mbijetuar Zoit iu desh të tjetërsohet, të marrë rrugët e mërgimit e të kryejë andej punë nga më të rëndomtat.
Ky mësues i pasionuar i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe një poet i talentuar, mori rrugët e Greqisë dhe pa e preku nga afër një realitet tejet tronditës, herë i uritur e herë i dehur mes njerëzish turlisoj… Këtë përvojë kurbeti, të tijën dhe të mijëra e mijëra të tjerëve, Zoi e ka plazmuar mjeshtërisht në poezitë e bukura dhe të dhimbshme të këtij vëllimi si dhe në krijime të tjera.
Mirëpo poeti mbeti poet te Zoi edhe në rrethanat më të vështira, edhe kur i duhet të luftojë për bukën e gojës: gjurmët e përgjakura të refugjatëve mbi dëborë i ngjajnë si hartim i korrigjuar (Ecim prapë mbi borë e akull/ Vija gjaku pa mbarim/ Prapa nesh udhë e përgjakur/ Korrigjuar si hartim…).
Në Athinë ai ndodhej njëherësh sa midis bashkatdhetarëve refugjatë të vuajtur e të lodhur, të poshtëruar e të përbuzuar, aq edhe në shoqërinë e kolosëve të letërsisë: Eskilit, Homerit, Elitisit, Kavafit, Kadaresë… Vetëm kështu duket se ruajti shpirtin e dhembshur, ndjeshmërinë e hollë të poetit. Ai këndoi e vajtoi shqip në dhe të huaj, (njerkëdhé, e quan poeti dheun e huaj në një nga poezitë), ndërsa i dhemb për vuajtjet e atdheut dhe e do dyfish atë, urren e mallkon fatin e tij të keq, por drithërohet nga një cicërimë zogu a një xixëllonjë.
Poezia “Bota” (e cila i ka dhënë titullin librit) është padyshim një nga më të arrirat e vëllimit, një poezi antologjike do të thoja, me një përgjithësim të lartë sa poetik, aq edhe filozofik e shoqëror. Kjo botë është ndërtuar shtrembër, konstaton dhe rebelohet që në vargun e parë poeti. Natyrisht e ka fjalën për konstruktin shpirtëror të botës, për mënyrën se si qeveriset, si është organizuar dhe funksionon jeta në shoqëri. E, në këtë botë, sipas poetit, më së shumti të drejtët, të talentuarit dhe të ndershmit udhëhiqen, shfrytëzohen e nëpërkëmben nga horrat, banditët, mafiozët… Dhe, aq shumë zhgënjim e zemërim ka poeti, saqë i duket se bota kështu ka qenë e kështu do të jetë, kështu ka ecur nga shekulli ne shekull, nga një sistem shoqëror në tjetrin. Dhe ai ka bindjen se veç topallët nuk çalojnë/ në këtë botë të ndërkryer. Ata, topallët pra, bëhen shefa, drejtorë, ministra e ambasadorë. Ndërsa intelektualëve u duhet të rropaten për të siguruar bukën e gojës, shpesh edhe të tjetërsohen duke u bërë shërbëtorë të maskarenjve. Ja pra pse është ndërtuar shtrembër bota!
Zoi ishte aq i mençur sa të kuptonte sekretet e fjalës së shkruar, të dallojë artin nga e rëndomtja, vlerën nga antivlera, të bukurën nga e shëmtuara. Sepse ai është poet dhe poet mund të jesh edhe me disa poezi, edhe me një libër të vetëm. Disa tituj librash janë të mjaftueshëm për të dëshmuar talentin që kishte.
Konstantin Kavafis, një nga kulmet e poezisë greke jetoi plot shtatëdhjetë vjet dhe nuk arriti në të gjallë të botonte një vepër të plotë të tij. Botoi dy-tre herë nja dy-tri cikle me disa dhjetëra kopje të cilat ua falte miqve të tij. Dhe është ai që është…
Zoi Dashi është një poet i shqetësuar. Është i shqetësuar për botën, shoqërinë dhe fatet e njerëzve që e rrethojnë. Ndryshe nuk do të kishte atë nerv në poezitë e tij. Në këtë mënyrë ai shprehu angazhimin në shoqëri, edhe kur dukej se e kishin mënjanuar të gjithë. Sepse, si poet, si qytetar dhe intelektual, ai e ndjente veten përgjegjës për fatet, mbrothësitë dhe prapësitë e kësaj bote.
Është i natyrshëm këtu pesimizmi, por vetë angazhimi i poetit për ta ndryshuar atë duke denoncuar mangësitë e botës ngjallte shpresë.
Në vijim po botojmë një nga poezitë e Zoit, shkëputur nga vëllimi ‘BOTA’.
Marshi i idiotëve
Zoi Dashi
Pas lodhjesh, mundimesh e vuajtjesh pa fund
Tek turmë e idiotëve u futa dhe unë.
Kaq vite punoj natë-ditë, orë pa orë,
Jam njësh me idiotët, i them këmbës dorë.
I lumtur?, do pyesni. Mos flisni përçart.
A ka më të lumtur se sa injorant.
Tani trutë e mia mendime nuk kanë,
Eh, ç’dreq i do mentë, as qentë nuk i hanë!
Tallaze në shpirt s’më vlojnë si dikur,
Poeti ka vdekur prej kohësh tek unë.
Unë vetë, për çudi,marr frymë sërish,
Jam varr që ecën, qivur poezish.
Më, brenga e tjetrit, s’më prek, s’më trishton,
Kambana memece s’këndon e s’kumbon!
Pranë gotës së verës, iskit, rakisë,
Pas punës së lodhshme tavernash Greqisë…
… Mes turma idiotësh, jam kryeidiot,
Të pimë, pra, i nxis, si miq e si shokë.
Të gjithë ata, gotat i ngrenë në revan:
Dollinë do ta pimë për ty, kryetar.
I kthejnë, pra, për mua gjithë pompë, trokëllimë…
Kortezh i përmortshëm, i trurit varrim!
Kuptoj për një çast dhe sytë plot me lotë
Më derdhen në faqe, s’përmbahem më dot.
Vajtoj unë vetveten, kopeja përreth
Asgjë nuk kupton nga brengat, veç qesh.
Tani s’besoj më, sepse tek unë zoti
Varrosi poetin dhe kultivoi idiotin.
Sepse poetët së pari kanë varr
Fletën e pashkruar, fletën e bardhë.
Mbi të dorëdridhur, zhytur në trishtime,
Shkruaj ditëlindjen dhe ditëvdekjen time.
Tronditur, pa dashur, unë gotën rrëzoj
E turma gajaset: me se do luftoj?!
I dehur, për gryke, një shishe përfshij;
Kopesë së idiotëve parreshtur i prij…!
Të nesërmen në punë, dhemb koka, o zot,
Domethënë kanë mbetur dhe3 ca mend në kokë.
Në mbrëmje i therim kasapçe tek pimë
Në marsh funeral: Çintelektualizim!
Athinë, shkurt 2001
Fantastik!!!
Mbi realitetin e jetes se kesaj nbote!
Tani s’besoj më, sepse tek unë zoti
Varrosi poetin dhe kultivoi idiotin.
Ngushllime poetit fantastik i njohjes se rrealitetit te kesaj bote te zymte e te cuditeshme.
Ngushëllime familjes!
R.I.P!
Ngushellime familjes . I pa harruar qofte kujtimi i mesuesit te letersise ne Patos , Zoi Dashi.
Ngushellime familjes .I pa harruar kujtimi i mesuesit Zoi Dashi ne Patos .
Prehu ne paqe vella ! Poet dhe njeri fantastik ! Vlere per Fierin !
Portreti i te ndierit Poet Mesues Zoi Dashi na i thote te gjitha,Nje engjell qe me shume i flet vepra.e tij..
.I perjetshem kujtmi i Tij.Si ne ender perfytyrao ate ne Athien a me mire ne Lokalet rreth Omonias,Ai kryefjale ne bisedat e dhimbeshme emigrantesh, ne ato vite,qofte largu,deri perjetuar ate eksodin e tmershem masiv nga autoritete greke.Mos u kthefte ajo kohe..
Ngushellime per Te te gjitheve, me familien se pari, humbur ate, se pari-NJERI . Rofshin dhe e kujtofshin
Ngushellime nga Tejoqeani mergimtar..
Kolegu ato vite,emigrant pesionist 83 vjecar
Dhimiter Xhoga.