Eshtrat e drejtuesit shqiptar që u vetëshpall mbret tashmë do të prehen në atdhe. Pas 51 vjetësh, Ahmet Zogu do të ketë varrin në vendin që e drejtoi për më shumë se 14 vjet. Dje familja mbretërore hapi dyert për homazhe me kthimin e eshtrave të Zogut nga Parisi. Princi Leka i shoqëruar nga familjarë si dhe nga përfaqësues të Lëvizjes së Legalitetit, kanë drejtuar ceremoninë që nisi nga banesa e familjes mbretërore për të vazhduar në Pallatin e Brigadave. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të politikës dhe shtetit shqiptar ndërsa kanë munguar përfaqësues të opozitës. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga si dhe presidenti shqiptar, Bujar Nishani, vlerësuan kontributin e mbretit Zog, në procesin e shtetformimit të Shqipërisë. Ceremonia ka vijuar me vendosjen e eshtrave të ish-Mbretit Zog në mauzoleumin e Familjes Mbretërore. Krahas personaliteteve më të larta nga Shqipëria dhe Kosova kishte ardhur edhe zëvendëskryeministri i Hungarisë, vend nga ku kishte origjinën edhe Princesha Geraldinë.
Berisha për Zogun
Kryeministri Sali Berisha foli për mediat pas homazheve të zhvilluara tek eshtrat e ish- Mbretit Zog. “Sot shqiptarët përulen para një prej figurave më të shquara të historisë kombëtare,” deklaroi Berisha, duke shtuar se “shqiptarët përulen para burrit që jetësoi pavarësinë e Shqipërisë. Është koincidencë e mrekullueshme që ai kthehet sot në ditën e çlirimit të Tiranës. Tirana kryeqytet është vepër e këtij burri. Ahmet Zogu nderohet sot nga gjithë shqiptarët për kontributin që dha në ndërtimin e shtetit shqiptar. Ahmet Zogu do të nderohet nga shqiptarët për kontributin që dha në zhvillimin dhe konsolidimin e vokacionit perëndimor të shoqërisë shqiptare,” u shpreh Berisha. Princ Leka, në emër të Familjes Mbretërore ka falënderuar pjesëmarrësit, duke u shprehur se kjo është një ngjarje historike në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë. “Rishikimi i historisë së popullit tonë nuk fillon dhe mbaron sot. Është një proces ende i gjatë dhe i vështirë për të zbuluar me objektivitet të vërtetat historike. Rindërtimi i mauzoleumit ka një rëndësi jo vetëm për Familjen Mbretërore, por për të gjithë kombin shqiptar”, tha Princ Leka. Pas dorëzimit të Flamurit Kombëtar nga truproja e nderit Princit Leka, arkëmorti me eshtrat e ish-Mbretit Zog është vendosur në ambientet e brendshme të mauzoleumit, duke plotësuar kështu një dëshirë jo vetëm të pasardhësve të monarkisë shqiptare, por edhe mbështetësve të tyre.
Rivarrimi, Nishani: Ia kishim borxh Zogut
Presidenti Bujar Nishani tha se Ahmet Zogu ishte i pari mbret real i shqiptarëve, paçka se për figurën e tij ka diskutime të ndryshme. Historia jonë ka nxjerrë jo pak njerëz të shquar, luftëtarë, princër, mbretër, madje edhe perandorë. Një numër prej këtyre qenë të tillë kur Shqipëria nuk ishte ende shtet, dhe shumica e tyre në atdhe të huaj. I pari dhe i vetmi mbret i Shqipërisë shtet është Ahmet Zogu, eshtrat e të cilit po rivarrosim sot. Për një periudhë kohe, vendi pati një mbret real. Mbret i një Shqipërie që aspironte por nuk kishte vetëdije politike, rend dhe praktikisht asnjë infrastrukturë. Mbreti ynë shtetin e bëri vetë. Ahmet Zogu ka lënë pas një diskutim të gjerë mes palëve, por ai është një prej figurave kryesore të historisë shqiptare. Ai premtoi të sjellë rendin dhe progresin, këtë synoi dhe nisi të bënte. Ai nisi ta bënte Shqipërinë shtet me atributet e një shoqërie ku sundonte qytetërimi. I dha shtetit shqiptar Kodin Civil dhe Penal që mungonin, krijoi administratë të efektshme gjyqësor të besueshëm, luftoi fanatizmin, krijoi kushtet për lirinë e shtypit, forcoi monedhën, shtroi premisat për një shtet modern. Nëse në celebrimin e Zogut si mbret rreth orës 17.00 të ’28-s, kishte pak gazetarë, lajmi i krijimit të monarkisë shqiptare nuk kaloi pa u vënë re. Nëse në varrimin e tij larg Shqipërisë morën pjesë pak njerëz, ajo që ai bëri për Shqipërinë nuk u harrua”, tha Nishani.
