Huat me probleme rriten lehtë në tetor, arrijnë 20.4%

Saimir Lleshi

Kreditë e pakthyera në afat të bankave kanë shënuar një rritje të lehtë në muajin tetor, në krahasim me fundin e tremujorit të tretë, duke u ngjitur në 20.4% të totalit, nga 20.2% që kishin qenë në fund të shtatorit. Të dhënat për tetorin bëhen të ditura nga Shoqata e Bankave, ndërsa sipas tremujorëve nga Banka e Shqipërisë.

Pas uljes në fund të tremujorit të dytë, si rrjedhojë e fshirjes nga bilanci i bankave të 11 miliardë lekëve hua pa shpresë arkëtimi, që ulën kredinë me probleme në 20%, ky tregues nuk ka mundur të shënojë rënie të mëtejshme në muajt në vijim, megjithëse deri në fund të gushtit huaja e fshirë arriti gjithsej në 13 miliardë lekë, sipas Bankës së Shqipërisë.

Në tetor, kredia e humbur (mbi 365 ditë vonesë, pa shpresë arkëtimi) u ul dhe me 1.3 miliardë lekë të tjera. Në të kundërt huaja e dyshimtë (nga 181 deri 365 ditë vonesë), është shtuar me rreth 1 miliard lekë, shkruan Monitor.

Shqetësuese është rritja e huave në ndjekje, (deri në 90 ditë vonesë), që ende klasifikohen si kredi e mirë, por ka potencial për t’u shndërruar në problmatike (nëse kalon mbi 90 ditë pa shlyer huan, atëherë kredia klasifikohet nënstandarde dhe hyn te huat me probleme). Ky zë u rrit me 3.5 miliardë lekë (rreth 25 milionë euro) vetëm në tetor, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave.

Sipas Bankës së Shqipërisë, huaja klasifikohet “në ndjekje” kur gjendja financiare e kredimarrësit dhe flukset hyrëse të parasë janë të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet, pavarësisht vështirësive financiare të momentit, dhe se nuk ka shenja përkeqësimi të gjendjes për të ardhmen. Gjithsesi, rritja e huave në ndjekje është një tregues se vështirësitë ekonomike po prekin edhe ata kredimarrës që deri tani kanë qenë në rregull me pagimin e kësteve mujore.

Rënia e këtij treguesi (huave të pakthyera deri në 30 ditë) ka qenë e fortë vetëm në tetor, ndërsa në shtator ai ishte ulur.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *