Alban Hoxha i fton të gjithë tifozët e Partizanit të jenë në mbështetje të skuadrës së zemrës në derbin e radhës me Tiranën, pasi kjo situatë e vështirë që po kalojnë 15 herë kampionët e Shqipërisë mund të lihet pas vetën nëse të gjithë komponentët në kampin e kuq qëndrojnë të bashkuar.
“Kur vjen pas një humbjeje gjithnjë është e vështirë, sepse ndikon edhe në moralin e skuadrës. Në këtë derbi kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve sepse vetëm të bashkuar e kalojmë këtë situatë”, thotë Hoxha.
Portieri i Partizanit e pranon se në dy muajt e fundit nuk ka kaluar një formë të mirë për arsye dëmtimi, por edhe faza mbrojtëse nuk ka funksionuar si në pjesën e parë të sezonit.
“Kam kaluar një periudhë të vështirë edhe në aspektin personal. Për shkak të një dëmtimi muskulor kam sakrifikuar shumë gjatë dy muajve të fundit por edhe mbrojtja apo e gjithë skuadra nuk ka qenë mirë psikologjikisht”, theksoi gardiani i të kuqve.
Hoxha beson se Partizani është ende në garë për titullin kampion, ndërsa mbetjen jashtë Kupave të Europës e konsideron dështim të plotë.
“Ne besojmë se mund ta rikuperojmë diferencën me kryesuesit. Nëse i marrim ndeshjet një e nga një, asgjë nuk është e pamundur. Nëse nuk arrijmë të luajmë në Europë sezonin e ardhshëm atëherë do të ishte një dështim total”, theksoi Hoxha.
Për derbin me Tiranën trajneri Shpëtim Duro nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Amir Rrahmani për arsye pezullimi, ndërsa i janë bashkuar skuadrës në stërvitje Dorian Bylykbashi dhe Astrit Fazlliu.
