Për Partizanin ka nisur një muaj vendimtar, pasi skuadra e kuqe do të zhvillojë një tur force brenda pak javësh. Gjithçka nis me transfertën e vështirë të Korçës, ku ekipi i Shpëtim Duros synon fitoren për të lënë pas kampionët në fuqi. Humbja 3-0 e fazës së dytë ku Alban Hoxha nuk ishte i pranishëm është një kujtim i largët për gardianin, i cili beson se situata këtë herë ndryshon.
“Këtë herë skuadra jonë vjen ndryshe në këtë sfidë. Shpresoj që të arrijmë një rezultat pozitiv, ndryshe nga sfida e parë. Skënderbeu vuan nga mungesa e një sulmuesi dhe shpresoj që kjo të më ndihmojë mua dhe mbrojtjen”.
Sipas portierit të skuadrës kryeqytetase, Partizani do të japë maksimumin në këtë sfidë vendimtare në garën për titullin kampion, duke përfituar edhe nga momenti negativ që po kalon ekipi kundërshtar. “Është e vërtetë që ata vijnë nga dy humbje dhe shpresoj që në këtë sfidë të jemi më të avantazhuar, pasi ata mund të jenë më të lodhur për shkak të ndeshjes së Kupës”.
I pyetur për shanset që skuadra e tij ka për t’u shpallur kampione, 28-vjeçari nuk ka asnjë dyshim se “Demat e Kuq” janë të karikuar për të mos u dorëzuar deri në javën e fundit. “Nëse dalim me sukses nga dy sfidat e radhës me Skënderbeun dhe Kukësin atëherë shanset që të shpallemi kampion do të jenë 99 %”.
Përtej kampionatit aktual qëndron e ardhmja e Hoxhës, i cili nuk jep detaje për një ofertë të mundshme nga jashtë, por shton se ideja për të provuar një eksperiencë të re e josh. “Kjo është një çështje që i përket klubit. Vendimin do ta marrë Partizani. Mua më josh ideja për të luajtur jashtë, por për këtë do të vendos pasi të shpallemi kampionë”.