Jahjaga: Po vendoset drejtësia hyjnore
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke vlerësuar kontributin e Ahmet Zogut në konsolidimin e shtetit shqiptar, tha se kthimi i eshtrave të tij në atdhe simbolizon drejtësinë hyjnore dhe paqen politike. “Prehja në tokën tonë e atyre që u përpoqën për shtet ndërtimin është një amanet i mbetur peng që ne duhet ta kryejmë me nder e krenari. Me këtë dëshmojmë urtësinë duke fituar qetësinë shpirtërore si njerëz dhe komb, duke pasur respekt për punën e prijësve tanë. Shqipëria në udhëheqjen e naltmadhërisë nga një vend i varfër e i pazhvilluar, fisnor e i përçarë u bë një vend modern i kohës, me shtrirje të pushtetit dhe administratës në secilin cep, me tolerancë fetare, shembull për vendet e tjera. Me qeverisjen e tij ndërlidhjen datat më të rëndësishme, që nga shpallja e pavarësisë në Vlorë, luftën në mbrojtje të Shkodrës, duke përzënë trupat malazeze, serbe, greke, italiane dhe trupat e tjerë të huaj nga territori i shtetit, në zbatim të vendimeve të kongresit të Lushnjës. Zogu dhe gjithë populli i pritën me gjithë zemër kosovarët e përzënë nga vendi i tyre, respektoi tolerancën fetare. Eshtrat e patriotëve nuk i tret dheu i huaj dhe guri i rëndë peshon në vendin e vet”, tha Jahjaga.
Rivarrosja në Mauzoelum
Rreth orës 12.05 makina funebre u nis drejt Mauzoleumit të familjes mbretërore, i cili u përurua dje në një ceremoni të veçantë me praninë e Presidentit Nishani, Kryeministrit Berisha, Kryeparlamentares Topalli dhe presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga. Kjo ceremoni nisi me fjalimin e pjesëtarit i Familjes Mbretërore Princi Leka,e cila u pasua nga një fjalim i presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe në fund nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Ceremonia e vendosjes së eshtrave në banesën e fundit u shoqërua me të shtëna nga pushkatarët e Ministrisë së Mbrojtjes.
Opozita nuk merr pjesë në ceremoninë për Zogun
Opozita ka vendosur kurora tek “Ushtari i Panjohur” në përkujtim të Dëshmorëve dhe atyre që luftuan për çlirimin e kryeqytetit. Më pas axhenda e tyre do të vijojë në hotel “Tirana” në një konferencë me historianë, ku do të sillen fakte historike mbi luftën për çlirimin e kryeqytetit, por edhe vlerësimin që politika i ka bërë vazhdimisht asaj. I vetmi nga mazhoranca që është kujtuar për çlirimin e kryeqytetit ka qenë kryebashkiaku Basha, që ka bërë homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Po valixhet me flori i solli??
Turp i madh per Shqiperine dhe shqiptaret kjo qe ndodhi sot
vetem ZOMBIT nderojne te vdekurit dy here. i nxjerrin nga varri e bisedojne me ta. ku je o drite e DIELLIT ti djegesh zombit!
Lere nje vend per varrin tend afer Mbretit ,o Sali keshtu qe kur te shurrosin njerin tjetri ti marre ere,skizofren i koheve moderne.