Hungaria, plan për ndërtimin e një muri kufitar me Serbinë

Ornela

 

Qeveria konservator nacionaliste e Hungarisë njoftoi sot se ka filluar përgatitjet administrative për të ndërtuar një mur prej 175 kilometrash dhe 4 metra të lartë përgjatë kufirit të saj me Serbinë për të frenuar emigracionin e paligjshëm. “Ministria e Brendshme ka marrë udhëzime për të përgatitur murin”, tha në Budapest ministri i Jashtëm, Peter Szijjártó. “Emigracioni është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet Bashkimi Evropian. Vendet e BE-së kërkojnë një zgjidhje, por Hungaria nuk mund të presë më”, shtoi Szijjártó.

Si rezultat i këtij nxitimi, përgjegjësit e Budapestit parashikojnë të takohen më 1 korrik me palën homologe serbe (vend që nuk është pjesë e BE-së) për ta informuar për projektin e tyre. Sipas Zyrës së Emigracionit hungarez, 57.000 njerëz kanë hyrë ilegalisht në vend deri më tani këtë vit, në krahasim me 43.000 vetë gjatë gjithë 2014-ës, ose 2000 në vitin 2012. Pavarësisht këtij progresi, Hungaria ka vetëm 1, 5% të popullsisë të huaj, pasi shumica e refugjatëve që zbarkojnë në territorin e saj nga Kosova, Siria, Afganistani dhe Iraku vazhdojnë rrugën e tyre në përpjekje për të arritur në Austri, apo Gjermani. Fluksi arriti një shifër rekord në dhjetor, 2014-të me zbulimin e më shumë se 12.000 njerëzve në kufirin Serbi-Hungari, në krahasim me 7500 një muaj më parë, sipas agjencisë evropiane Frontex.

Qeveria e Viktor Orbán jeton në një luftë të vazhdueshme me Bashkimin Evropian për qëndrimet e tij në kundërshtim me shumë nga vlerat që i atribuohen Bashkimit. Së fundmi, çështja e emigracionit është shndërruar në një pikë fërkimi. Orbán ka kundërshtuar kuotat e rishpërndarjes ndërmjet vendeve anëtare të emigrantëve dhe refugjatëve, të propozuara nga Brukseli; U ka shpërndarë qytetarëve një pyetësor mbi emigracionin (një konsultë që opozitarët kombëtarë dhe OJQ të ndryshme e konsiderojnë si nxitëse të ksenofobisë); Ka deklaruar se Hungaria dëshiron të “shmangë multikulturalizmin”, dhe ka nisur fushata kontroverse kundër emigrantëve. Ndër të fundit vihet re vënia e posterave në të gjithë vendin që u bëjnë thirrje të sapoardhurve që të respektojnë ligjet vendore dhe të mos u marrin vendet e punës hungarezëve.

Ndaj kritikave për projektin e saj të fundit, Hungaria pohon se plani për të ngritur një mur në kufi nuk do të thotë një dhunim i ligjit ndërkombëtar dhe se Bullgaria filloi një projekt të ngjashëm në fillim të vitit, duke ngritur një barrierë prej 160 kilometrash me Turqinë, por që edhe Sofjes i solli kritika të ashpra nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare. Szijjártó rikujtoi se edhe “qytetet spanjolle në veri të Afrikës mbrohen me të njëjtën mënyrë kundër fluksit të emigrimit”./DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *