Qeveria e Kosovës ka shfaqur synimet për të përfituar nga Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), i cili do të kalojë nëpër territorin e Shqipërisë. Kalimi i një dege të gazsjellësit nga Shqipëria edhe në Kosovë është synimi i Qeverisë së Kosovës.
Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se që nga bërja publike e këtij projekti kryeministri Thaçi dhe ai personalisht janë angazhuar në takime të ndryshme me Shqipërinë dhe me qeveritë e shteteve të BE-së, të cilat janë aksionare në këtë projekt, që edhe Kosova të përfshihet në TAP.
Hoxhaj ka thënë se Kosova duhet të jetë vendkalim i këtij burimi të rëndësishëm natyror. Sipas tij, nëse kjo do të bëhej e mundur, Kosova do të përfitonte si në rrafshin gjeostrategjik, por edhe atë ekonomik.
“Përfshirja e Kosovës në TAP do të krijonte të ardhura vjetore të qëndrueshme. Në rrafshin ekonomik do t’i sillte Kosovës diversitet në burimet energjetike dhe padyshim se qytetarët e Kosovës do të kishin çmime më të ulëta të furnizimit me energji nëpërmjet këtij gazi”, ka thënë Hoxhaj.
