Organizata “Human Rights Watch” i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të marrë hapa për të pezulluar të drejtat e Hungarisë për votë pas ndryshimeve kushtetuese që janë përcjellë me kritika të forta.
Në një raport me 29 faqe të publikuar dje, “Human Rights Watch” argumenton se ndryshimet e fundit në Kushtetutën e Hungarisë, si dhe masa të tjera ligjore po minojnë pavarësinë e gjyqësorit, të drejtat e medias dhe të drejtat e të pastrehëve.
Parlamenti i Hungarisë miratoi amendamentin kushtetues në mars, duke ndezur protesta popullore dhe shqetësim në radhët e qeverive të huaja, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë si dhe Komisionin Evropian dhe Këshillin e Evropës.
Përveç kufizimeve mbi të drejtat bazë, studiuesja për Evropën Lindore pranë organizatës “Human Rights Watch”, Lidia Gall, argumenton se masat e reja bien ndesh me parimet bazë të Bashkimit Evropian, ku Hungaria u përfshi në vitin 2004.
“Bëhet fjalë për parime që flasin për krijimin e Bashkimit Evropian mbi vlerat e respektit për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë dhe mbi të gjitha respektin për të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor. Jemi në një pikë ku situata në Hungari ka precipituar, veçanërisht kur flasim për shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut, të cilat janë në rrezik”.
Zonja Gall thotë se Hungaria ka bërë disa ndryshime si rezultat i kritikave, por këto nuk mjaftojnë. Parlamenti Evropian ka rekomanduar që Hungarisë t’i pezullohet e drejta e votës në Bashkimin Evropian. “Human Rights Watch” e mbështet këtë propozim:
“Mendoj se kemi arritur në cakun e fundit, ku retorikat paralajmëruese duhet t’u lënë vendin pasojave konkrete për vende si Hungaria, nëse këto vende thyejnë parimet”.
Zyra hungareze e shtypit pranë Bashkimit Evropian nuk pranoi të bënte komente lidhur me raportin e organizatës Human Rights Watch. Por Budapesti zyrtar ka argumentuar më parë se Kushtetuta e vendit kishte nevojë për ndryshime.
E përditshmja “The Wall Street Journal” shkruan në numrin e djeshëm se Budapesti nuk ka përfillur kritikat e BE-së, duke ngritur pretendimin se Bashkimi ka bërë më parë një sy qorr ndaj masave të ngjashme të marra nga vende të tjera anëtare.
paska shoke tradhetari yne nga lindja komuniste keto do te presesh
e nga lindja komuniste keto do te presesh