Humbjet e energjisë elektrike në rrjet gjatë vitit 2012 pësuan një rritje alarmuese. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, humbjet totale arritën në afro 41%, nga të cilat rreth 39% ishin në sistemin e shpërndarjes. Kjo statistikë përfaqëson në thelb shkakun e dështimit të “CEZ Shpërndarje” dhe të konfliktit me qeverinë shqiptare, që përfundoi me heqjen e licencës. Ndonëse reduktimi i humbjeve në rrjet ishte kushti kryesor për të ndërtuar një sistem të shpërndarjes së energjisë të qëndrueshëm dhe eficient, fakti është që vetëm për vitin e kaluar humbjet u rritën me 12 pikë përqindjeje. Viti 2012 u karakterizua nga një rritje e mëtejshme e konsumit të energjisë elektrike me rreth 6%. Në ndryshim nga viti 2011, bizneset dhe konsumatorët e tjerë jofamiljarë ishin konsumatorët kryesorë të energjisë me 50.4% të totalit. Por, në fakt përmbysja e raportit reflekton thjesht nivelin e lartë të vjedhjes së energjisë mes konsumatorëve familjarë. Energjia e faturuar për konsumatorët familjarë vitin e kaluar ra me 16%, krahasuar me 2011. Për shkak të situatës më të përmirësuar hidrike, prodhimi i brendshëm i energjisë nga hidrocentralet u rrit me 6% dhe arriti në 4,288 gigavatorë, ndërsa as në vitin 2012 nuk pati prodhim nga burime të tjera të energjisë. Prodhimi nga impiantet private apo koncesionare u rrit vitin e kaluar me 76% dhe arriti në afro 241 gigavat orë. Pesha e këtyre impianteve vazhdon të jetë e vogël, me rreth 5.6% të energjisë së prodhuar në vend, por në rritje të ndjeshme nga viti 2011, kur pesha e tyre ndaj prodhimit total ishte vetëm 3.4%.
