Humbja e Kukësit, e vetmja surprizë e Kupës

redaktor

Kupa e Shqipërisë ka ndezur plotësisht motorët me ndeshjet e para të të gjithë protagonistëve, përjashtuar këtu Skënderbeun që çeli siparin i pari para pak ditësh për shkak të impenjimit europian.

Që në takimet e raundit të parë kompeticioni ka ruajtur statutin e eventit të befasive, duke rezervuar si surprizë të parë disfatën e pësuar nga Kukësi përballë Naftëtarit me nënkampionët e Shqipërisë që janë mposhtur 3-1. Për sa i përket takimeve të tjera spikat fitorja e Partizanit që ka mposhtur 5-0 Korabin, me të kuqtë e Starovës që kanë shpërthyer në goleadë në Kupë, ndryshe nga profili i krijuar në javët e para të kampionatit. Vlen të përmendet zhbllokimi i Sabino Plakut që ka “prishur agjërimin” me një dygolësh që vlen shumë në aspektin psikologjik për sulmuesin që më në fund ka arritur të zhbllokohet, duke krijuar premisat për të gjetur tanimë vazhdimësinë në kampionat.

Tirana nuk arrin t’i shpëtojë sindromës së vuajtjes edhe në Kupë, pasi ka fituar minimalisht 0-1 ndaj Erzenit. Vllaznia e zero pikëve në kampionat ka barazuar 1-1 me Pogradecin, Laçi ka thyer serinë e barazimeve duke fituar 1-3 ndaj Besës, ndërsa Flamurtari ka siguruar fitoren e parë sezonale pikërisht në Kupë, duke fituar 1-2 derbin e vogël me Orikumin. Goleadë e Teutës së Maganit, që ka mposhtur 1-5 Adën, Bylisi ka mposhtur 0-1 Dinamon, ndërsa tablo e skuadrave pjesëmarrëse në Kategorinë Superiore mbyllet me Tërbunin që ka ngecur në barazim pa gola me Burrelin.

Përsa i përket ndeshjeve të tjera, Lushnja ka fituar 0-1 ndaj Luftëtarit, Sopoti ka gjunjëzuar 5-0 Butrintin. Kamza ka mposhtur 4-2 Elbasanin, barazim 2-2 në Shkumbini-Apolonia, ndërsa Kastrioti-Besëlidhja dhe Iliria-Mamurrasi kanë përfunduar me rezultatin identik, 1-0 për skuadrat mikpritëse.

 

Share This Article
1 Comment
  • Dy fjale per Ekipin e Kukesit,i Cili ne kampionatin Shqipetare,jep tonin dhe qdo Ekip luan me rrespekt perballe Kuksianeve te vjeter e te rinje.Persa i perket humbjes Kupa jo se ska vleren e saje,por ndoshta lufta ne te dy frontet do te ishte e veshtire per Kukesin,dhe koncentrimi vetem ne Kompionatin kryesor ne futboll,mund te jape rrezultatin tashme te pritur,shpalljen Kampion i Shqiperise,dhe kjo nuk do te ishte befasi as per Ekipet e tjera qe japin tonin po ashtu ne kampioat!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *