Një ditë pas protestave të dhunshme, Hong Kongu po i rikthehet normalitetit. Por dhunimi i parlamentit lokal ka shqetësuar Pekinin. Për më tepër, tensionet në Hong Kong po shqetësojnë edhe Tajvanin që do të mbrojë lirinë dhe pavarësinë aktuale.
Një ditë pas protestave të dhunshme të aktivistëve pro demokraci dhe kundër Kinës, në Hong Kong po rikthehet normaliteti. Ndërsa punonjësit po mundohen të fshijnë shenjat e protestës të së hënës, të martën gjendja pranë parlamentit lokal paraqitet e qetë.
Megjithatë reagimet për protestat e një dite më parë ishin të shumta. Kina akuzoi protestuesit që sulmuan parlamentin e Hong Kongut si përgjegjës për kryerjen e “veprimeve të rënda joligjore”.
Kujotjmë se si Dita ka raportuar, një grup aktivistësh pushtuan për disa orë Këshillin Legjislativ të Hong Kongut ditën e hënë, teksa protesta kishte për qëllim të protestinte kundër qeverisë vendase pro-Pekin në ditën e përvjetorit të kthimit të rajonit të posaçëm administrativ nën sovranitetin e Kinës.
Qeveria kineze u bëri thirrje autoriteteve të qytetit për të hetuar “përgjegjësinë kriminale të cenuesve të ligjit”, ndërsa protestuesit këmbëngulin se nuk do heqin dorë nga mbrojtja e autonomisë së Hong Kongut.
Ndërkohë përplasjet mes protestuesve dhe autoriteteve në Hong Kong po shqetësojnë Tajvanin. Autoritetet e ishullit të vetëqeverisur, druhen se do të kenë të njëjtin fat me Hong Kongun, në rast të bashkimit me pjesën kontinentale të Kinës.
e.ll./dita
