Hungarezët duan gola, Doll: Vetëm për fitore

redaktor

Hungarezët duan gola. Ferencvarosh niset vetëm për fitore përballë Partizanit. Trajneri i skuadrës hungareze, Thomas Doll në konferencën tradicionale të shtypit para ndeshjes së kthimit të raundit të dytë eliminator në Champions League e bëri të qartë se skuadra do të luajë në kërkim të golit pa llogaritur se edhe një barazim i bardhë e kualifikon, gjithsesi pa harruar të predikojë kujdes nga kundërsulmet e të kuqve.

“Jemi në një pozicion të mirë dhe do të bëjmë gjithçka për të kaluar. Në fundjavën e kaluar u rikthyem te suksesi pasi mposhtëm Haladas në javën e parë të kampionatit dhe shpresojmë që të vazhdojmë kështu. Ne nuk mund të luajmë për 0-0, kjo mund të na ndëshkonte shumë lehtë. Ne duam të shënojmë gola dhe mezi presim të luajmë. Lojtarët do të jenë më të freskët dhe me më shumë besim. Duhet të tregohemi të kujdesshëm për të mos bërë gabime naive siç bëmë në ndeshjen e parë. Duhet të luftojmë fort dhe të jemi të uritur për lavdi. Do të tregohemi inteligjentë dhe jo të gjithë lojtarët duhet të vrapojnë përpara, pasi duhet të jemi të përgatitur edhe për kundërsulmet e tyre”.

Për ndeshjen me Partizanin foli dhe sulmuesi i skuadrës hungareze Daniel Bode, autori i golit në Elbasan Arena gjithashtu ishte mjaft optimist për sfidën me 15 herë kampionët e Shqipërisë.

“Nuk e ndiej se presioni është mbi ne. Gjëja më e rëndësishme është të kualifikohemi. Jemi përgatitur dhe shpresoj të fitojmë. Fitorja ndaj Haladas na dha besim, dhe kemi dhe një ndeshje më shumë në këmbët tonë. Bëmë një gabim në mbrojtje atje, kështu që këtë herë do të përqendrohemi më shumë. Duhet të dominojmë që nga minuta e parë”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *