Moikom Zeqo
( MBI BOTEN ILIRE )
- Një diplomë ushtarake në pllakë bronxi e vitit 52
Në librin e Ida Calabi-t “Epigrafia Latina”, Milano, 1968 në faqet 368-373 është botuar edhe dëshmia e një Diplome Ushtarake mbi një pllakë bronxi e perandorit romak Klaud, ku janë emrat e 6 dëshmitarëve nga qyteti i Durrësit. Ata mbajnë si mbiemër dallues mbiquajtjen “Durrachini”.
Po japim më poshtë përshkrimin e hollësishëm të kësaj dëshmie të klasit të parë, që tregon peshën e dëshmitarëve nga Durrësi dhe si qytetarë edhe si ushtarakë.
Teksti nga jasht është i njëllojtë me atë të shkruar nga mbrenda; duke dashur me përgjysmuar hapësirën ishte e natyrshme që shkrimi u bë me shkrime më të vogla dhe me më pak shkurtime. Po të dy shkrimet janë të punuar me kujdes. Shënohen i-të e gjata me majë, shenjat e kjarta dalluese, disa herë fjalë të bashkuara, ndoshta jo të rastit: incleasse, incapitolio në të dy tekstet. Ai është në tekstin e mbrendshëm me l me dy ll. Ndërsa është e gabuar jashta bulës në tekst të jashtëm. Hapësira që është ruajtur afër birave të shpuara për lidhje të tabelave, tregon shumë qartë se incizimi ishte bërë e përfunduar, mbasi ishin bërë birat. Kjo është normale. Një b është e gabuar në emrin Dipscurto. Tekstet e mbrendshme dhe ato të jashtme janë të përbëra nga këto elemente:
1) Emri i perandorit që ka dhënë privilegjin është i plotë nga titullari; ai duket del në personin e tretë (në personin e parë në formën e vetes dhe ediktit, (vetëm në raste kur u jepej pretorianëve). E dymbëdhjeta tribunicie pushtetore e perandorit Klaud shkon nga data 25 janar e 52 deri 24 janar të 53. Ishte konsull për të pestën herë në 52 dhe 52. Por data e saktë e ligjit 11 dhjetor 52 është data më e parë.
2) Tregimi i trupit dhe i gradëve për të cilat është bërë ligji “Navarki” d.m.th. për komandantë të secilës anije dhe remtarë të flotës së Mesinas në komandën e Tit Jul Optatit. Ai ishte një libert i Tiberit që u bë më vonë me Klaudin prokurator dhe prefekt classia.
3) Lista e privilegjeve të akorduara i “ius civitatis” për ata vetë, fëmijët dhe pasardhësit, bashkëjetuesit me gratë që ishin të tyre, ose, duke qenë të pamartuar, me ato gra që do të bëheshin më vonë të tyret.
4) Data e nxjerrjes së diplomës: 11 Dhjetor 52 konqulati i Salvidienit, Rufo Salvianos, përkufizuar në pjesën e fundit, ose në muajt e fundit të vitit, që është e dëshmuar vetëm këtu. Deri këtu mbi diplomën i incizuar, kopje konform ligjit. Ajo që vjen mbrapa është një ekstrakt (mbi ligjin e ekspozuar në Romë ku janë shkruar gjithë emrat e përfituesve).
5) Emri i përfituesit në dativ me tregues të gradës dhe të krahinës nga ku është origjina. Është fjala për një ushtar të thjeshtë Spartik Dipscurto, i biri i Diuzen, Besso. Besët ishin një popullsi thrake dhe i kanë dhënë shumë njerëz flotës së Misenes.
6) Autenticiteti i transkriptimit të tabelës prej bronxi e ekspozuar dikur në Romë në anën e djathtë të tempullit që mban emrin “Fides populi romani in Campidolio”. Deri në kohën e Domicianit tabelat ishin varë ndër ndërtesa të ndryshme të Kampidolit, ma vonë edhe në Palatino.
Njëra nga faqet e jashtme (mbishkrimi b) ka emrat e 7 dëshmitarëve qytetarë romakë, 6 prej të cilëve me origjinë nga Durrësi, një nga Saloniku (Thesalonica) qytet i Maqedonisë, provinca në kufi me atdheun e përfituesit. Vetëm i pari, përveç tre emrave kanë të dhënë edhe fisin dhe atdheun prej janë. I treti ka emrin që rrjedh nga krahina e origjinës së tij. Emrat e dëshmitarëve janë normalisht në gjenitiv (dhanore) në raste të rralla në nominativ.
Diploma më e vjetër e njohur është e perandorit Klaud dhe e fundit është në vitin 306 të erës sonë. Forma dhe përmbajtja e tyre janë të qëndrueshme. Është fjala për dy fletë të holla prej bronxi me përmasa 10×15 ose 15×20 cm, të lidhura së bashku me dy rrathë me fije metalike trefishe. Teksti i plotë është i incizuar mbi dy faqet e mbrendshme, të mbyllura këto me një tel tjetër metalik që e kalonte nëpër dy brimat qendrore. Mbi faqet e jashtme shkruhej respektivisht me germa më të zvogëluara e të mbyllura një kopje tjetër e ligjit dhe emrat e 7 qytetarëve romakë, dëshmitarë të garantuar për autenticitetin e dokumentit, me vendosjen e vulave (sigjila) me dyllë në pjesën e gjerë të mesit aty ku mbyllet. Shembulli që vazhdon është një diplomë e lëshuar një ushtarit dalmatin, veteran i flotës së Misenës nga Klaudi më 11 Dhjetor të vitit 52.
***
Teksti autentik latin është si më poshtë. Pllaka e diplomës ruhet në Museo Archeologico Nacionale në Napoli të Italisë.
‘Titius Claudius Caesar Augustus Germanicus pontifex maximus tribunicia potestate XII imperator XXVII, pater patriae, censor, consul, trierarchis et remigibus qui militaverunt in classe, quae est Misseni sub Ti. Iulio Augusti liberto Optato, et sunt dimissi honesta missione quorum nomina subscripta sunt; ipsis liberis posterisque eorum civitatem dedit et conubium cum uxoribus, quas tunc habuissent, cum est civitas iis data, aut, siqui caelibes essent cum iis quas postea duxissent dumtaxat singuli singulas.
A.d.II idus Decembres Fausto Cornelio Sulla Felice, L.Salvidieno Rufo Salviano consulibus.
Agregali Spartico Diuzeni f. Dipscurto, Besso Descriptum et recognitum ex tabula aeneaquae fixa est Romae in Capitolioaedis Fidei populi romani parte dexteriore.
- b) L.Mesti L.f. Aemilia Prisci Dyrrachini – C. Sabini Nedymi Dyrrachini L.Nutri Venusti Dyrrachini-C. Durrachini Anthi Dyrrachini-C.Corneli Ampliati Dyrrachini-T.Pomponi Epaphroditi Dyrrachini-N.Mini Hylae Thesalonicensis “(Durrës, 1982)
2 Kolonizimi grek dhe ilirët
Historia antike e Ilirisë së Jugut (epoka arkaike dhe klasike) e ka një problem substancial: krijimin e kolonive të hershme greke (kryesisht Korintike) në territorin vendas ilir dhe raportin dinamik dhe jetik midis ilirëve dhe grekëve. Revolucioni i kolonizimit të përparuar grek qe një dukuri e globalizmit antik me rëndësi kolosale studimore. Arkeologëve shqiptarë i mungon ende metoda konceptuale mbi këtë dukuri. Nuk kemi studime profesionale, shkencore për këtë temë shumëdisiplinor dhe të pashmangshme.
Epidamni si strukturë urbane i themeluar në 627 para Krishtit është shëmbëlltyra paraprijëse në krejt bregun lindor të detit Adriatik. Aristoteli ka shkruar 168 Politeiai, Kushtetuta, ndërmjet të cilave edhe ato të sirakuzianëve, epidamnasve, krotonëve, lokrezëve, të metapontëve, të siberitëve e të tarantinëve. Ky filozof ka shkruar gjithashtu dhe një vepër të plotë për kolonitë.
Në diskutimin mbi formacionin e qytetit futen disa terma të përdorura nga Platoni e Aristoteli. Ndërmjet këtyre një rëndësi të veçantë duhet të ketë termi hora, që tregon fshatin. Nuk përjashtohet që te Platoni dhe te Aristoteli pasqyrohet formacioni i polisit dorik dhe i polisit jonik e prandaj kanë përdorur terma të ndryshme për fenomenet e ndryshme të gjenezës së polisit. Do të ish me interes të gjurmohej se në ç’masë materiali historik i formimit të polisit në Magnia Greacia ka hyrë në diskutimin platonik e aristotelian të këtij argumenti. Rëndësi ka qëndrimi i Platonit për Italinë Jugore, mbasi poleisit i Magnea Greacias kanë pasur një karakter në një farë sensi të ndryshëm nga poleis—et e dheut mëmë.
Një vërejtje me rëndësi të dorës së parë: duhet kontrolluar në se gjithë qytetet-metropole që kanë nisur kolonë, kanë qenë apo jo ato vetë poleis, mbasi, në se është e vërtetë që me formimin e polisit e me konfliktet e brendshme të lidhura me këtë fenomen, fillon kolonizimi, nuk është plotësisht e sigurtë që në këtë kohë në vetë metropolet të ketë qenë formuar polis në kuptimin klasik të fjalës. Kolonët janë nisur kur në atdhe polisi ishte në krijim e sipër, pa pasur pra një eksperiencë mbi polisin e vërtetë grek e pastaj janë përpjekur që në kolonitë e këtushme të krijonin një model polisi sa më të përshtatshëm me kushtet italike të vendit.
Dy mendime: I pari është si i polisit të Greqisë së vërtetë e të mirëfilltë, ndërsa polisi i Magna Greacia ka një karakter pak më të ndryshëm dhe paraqet aspekte të caktuara specifike: ndoshta as që është një polis i vërtetë dhe i mirëfilltë dhe prandaj, vetëm nga disa aspekte është i krahasueshëm me polisin e atdheut mëmë.
Mendimi i dytë është kontrasti ndërmjet qytetit e fshatit, që e karakterizon kohën e sotme me një urbanizim në rritje, dhe që në antikitet konstatohet vetëm në pak raste dhe për qytetet e mëdha. Shumë nga qytetet kanë qenë qytete bujqësore, domethënë se banorët e tij banonin në qytet por shkonin për të punuar ose bënin të punonte popullsinë e fushës, të fshatit, pra në të quajturën hora. Ja sepse në fushën e Epidamnit, Apolonisë, Tarantos e Sirakuzës, në një rreze prej 15-20 km mungonin fshatrat. Atje pra shkonte për të punuar popullsia e qytetit, siç vërtetohet edhe nga sanktuarët e hyjnive fushore, të ngritura jashtë postave të qytetit. Për të bërë krahasim, duhet t’u referohemi qyteteve bujqësore, si për shembull të Pulias në Itali ku pikërisht ndodhen të ashtuquajturit qytete bujqësore.
Gjithashtu, për të njohur jetën e këtyre poleis-ve duhet futur në diskutim burimet letrare, si Epikarmin, komedetë, epigramet.
Për sa i përket marrëdhënieve të polisit grek e popullsisë indigjene të horas, nuk mund të hidhen poshtë formulimet mbi prioritetin e qytetit si rregullues e informues, mbasi në antikitet u takonte klasave sunduese detyra për të çuar përpara progresin si ekonomik edhe politik. Ato kryenin funksionin (siç thuhet sot) të operatorëve ekonomikë. Autorët antikë ndihmojnë për të rindërtuar ambientin shoqëror antik. Ndër këta autorë Platoni duhet të jetë një burim jo i papërfillshëm, mbasi jo në të gjitha veprat e tij, siç mendohet, ai është imagjinuar e utopist, por ka dhe aspekte nga njohja direkte e botës greke në Italinë Jugore në Ilirinë ballkanike. Në historinë e zhvillimit të kolonive greke nuk duhet të flitet vetëm për krizën greke, por edhe për pjekurinë e popullsive indigjene. Nuk duhet folur pra vetëm për kolonizim, por edhe për pjekurinë e strukturave sociale të popullsive indigjene në kuadrin e zhvillimit të tyre të brendshëm, që u manifestua sa me diferencimin social edhe me influencën greke. Janë krerët e shoqërisë indigjene, që mund t’i quajmë aristokracia fisnore si p.sh. në Epidamn, që ndjenë së pari jo helenizimin, por tërheqjen e kulturës greke, nga fakti i pozitës së tyre të re të privilegjuar në shoqërinë indigjene, gjithnjë e më e diferencuar nga ana shoqërore. Nuk mund të flitet për helenizim në kohën kur popullsitë indigjene ilire hyjnë në konflikt direkt me botën greke.
Raportet reciproke ndërmjet grekëve e popullsive ilire nuk u dedikohen faktorëve të jashtëm, por përplasjeve të interesave të natyrave të ndryshme në kohën që popullsitë ilire, në strukturën e tyre të re sociale, arrijnë në “akulturimin” e tyre, duke përdorur pra termin e dashur nga historianët modernë, arrijnë në nivelin e kolonëve grekë e gjinden përballë interesash e ambiciesh kundërshtare.
Në përgjithësi pra jo një koncept statik sot i shoqërisë së grekëve, edhe i ilirëve, por një koncept dinamik i të dy këtyre shoqërive në zhvillimin e tyre të vazhdueshëm e në krahasimin e tyre të vazhdueshëm reciprok e dialektik, mund të na japë kuadrin e vërtetë të bashkëjetesës e të kontrasteve ndërmjet grekëve e popullsive indigjene. Një koncept i tillë është futur në të dy relacionet, por ende jo në shkallën e mjaftueshme për të shpjeguar fenomenet komplekse të raporteve ndërmjet polisit e horas. Vetë kolonitë greke kanë qenë prekur nga luftërat e vazhdueshme të brendshme, nga batica e zbatica e begatisë dhe e krizës ekonomike dhe është me të vërtetë vështirë të shihen raportet e lidhja dialektike me popullsitë indigjene, edhe duke qenë në transformimin social.
Në të dy relacionet e përmendura ndjehej një mungesë e konsideratës së vëmendshme mbi elementin njerëzor të lidhur me prodhimin: organizimi i punës, tiparet e ndryshme të punës, mënyrat e ndryshme të prodhimit (bujqësia, rritja e bagëtive, peshkimi e artizanati), me të cilat lidhet problemi i njeriut të punës, skllavit, bariut, fshatarit, peshkatarit, artizanit, tregëtarit. Të gjitha këto kategori duhet të ishin futur në diskutimin e problemeve që kanë të bëjnë me polis-in e hora-n.
Ky diskutim lidhet me konceptim e “frontier history” (histori kufiri), që përmban dhe disa konsiderata të mëtejshme. Që në fillim duhet së pari të eleminojnë një dyzim të mundshëm: “histori kufiri” s’është e njejta gjë me “historinë e një kufiri”, domethënë nuk është një çështje gjeografike (si për shembull, në Europën Lindore në kohët e reja), por historia e kontaktit dhe e konfliktit midis dy shoqërive, dy strukturave të ndryshme shoqërore, në rastin tonë, e popullsive vendase dhe kolonëve grekë. Kufiri s’është një institucion; ai është një situatë sociale e prandaj çdo kufi duhet studjuar veçmas.
Në kohën e sotme ne dimë shumë gjëra mbi historinë kufitare nga eksperienca në Shtetet e Bashkuara e Kanada, Amerikën Latine, Australi dhe Lindjen e Largët. Dhe mund të mësojmë edhe më tepër prej tyre, se sa prej autorëve klasikë grekë. Nuk është paradoksale të insistohej të dimë më tepër mbi historinë arkaike greke, qoftë dhe të Greqisë kontinentale, duke lënë mënjanë grekët e Perëndimit, se sa Platoni e Aristoteli, të cilët sidoqoftë, s’kanë qenë të interesuar kaq si histori, por në abstraksione sociologjike dhe skema utopike. Ligjet e Platonit zbulojnë njohuri të gjera mbi institucionet greke të kohës së tij, por kjo është krejt një çeshtje tjetër. Është e drejtë që Aristoteli ka shkruar, ose është përgjigjur për 168 politeiai, por mjafton të shihet vetëm njëra që ka mbetur, Athiniotia, për të kuptuar se sa pak dinte ai mbi periudhën historike, sidomos lidhur me problemet që kanë të bëjnë me mbledhjen tonë këtu.
Një nga përfundimet që mund të nxirren nga studimi modern i historisë kufitare është që, po të shprehemi kështu, çdo gjë qe e mundur. Kolonët sillnin me vehte traditat, zakonet dhe institucionet e tyre, por ata kishin gjithashtu edhe një liri veprimi që u mungonte në vendin e tyre. Çdo koloni ka pasur politikën e saj me respektet për vendasit, por kjo s’do të thotë që të gjithë grekët e pranonin atë.
Janë tri dallime të theksuara brenda “botës koloniale greke”:
- Në Magnia Greacia në Ballkan, Shqipëri dhe rajonin e Detit të Zi pati një “reaksion” vendas, por jo në Sicili. Situata në veri të Detit të Zi priste nivelin “komik” të komuniteteve greke që ta vinin vehten nën mbrojtjen e krerëve vendas. Si mund të shpjegohet me këtë ndryshim të rëndësishëm? Sigurisht jo aq shumë me anë të ndryshimeve ndërmjet kolonëve grekë, por me anë të ndryshimeve themelore në strukturat sociale të vendasve.
- Rajonet e Detit të Zi e Danubit, Shqipërisë ilire,- Thrakës ,e hinterlandit të Azisë së Vogël kanë qenë një rezervë e madhe skllevërish që eksportoheshin në botën greke; Sicilia dhe Magna Greacia nuk kanë qenë. Është fjala për skllevërit si plaçkë e tundshme dhe jo për helotët që përdoreshin edhe brenda vetë disa prej këtyre krahinave. Në këtë rast një pjesë e shpjegimit gjindet në nevojat e komuniteteve lokale greke dhe pjesa tjetër në numrin e vendasve të vlefshëm. Megjithatë, jo e gjithë tregtia e skllevërve në Danub në Iliri e Detin e Zi, kryhej në bashkëpunim direkt me krerët vendas. Por, prapëseprapë, ndryshimet në strukturat sociale tek vendasit ishin vendimtare.
- Italia Jugore dhe Iliria ka qenë një rezervë mercenarësh, që përdoreshin nga grekët e Sicilisë e nga kartagjenasit, Iliria, Thrakia e Skithia ishin një tjetër rezervuar, megjithëse më pak i rëndësishëm; Sicilia nuk ka qenë e tillë, së paku jo për mercenarë të përdorur jashtë ishullit. Nuk dua ta përsëris shpjegimin tim për herë të tretë.
Si përfundim “bota koloniale greke” është një abstraksion, “vendasit” janë një tjetër dhe kombinimi i këtyre të dyve jep përsëri një tjetër, që ka pak lidhje me realitetin historik.(Durrës, 1986)
3.Studimi i Wladimir Blawatsky-t për Apoloninë e Ilirisë
Arkeologu i njohur rus Blawatsky në 1956 kryesoi sëbashku me arkeologun shqiptar Selim Islami një ekspeditë arkeologjike në Apoloni, në Shqipëri në 1958. Më pas u botua në rusisht një libër me titull “Apolonia e Ilirisë”. Kam lexuar veç këtij libri dhe një studim në frëngjisht për këtë temë të prof. Blawatsky-t.
Ç’thotë në substancë ky arkeolog? Studimi duket menjëherë që jo vetëm nuk shterues, por deri diku tepër i përmbajtur.
Më poshtë po shtjelloj idetë kryesore të Blawatsky-t.
APOLONIA DHE ILIRËT
(PËRPARA V.229 PARA ERËS SONË)
E themeluar pak përpara vitit 585 para erës sonë (1), Apolonia gjendej në kufirin juglindor të territorit të Taulantëve, të cilët sipas Ptolemeut okuponin bregdetin Adriatik nga Dyrrahu deri në Aulona.
Deri tashti nuk ka qenë sqaruar se në ç’farë rrethane u themelua Apolonia. Nuk na kanë mbetur lidhur me këtë veçse dëshmia e përmbledhur, dhe padyshim e shtrembëruar, e Stefan Bizantinasit i cili, nga ana e tij, nuk dihet se nga ç’burim e ka. Informatat e vetme, në dukje të besueshme, që mund të nxirren nga kjo dëshmi e mjegullt, përmblidhen në sa vijon: e para apdkia e Apolonisë u themelua mbi truallin e një qendërbanimi të vjetër ilir; e dyta, emri i vendit Glaukia është i lidhur me ardhjen e kolonistëve të rinj.
Kemi pasur tashmë rastin të themi se gërmimet e bëra në truallin e Apolonisë, nuk kishin nxjerrë në dritë veçse një objekt të epokës prehelene, një sëpatë bronzi, kelte, të gjetur në vitin 1959. Gërmimet e Apolonisë, të kryera mbi një sipërfaqe mjaft të kufizuar, nuk kanë lejuar deri tashti zbulimin e ndonjë mbeturine ndërtimesh ilire të kohës para themelimit të qytetit grek. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë ekzistuar një qendërbanimi ilir aty ku më vonë u ndërtua apoikia, sepse shumë qytete të zonës helene aty përreth janë ngritur mbi truallin e qendërbanimeve të vjetër autoktonë. Mundet që ato pak copërina qeramike prej argjili të murrmë, me një motiv ornamental në formë gdhënkash që rafiguron një lloj bredhi, të cilat duallën në dritë gjatë gërmimeve të bëra në vitin 1958 në shtresën e shek. VI para erës sonë, të jenë mbeturina të parëndësishme të qendërbanimit ilir. Nga ana tjetër, është plotësisht e mundëshme që këta fragmente të jenë bashkëkohës me objektet e tjerë të gjetur në shtresën e shek. VI para e.s. dhe të kenë ardhur në Apoloni si rezultat i kontakteve midis banorëve grekë dhe popullsisë vendase.
Përsa i përket lidhjes që ka emri Glaukia me ardhjen e banorëve të rinj, ajo mund të shpjegohet, siç e kemi vënë tashmë në dukje, falë një epitafi ku bëhet fjalë për një të vdekur të varrosur në Glaukia Pedhian. Termi Glaukia që vjen nga gyesos – “thes i gjatë”, ka të ngjarë t’i referohet pjesës së zgjatur të territorit të Apolonisë, ose edhe vetë hora-s si tërësi. Në pasazhin shumë të shtrembëruar të Stefan Bizantinasit, emri i qytetit grek Apollonia i është atribuar gabimisht një qendërbanimi ilir, dhe emri i horas është ngatërruar me atë të qytetit.
Burimet që kemi mundur të konsultojmë nuk thonë asgjë lidhur me rrethanat në të cilat u bë instalimi i themeluesve të Apolonisë në territorin e Taulantëve. Përsa i përket qytetit të afërt Corcyra, në juglindje, të themeluar rreth viteve 733/2 para e.s., dihet se themelimi i tij ka lidhje direkte me dëbimin e Liburnëve, që banonin më parë në ishullin.
Qyteti Epidamn, që gjendej në veri të Apolonisë, ka qenë themeluar në vitin 627 para e.s. nga Corcyrasit, Korintët dhe Dorë të tjerë . Ekzistenca e një qendërbanimi ilir në truallin e “polis”-it të më vonshëm ka shumë të ngjarë . Por tregimi i rastësishëm i Appianit është më se i dyshimtë. Ky tregim fantastik mbi themelimin e Epidamnit është nxjerrur, pa e shqyrtuar thellë, nga një mit i vonë, plot me gjëra të pabesueshme. Vendosja paqësore e grekëve në një qytet ilir të ekzistuar më parë, siç thotë Appiani, është krejt e pabesueshme, në mos tjetër për arsye të emrit të qytetit, Epidamni (me nënshtrue), gjë që sugjeron idenë se Grekët e shtinë në dorë me forcë truallin e “polis”-it të tyre të ardhshëm.
E themeluar nga Korintasit dhe Korkyrasit, apoikia e Issas, në ishullin Omonim, nuk ka lindur më vonë se shekulli VI para e.s. Shfaqja e këtij “polis”-i mbi një truall që dikur u përkiste Liburnëve, nuk mund të mos çonte, pa dyshim, në një konflikt me popullsinë lokale.
Të gjitha këto të bëjnë të besosh se themelimi i Apolonisë ka të ngjarë të ketë qenë shoqëruar nga pushtimi me forcë, nga ana e Grekëve, i një pjese të territorit të Taulantëve, për të ngritur aty një qytet më një hora mjaft të gjerë. Kleroi-t e Apolonasve ishin padyshim mjaft të mëdhenj. Kjo mund të mendohej për vetë faktin se një prej qytetarëve, Eumeni , i dënuar padrejtësisht që të humbasë sytë, ka konsideruar dy kleroi të shquar dhe një shtëpi të zgjedhur prej tij vetë në qytet, si një zhdëmtim të mjaftueshëm për gjymtimin dhe fyerjen e pësuar .
Apolonia gjendej mbi një tokë shumë të mirë siç thotë Dion Cassius-i. Ky territor mjaft i madh ngjitur me qytetin, mund të përdorej si për të punuar ashtu edhe për kullotë, duke mos bërë fjalë pastaj për peshkimin në brigjet e Adriatikut, humbja e këtij territori do të kishte qenë për Taulantët një dëm aq i madh sa që të mos e lëshonin atë pa kundërshtim.
Po të gjykojmë sipas burimeve që njohim, Apolonia në periudhën preheleniste nuk pati luajtur një rol të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare. Gjatë tre shekujve e gjysëm të parë të ekzistencës së vet, Apolonia qe padyshim mjaft e fortë sa që të ruante pavarësinë e vet dhe, sipas çdo gjase, nuk u bë objekt i ndonjë agresioni qoftë edhe të vogël nga ana e fqinjëve të vet imediatë. Për më tepër, në disa raste qe ajo vetë që mundi të zgjerojë territorin e saj duke pushtuar një pjesë të territorit të fqinjëve.
Pausania na ka ruajtur tekstin e një mbishkrimi të vendosur nën një grup të skulpturuar, të ngritur nga Apolonasit në Olimpia. Është konsideruar se në të thuhet se statuetat janë konsakruar nga Apolonia, e themeluar nga Phoibos-i buzë detit Jon, dhe gjithashtu se ato janë ngritur nga pushtuesit e Abantidës, me të njëjtën të dhjetë të prése së Thronium-it. Ja teksti i këtij mbishkrimi:
Data e luftës kundër Abantëve mund të përcaktohet në mënyrë mjaft të saktë. Një e dhënë e Pausanias na bën të mësojmë se grupi i skulpturuar në fjalë ka qenë ekzekutuar nga Lycias, i biri i Myron-it. Koha e aktivitetit të këtij skulptori bije në gjysmën e dytë të shek. V para e.s.
Pausania shpjegon se krahina e quajtur Abantida dhe qyteti i vogël Thronium që gjendej në të, gjendeshin në Epirin Thesprotik, pranë maleve Keraune. Dihet se ku gjendeshin këta male: ata naltoheshin midis detit Jon dhe luginës së një lumi të vogël, që sot thirret lumi i Dukatit, në jug-perëndim të këtij të fundit; ay mund të përcaktohet kollaj, duke ndjekur të dhënat e Strabonit. Kështu pra Abantida gjendej në veriperëndim të maleve Keraunë, në fund të gjidetit të Orikum-it, por është vështirë të thuhet se deri ku shtrihej drejt lindjes; sidoqoftë Amantia bënte pjesë në të; Stefan Bizantinasi thotë se ky emër që transformuar nga barbarët në “Abantia”. Akoma më e vështirë është të përcaktohet se deri në ç’largësi nga bregdeti futeshin tokat e pushtuara nga Apolonasit; këto ka të ngjarë që të mos kenë qenë shumë të mëdha. Në mbishkrimi e Apolonasve, këto toka janë quajtur “kufij të krahinës”. Ndërkaq, pas fitores mbi Abantët, territori i Apolonisë shtrihej nga veriu në jugë në një gjatësi totale prej 30 deri 40 km. Për një qytet grek ishte një sipërfaqe shumë e madhe. Nuk do të dinim të thoshim nëse ky territor i madh qe vetëm rezultati i pushtimit fillestar dhe i pushtimeve pas luftës kundër Abantëve në shek. V para e.s., apo ai u zmadhua në shumë etapa kohë pas kohe. Ky supozim i fundit na duket se ka më shumë të ngjarë.
Por marrëdhëniet e Apolonisë me Ilirët nuk qenë gjithmonë armiqësore. Shkëmbimet midis Grekëve dhe botës ilire u vendosën shumë herët.
Kërkimet e M.Parović – Peshikan kanë zbuluar rrugët kryesore nëpër të cilat objektet greke hynin në krahinën e Glasinacit. Qysh përpara shek. VII-VI para e.s. ekzistonin tri rrugë. E para, rruga tokësore, të çonte tek Ilirët duke u nisur nga Magna Grecia dhe Sicilia, nëpër Itali, duke kaluar përmes Etrurisë në drejtim të Alpeve, duke përshkuar territorin e sotshëm të Sllovenisë dhe duke ndjekur pellgun e Savës dhe bashkërrjedhësve të saj, për të dalë pastaj në territorin e Ilirëve. Supozohet se rruga e dytë ka qenë rruga detare që, duke u nisur nga metropole greke, çonte në qytetet e lashtë të anës perëndimore të Pontit, dhe duke ndjekur pastaj pellgun e Danubit dhe bashkërrjedhësve të tij arrinte tek Ilirët.
Vetëm diçka më vonë dallohet një rrugë tjetër; duke shkuar nga Korinti dhe Athina në gadishullin e Kalkedonisë, ajo shkonte gjatë Moravës deri në Danub dhe në pellgun e Savës dhe bashkërrjedhësve të saj, deri sa arrinte në territorin ilir. Në perëndim të kësaj rruge, kishte edhe një tjetër që nëpërmjet Haliacmon-it të vjetër (sot Bistrica) çonte në liqenin e Ohrit dhe pastaj kthehej drejt veriut në pellgun e Moravës dhe bashkërrjedhësve të saj. Është nëpër këtë rrugë që vozat atike me figura të zeza të gjysmës së dytë të shek. VI para e.s. kanë mundur të hyjnë në rajonin e Trebenishtës, 3 km e gjysëm në veri të liqenit të Ohrit.
Veç rrugëve të përmendura mund të ketë ekzistuar një rrugë tjetër në krahinën e Trebenishtës. Ka shumë kohë që është shfaqur hipoteza që Apolonia dhe Epidamni kanë qenë qendrat nëpërmjet të cilave Korinti zhvillonte tregtinë me Ilirinë. Mundet që , nëpërmjet njërit prej këtyre qyteteve të jenë sjellur objektet prej bronzi të Korintit, të zbuluara në varret e pasur të nekropolës së Trebenishtit .Në favor të kësaj hipoteze mund të përmendim faktin që vijon: Trebenishti gjendet afër rrugës që njihet (çështë e vërteta, në një periudhë të mëvonshme) me emrin Via Egnatia. Sipas Strabonit kjo rrugë lidhte Apoloninë dhe Dyrrahun (d.m.th.) Epidamnos-in e vjetër) me Thessalonikun. Ajo kalonte nëpër Lychnidën buzë liqenit të Ohrit, Heraklean e Lyncestidës, Edessan dhe Pellan. Tek Ciceroni gjejmë përmendjen më të vjetër të kësaj rruge. Emri i saj Via Egnatia, sipas qytetit Egnatia në bregdetin lindor të Italisë së Jugut, nuk lë asnjë dyshim se Straboni e ka fjalën për një rrugë të ndërtuar nga Romakët. Kjo vërtetohet nga zbulimet mbishkrimore të bëra gjatë kësaj rruge, si dhe nga disa pjesë të saj që kanë mbetur akoma dhe që autori i këtyre rreshtave ka pasur rastin të studiojë gjatë lumit që në kohët e lashta quhej Genosios , apo Genusus dhe sot Shkumbin.
Ndërkaq është shumë vështirë të thuhet se traseja e kësaj rruge ka qenë bërë prej vetë Romakëve. Në këtë pjesë të gadishullit të Ballkanit, të prerë gjithkund nga vargmale, rrugët kryesore kanë qenë gjithmonë të detyruara të ndjekin luginat më të volitshme, të kalojnë mjaft shpesh nëpër gryka lumi dhe përroi, që nëpërmjet qafave më të përshkueshme çonin në një luginë tjetër lumore. Kjo gjë e bën shumë të besueshme hipotezën, sipas të cilës është pikërisht nëpër këtë rrugë, duke ardhur nga perëndimi përmes Lychnides, që objektet e prodhuar në Korint kanë mundur të hyjnë në rajonin e Trebenishtit.
Le të kthehemi tek çështja e marrëdhënieve të Apolonisë me Ilirët. Mjerisht burimet që kemi mundur të konsultojmë janë të mangëta. Retori Claudius Eliani, bashkëkohës i Severëve, përmend faktin se Apolonasit nuk pranonin të huaj në mes të tyre, i referohet kryesisht një kohe më të vonshme dhe ka të ngjarë që në ‘të të mos mungojë edhe ekzagjerimi. Sidoqoftë, Aristoteli thotë se në Apoloni, buzë detit Jon, midis një popullsie të madhe kishte pak pasardhës të kolonistëve të parë. Por është e dyshimtë që dëshmia e Elianit t’u referohet Ilirëve, sepse shkonin mirë me helenët. Aq më tepër kur autori i cituar u kundërvë Apolonasve banorët e Epidamnit.
Një çështje shumë e vështirë dhe e errët është ajo e rolit të Ilirëve në popullsinë e Apolonisë. Rezultatet e gërmimeve kanë treguar se në qytetin tiparet e kulturës helene në formën e saj dorike kanë qenë shumë të dukshme. Është shumë më e vështirë të shquhet qoftë edhe elementi më i vogël i kulturës ilire.
Ndërkaq në rrënojat e Apolonisë janë zbuluar objekte prodhimi ilir, të cilët janë tepër të pakët që të mund të konsiderohen si mall i sjellur nga Iliria. Ata duhet të konsiderohen më shumë si objekte të atyre Ilirëve që për një arsye ose një tjetër gjendeshin në Apoloni.
Gërmimet në nekropolin e Apolonisë vërtetojnë gjithashtu praninë e elementeve ilirë midis popullsisë së këtij qyteti.
Njohuritë e nxjerrura nga prosopografia e Apolonisë dalin, në pjesën më të madhe, jashtë kuadrit kronologjik të kumtesës sonë. Në masën më të madhe janë emra eponimesh të qytetit, të cilët figurojnë mbi monedha , mbi epitafe dhe mbishkrime të tjera. Në shek. II-II para e.s. ata janë pothuaj të gjithë grekë. A.Malevanny , duke u mbështetur në opinionin e shumë arkeologëve, vë në dukje si emra ilirë: FALAKROS, EPIKAD dhe PLEURAT. Sidoqoftë, dy të parët janë thjesht grekë. FALAKROS “tullac” nuk e ndeshim vetëm në Apoloni, por edhe në Greqinë qendrore . Përsa i përket “EPIKAD” kjo fjalë do të thotë “që ndodhet pranë urnës elektorale” komponentët e saj janë Epi = “afër”, pranë”, dhe Kádos = “enë për të futur votat”. Emri i fundit nuk është aq i kjartë, por dy rrokjet e tij të para mund të afrohen me PLEURÁ = “anë, brinjë”.
Nga ana tjetër mund të mendohet fare mirë që vetëm me anë të martesës së përzierë, një farë numri Ilirësh shumë të helenizuar të kenë mundur të hyjnë në Apoloni.
S’ka dyshim se deri në vitin 229 para e.s. Apoloninë nuk e ka kërcënuar asnjë rrezik nga ana e Ilirëve. Por një kërcënim i madh rëndoi mbi Apoloninë kur Ilirët, të udhëhequr nga mbretëresha Teuta, filluan veprimet armiqësore. Sipas Polibit Ilirët në këtë kohë nuk ishin armiqt e këtyre apo atre Grekëve, por armiqt e gjithë Helenëve në përgjithësi.
Duke pasur frikë se mos sulmoheshin nga Ilirët, Apolonasit, si shumë Helenë të asaj zone, preferuan të vendosin marrëdhënie miqësore me Romakët, në vartësinë e të cilëve ranë më vonë. (Durrës, 1987)
