Shumë protestues, të shqetësuar nga rritja e ndikimit të Kinës në Hong Kong po kërkojnë gjithashtu edhe dorëheqjen e zonjës Lam. Protesta e së dielës ishte paqësore, ndryshe nga ajo e së mërkurës së kaluar që solli përplasjen e policisë me protestuesit dhe shkaktoi dhjetëra të plagosur.

Fillimisht protestuesit të veshur me bluza të zeza dhe me lule të bardha në duar, u mblodhën në sheshin Viktoria.

Vonë në mbrëmje sipas orës vendore të Hong Kongut, organizatorët llogaritën se të paktën dy milionë vetë morën pjesë në protestë.

Protestuesit ecën me ngadalë dhe bllokuan shumë rrugë dhe stacione metrosh.

Shumë vetë mbanin lule të bardha në duar, një simbol për të nderuar kujtimin e një protestuesi që ra nga lartësia e një ndërtese ndërsa po përpiqej të vendoste aty një pankartë me thirrje kundër projektligjit për ekstradimin.