Bernabeu si asnjëherë më parë ka përjetuar një spektakël golash. Plotë 7, secili më i mirë se tjetri. Dhe në fund fituesit janë katalanasit e ardhur nga Barcelona që kanë fituar superderbin botëror, ‘el Clasico’, duke e mposhtur Real Madridin me rezultat 4-3. Një fillim i vrullshëm i Realit, por që me kalimin e minutave të para Barcelona merr frenat e lojës dhe zhbllokon rezultatin që në minutën e shtatë. Messi asistoi te Andres Iniesta, i cili shënoi me të majtën.
Në vazhdim, Benzema pati një rast të shkëlqyer për të barazuar, por dështoi. Të njëjtën e bëri në anën tjetër edhe Leo Messi, i cili nuk u tregua i saktë përballë Diego Lopez.
Ndërkohë, Di Maria nuk ndalej së krijuari raste. Ai dërgoi një harkim nga e majta dhe kësaj radhe, Karim Benzema ishte i saktë duke shënuar me kokë (20’). Përsëri rezultoi i suksesshëm, kombinimi Di Maria-Benzema. Argjentinasi e dërgoi topin në zonë, ku francezi e rregulloi dhe e dërgoi në rrjet (24’).
Një tjetër shans të krijuar nga Di Maria për Benzeman, e ndali Pique në rolin e portierit. Blaugranët vazhduan me lojën e tyre duke i organizuar aksionet, ndërkaq rreziku i Los Blancos ishte nga kundërsulmet.
Dhe mysafirët u treguan më efikas në minutat e mbetura. Pas një kombinimi me Neymar, Lionel Messi arriti ta barazojë rezultatin (42’).
Benzema pati një tjetër rast në mbyllje të fraksionit të parë, por goditja e tij përfundoi jashtë porte. I njëjti futbollist i nxor në rast nga Bale në gjysmën e dytë, por Valdes e ndali goditjen e tij.
Një ndërhyrje të Dani Alves në Cristiano Ronaldon (që dukej jashtë zone), arbitri e ndëshkoi me penalti. CR7 e konvertoi në gol nga pika e bardhë (55’).
Një pasiguri në mbrojtjen e vendase e shfrytëzoi Neymar duke nxjerrë penalti, ndërkohë që Sergio Ramos u përjashtua me të kuq pas tërheqjes së brazilianit në zonë. Lionel Messi u tregua i saktë nga penaltia (65’).
Në vazhdim nikoqirët nuk dorëzoheshin përkundër inferioritetit numerik në fushë, ndërsa nga ana tjetër një goditje e Dani Alves u përplas në shtyllë.
Megjithatë, superioriteti numerik i mysafirëve erdhi në pah dhe Xabi Alonso shkaktoi penalti duke ndërhyrë në Iniestan. Lionel Messi kompletoi het-trikun (84’). Argjentinasi bëhet lojtari i parë në histori që shënon het-trik në Santiago Bernabeu gjatë një ‘el Clasico’.
Barcelona kthehet fuqishëm në garën për titull dhe ka vetëm një pikë më pak se dy liderët, Atletico Madrid dhe Real Madrid.

