Humbi jetën nga COVID-19, shërbimi në Neurologjinë e QSUT merr emrin e mjekut Drini Dobi, Manastirliu: Ishte një njeri, që e gjeje kudo në spital, iu dedikua 100% profesionit

time

Drini Dobi, mjeku neurolog në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ishte ndër mjekët që nuk e fitoi dot betejën me koronavirusin.

Dobi ndërroi jetë në datën 9 dhjetor 2021, në Itali, ku edhe u dërgua për kurim më të specializuar por nuk arriti të fitojë betejën me COVID-19.

Sot në 9 mars, tre muaj pas ndarjes nga jeta, Shërbimi i Strokut në Neurologji në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mban emrin e mjekut Drini Dobi.

Këtë lajm e ka bërë të ditur kryeministri Rama, ndërsa në ambientet e QSUT-së ka shkuar edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Në nderim të një shërbyesi të denjë për bluzën e bardhë e një njeriu të rrallë, Shërbimi i Strokut në Neurologji në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, nga sot mban emrin e mjekut Drini Dobi, i cili humbi jetën si pasojë e COVID19”, njofton Rama.

Manastirliu tha se Drini Dobi dha kontribut të madh në luftën ndaj pandemisë, në atë që ajo e quajti “betejë e shekullit” .

“Drini Dobi ishte një njeri, që e gjeje kudo në spital dhe iu dedikua 100 për qind profesionit. Drini dhe të gjithë mjekët e kthyen në mision, për të mposhtur Covid.

Drita në fund të tunelit është më e qartë se asnjëherë. Ne nuk do harrojmë njerëzit tanë më të dashur, nuk do harrojmë doktor Drinin dhe mjekët e infermierët që humbën jetën në këtë betejë të shekullit”, shton Manastirliu.

Sakaq, e pranishme në ceremoni, ishte dhe bashkëshortja e dr. Drini Dobit, e cila shprehu mirënjohjen për vlerësimin që i bëhet mjekut, duke i vendosur emrin e tij, shërbimit për të cilin ai u kujdes aq shumë.

“Kur mendoj se çfarë do të mendonte Drini dhe ajo që do të bënte është një mirënjohje pa fund dhe do të gjente një mënyrë si të shprehte mirënjohjen për të gjithë Ju. Ju falenderoj shumë të gjithëve. Mendoj që Drini është kujdesur shumë për këtë shërbim. E donte shumë. Do vazhdojë të kujdeset në mënyrën e tij, duke qenë i mbarë me emrin e tij në këtë shërbim, duke sjellë mbarësi”, tha bashkëshortja e Drini Dobit.

h.b/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *