“Hoteli i Finit”, përmbledhja me 10 tregime të panjohura të Xhojsit

anazapta

Dhjetë tregime të shkurtra të shkrimtarit të njohur irlandez Xhejms Xhojs (1882-1941), të shkruara 6 muaj pas përfundimit të “Uliksit” kanë parë dritën e botimit nga shtëpia botuese “Ithys Press” në vendlindjen e autorit. Tregimet janë mbledhur në vëllimin “Hoteli i Finit” dhe janë prezantuar si “zbulimi i fundit i sigurt” i autorit të veprës “Dublinasit”.

Tregimet janë shkruar në vitin 1923 dhe janë plotësuar nga autori edhe me skica të vogla në dorëshkrim. Sipas shtëpisë botuese, subjektet variojnë nga mitologjia te historia e Irlandës, nga legjenda e Shën Partikut e deri te historia e Tristanit dhe Izoltës.

Botimi është një edicion i limituar, i rezervuar vetëm për koleksionuesit e librave të rrallë. Vëllimi është i disponueshëm në dy versione: ai i luksit për 2500 euro dhe një tjetër me numër serie për 350 euro. Shtatë prej tregimeve janë zbuluar 20 vjet më parë, ndërsa tre të tjerë dolën në dritë në 2004-n.

Akademiku irlandez, Denis Rose, njohës i mirë dhe studiues i Xhojsit, pati shfaqur dëshirën për t’i botuar shtatë tregimet e shkrimtarit të madh që në vitin 1992, por fondacioni që gëzon të drejtat e autorit të Xhojsit e hapi një betejë ligjore që përfundoi me refuzimin e kërkesës së Rose. Por tashmë që prej dy vjetësh, të drejtat e autorit mbi veprat e Xhojsit kanë hyrë në domenin publik, Denis Rose është kujdesur për përmbledhjen me tregime “Hoteli i Finit”, e cila sipas tij është një vepër e papërfunduar që përfaqëson një prej zbulimeve letrare më domethënëse.

Titulli i përmbledhjes me tregime vjen nga emri i hotelit ku punonte vajza që më vonë do të bëhej gruaja e shkrimtarit, Nora Barnacle. / Gazmira Sokoli

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *