Hymn për poetët dhe dashurinë

J L
?????????????????????????????????????????????????????????

(Vështrim mbi romanin Kolerë në kohë të dashurisë, të autorit Namik Dokle)

 

Behar Gjoka

 

Romani Kolerë në kohë të dashurisë, shënon tekstin e katërt, të zhanrit më të gjatë të prozës të autorit Namik Dokle, të shkruar në këtë periudhë. Në një kuptim ky tekst, ta përkujton dhe shkërmoq njëherit, materien e tekstit të romanit “Dashuri në kohën e kolerës”, të G. G. Markes, jo se kemi qëllim përqasjen e ndërmjetshme. Ta përkujton si një përmbysje e titullit të librit, ku madje vihet re që termat kolerë dhe dashuri, kanë ndërruar vend, me njëri-tjetrin. Ta shkërmoq, atypëratyshëm, sepse dashurinë nuk e vret as kolera, madje as vdekja, por gjithnjë simbas materies letrare të romanit të N. Dokles, ne arbnorët e shekullit të njëzet, koha kur mjerueshëm vijon murtaja e shpërfytyrimit dhe shkatërrimit të qenies, edhe në shekullin e njëzet e një, përjetuam dhe po përjetojmë një kolerë të pashoqe, që pasi vrau dashurinë, shuajti shpresat dhe ëndrrat e qenies. Gjergj Llukash, teoricieni i romanit, shkruan: Kuptimi dhe jeta në roman ndahen, e me këtë qenësisht dhe kohësisht, madje mund të thuhet se krejt veprimi i brendshëm i romanit – nuk është asgjë tjetër përpos luftës kundër fuqisë së kohës…(1983: 122), si një nevojë me hy në marrëdhënie me tekstin e romanit. Ky sugjerim, na jep dorë për të kuptuar dallimin në mes realitetit jetësor dhe realitetit letrar imagjinar, që e sendërton teksti letrar. Po kaq, romani si zhanër dhe lloji letrar, pavarësisht faktit se ka raste kur merr shkas nga jetësorja konkrete, në thelbin e vet, është një kundërvënie dhe kundërshti e hapur ndaj kohës dhe fuqive të saj, gjithnjë duke realizuar kështu një realitet letrar unik. Në fakt ky është vetëm sfondi, krejt sterr i zi, i materies letrare, ku madje autori realisht ka endur një hymn të dyfishtë:

Së pari: Një hymn të pazakontë për poetët, pra për zërin e secilës kohë, me shumë gjasa, më tepër për zërin e pakohësisë, që bart dhe e përçon poezia, jo vetëm në letrat shqipe. Një makabritet që e tejkalon fuqinë e arsyes, një faqe tmerri, na zbulohet estetikisht në materien e librit. Në tekst, qysh në krye, shfaqet poeti që ia ndanë kokën nga trupi, e pranë tij, fanitet fati i Xhagjikës, Lekës, Blloshmit, që u pushkatuan në kohën e diktaturës, e në atë vorbullë zezone të parrëfyeshme, avitet sikur në zhgjandërr fati i Havzi Nelës, që e varën në vitin 1988, por edhe fati i Petro Markos, që përjetoi edhe burgun e monizmit, përveç bugosjeve monarkiste dhe fashiste. Për të ardhur te fati, po kaq tragjik i Budit, Fishtës, Lorkës, poetëve që i lanë pa varr. E pranë tyre, veçmas me vargjet magjike të Frederik Rreshpjes, mjeshtrit të lirikës shqipe, të cilat shpërfaqin edhe një homazh për poezinë, që shtegton në kohë dhe hapësirë.

Së dyti: Një hymn edhe më dëshpërues se sa i pari, ndërkaq shqipton një simfoni të pazakontë për dashurinë, ndonëse tejet rrezëllitës në feksjen e vetë, ky tekst befasues si shenja estetike, duke i pranëvënë dhe përballëvënë, të dyja gjendjet e pazakonta letrare. Duke qenë ndjenja më e bukur, që madje mban në jetë njeriun, dashuria e pastër sikur drita e diellit, e po kaq e brishtë, si përhirtja e dritës hënore, vritet pa grimën e mëshirës nga e djeshmja, nga koha e tmerrit pafund, e një kohe të mbrapshtë, kur vriteshin ëndrrat dhe dashuria, gjithnjë në emër të marrëzisë.

Tragjikja e pafytyrësisë së monizmit, e kohës së spiunëve dhe hetuesve të paskrupulltë, lëshohet pa grimën e mëshirës mbi të sotmen, e cila shfaqet po kaq e pafytyrë, tjetërsuese dhe shkatërrimtare, madje duke gërvishtur jetët njerëzore me plagoma tejet therëse, që nuk ka asnjë mundësi të shërohen, dashurinë e pastër, ëndrrat e poetëve, e megjithatë jeta vazhdon, jeta frymëmerr edhe në kushtet e vrasjes së dashurisë dhe të poetëve…

Nënvetëdija e heshtur, si vetëdije letrare

Realiteti letrar i tekstit të romanit, Kolerë në kohë të dashurisë, formalisht dhe konceptualisht, ngrihet dhe qëndron mbi dy binarë kryesorë, me shumë gjasa, mbase si materie letrare sendërtohet mbi dykohësinë e dyzuar. Dykohësia si shenjëzim real dhe imagjinar, pra një ngjizje jo pak e ndërlikuar, megjithatë në hapësirën tekstologjike, shpalohet në dy trajta të rrokshme ligjërimore:

A – E djeshmja, e cila pavarësisht rrudhjes dhe shpërfytyrimit të plotë të qenies njerëzore, madje shpesh gjer në nivelin më absurd të mundshëm, e ndërkaq diku në thellësi të qenies, me gjasë në fundin e saj, e një forme gati-gati të padukshme, sërish përpëlitet reagimi njerëzor, në rrafshin e një nënvetëdije të heshtur, që megjithatë nuk e pranonte tjetërsimin total të qenies. Sistemi i diktaturës së djeshme, e sidomos sistemi i hetuesisë dhe prokurorisë, dy shtyllave institucionale, që e mbollën shkatërrimin, e në mënyrë të veçantë, “shpikën” dhe ravizuan realitetin e fitorjeve, gjithnjë në humbje, në kooperimin e gjithçkaje, e veçmas në turmëzimin e qenies. Diktatura shkatërroi pronën, besimin, vlerat morale, dhe mbi të gjitha projektoi Njeriun e ri, që në emër të partisë, e cila atëbotë shihej si nënë, e në fakt në distancë kohore, u kuptua se ishte njerkë, me shpirt katran, kishte ngritur në sistem të frikshëm spiunimin, tjetërsimin shkatërrimtar të jetës njerëzore. Edhe në terr, mbase edhe në diktaturën më të egër, qenia njerëzore, ka ditur që të mbijetojë dhe ta shpëtojë veten nga shkatërrimi përfundimtar. Nënvetëdija e heshtur, e dëshmuar qartësisht si ditar, si letra, me shumë gjasë si mençuri e mbijetesës, shpallet e plotë në letrat e fshehura të Fran Caranit.

B – Në tekstin e romanit, Kolerë në kohë të dashurisë, nënvetëdija e heshtur, shenjë e së djeshmes, tanimë vjen e shqiptohet si vetëdije letrare, që ndërthur dhe përplas të dy kohët, të cilat megjithatë, ngjajnë si dy pika ujë midis tyre, në bartjen e metalitetit të tjetërsimit dhe paragjykimit ndaj të ndryshmit. Kur ishim skllevër të lirisë së diktaturës, e dinim se ishim në liri, e tash në lirinë pakufi, sërish gjendemi në skllavërinë e varësisë, jo vetëm nga pushteti, por edhe nga vetvetja. Dje, na dhunonte ideologjia moniste, e sot e gërryen jetën tonë, hajdutëria e pushtetit, gjithsesi duke ruajtur në thellësi të ndërgjegjes, mënyrat e rrënimit ideologjik dhe psikologjik. Një rrethin vicioz, ku ka rënë qenia arbnore, ka përqarkuar ashtin dhe shpirtin tonë, që duket se ende na mban të lidhur me të djeshmen, sigurisht pa të sotme, pra edhe pa shansin e ardhmërisë. Ndërkohëqë letërsia përfaqëson forcën e fjalës, mundëson me pa terrin e së kaluarës së afërtë, por shenjon edhe një dritë në fund të tunelit, pavarësisht mjegullimit sundues, në këtë nahinë tonë. Plasimi i tekstit romanor, në kohën e dykohësisë së përthyer, ku madje vihen pranë e pranë, nënvetëdija e heshtur, e qenies në të djeshmen, tashmë përmes vetëdijes letrare, si kohë letrare, që nxjerrë në dritë dhe sublimon heshtjen e vetëdijes ose praninë e një mendimi, e një ideje se bota kishte marrë rrokullimën, në të djeshmen.

 

Laryshia narrative e romanit

Bota e prozëshkrimit, pra edhe makrobota e romanit, gjithsesi zhanrit të hapur si tipologji, por edhe vetë gjasat e komunikimit, me materien letrare, ku lexuesi kurrësesi nuk mbetet pasiv përballë një proze, thellësisht dinamike. Në këtë rast, varësisht larmisë rrëfimore, që ka mundësuar thurjen e realiteti letrar, vlen përcaktimi i bërë nga Tzvetan Todorov, në librin e tij, Poetika e prozës, ku mes të tjerash shkruan: Nganjëherë flitet për një rrëfim të thjeshtë, të lidhur mirë dhe të natyrshëm, për një rrëfim të hershëm, që nuk i kishte cenet e rrëfimit modern… (2000: 15).

Ndërkohëqë, vetë narrativa-rrëfimtaria, si poetikë e prozës, ka të bëjë me dy momente të rëndësishëm dhe specifik: së pari, me pozicionin e narratorit, që është statik dhe dinamik, si dhe pandarazi me të, vetë mjetet gjuhësore dhe stilistike, të cilat materializojnë fakturën e narratives, pra edhe mishërimin estetik të një teksti proze, detyrimisht pra edhe të teksteve romanore. Në receptimin, por jo vetëm në leximin formal, veçanërisht të hapësirës së gjerë të romanit, lexuesi jo vetëm mbetet aktiv, por njëherit mbush hapësirat e lëna bosh jo rastësisht nga autori. Narrativa, vatra e njëmendtë ku edhe ngjizet magjia e prozës, në tekstin e romanit Kolerë në kohë të dashurisë, sendërtohet si një laryshi formash:

Sa pari: Narratori i gjithdijes, pra rrëfimtari-autor, që e bart të plotë atmosferën e dykohësisë, të përthyerjeve dhe kapërcimit nga njëra kohë në tjetrën, nga njëra pjesë te tjetra, si dhe nga njëri episod në tjetrin. Narratori i gjithdijes, në faqet e romanit, ka mbi supe peshën kryesore për shtjellimin e ndodhive, po ashtu edhe portretizimin e protaginistëve/personazheve. Tipi i narratorit të gjithdijes, vetvetiu e shpërndërron mikro dhe makrobotën romanore në univers të ligjërimit letrar. Klima e pranëvënies së kujtimeve dhe ngjarjeve të dikurshme, jo pak të largëta nga koha letrare, si dhe koha e shkrimit, me këndejkohën që bashkëpërjetohet me ndryshimet gjysmake, të ruajtjes së rolit të mbijetesës, anipse përgjithësisht janë bjerr vlerat morale, përfaqëson një rebus letrar, jo pak të ndërlikuar.

Së dyti: Ka raste që në materien e tekstit, kur krahas narratorit të gjithdijes, si nuancë qartë rrëfimore e këtij tipi, shfaqet narratori i lirë, që ndërkaq përveçohet edhe me shenjën e kllapave, pra duke u identifikuar plotësisht.

Së treti: Narrativa e personazhit, që në faqet e romanit Kolerë në kohë të dashurisë, ka një rol dhe hapësirë të përfillshme, sepse diku rrëfen tragjedinë e vetë, bashkëshortja e Grobnikut, nëna e Valmirit, e cila zbulon përdhunimin kafshëror, por megjithatë me peshë më të madhe, në hapsëirën tekstologjike, vjen rrëfimi i nuses së shtëpisë, e cila madje rrëfen në gegnisht në dy kapituj, duke pasuruar kështu pentagramin shprehës.

Së katërti: Narrativa e dëshmisë, që sjellë më pranë kohën e zymtë, motet e diktaturës, e cila nëpërmjet vetëdemaskimit, skicon tjetërsimin e plotë të hetuesisë dhe të prokurorisë, dy isntitucioneve të diktaturës, që sistematikisht punonin vetëm për shkatërrimin e njeriut.

Prania e këtyre formave, të ligjërimit narrativ, sa ç’e ndërlikon rrjedhën e ngjarjeve, aq më shumë e pasuron pentagramin e formësimit të gjendjeve letrare, thelbësisht të pazakonshme, në tipologjinë romanore.

 

Tri pjesët strukturore të romanit

Përkushtimi i vendosur në krye të librit: Poetëve të pushkatuar/dhe të varur, jo më pak /atyre që u vranë shpirtërisht, vetëm sa ngre siparin e nderimit të poetëve, pamëdyshje zërit të secilës kohë. Mbi tipologjinë e zhanrit, në këtë rast vlen sjellja në vëmendje e sugjerimit të Milan Kunderës, kur thotë: Romani nuk ekzaminon realitetin, por qenien. Dhe qenia nuk është ajo që ka ndodhur, ajo është hapësira e mundësisë njerëzore, gjithçka që njeriu mund të bëjë; gjithçka që është e mundur për t’u bërë prej tij. (2001: 52-53). Ndërkaq, ngrehina e tekstit të romanit, Kolerë në kohë të dashurisë, lartësohet dhe shpalohet mbi këto elementë strukturorë:

A – Prolog, që shoqërohet me numër një, pra një pasazh i plotë, që të shpie në kohën kur pushkatohej poeti, që përkon me kohën e kooperimit dhe të spiunimit, e cila e kishte rrezbitur qenien arbnore.  Pjesë e Prologut është edhe episodi i dytë, ku madje ndeshim frazën: Vëllai im…ty ta prenë edhe kokën.. (2020: 16), që të sjellë në mendje pikërisht fatin e zi të Havzi Nelës, që diktatura e vari në litar, në vitet e fundit të ekzistencës së vetë.

B – Pjesa e Parë, e cila ndërkaq paraprihet nga ligjërata: Frika flinte bashkë me ne…të gjithëve na përgjonte syri i lugatit, që e shpërndërron kohën letrare, në kohën reale dhe në kohën e kujtesës si marrëdhënie e të dyja kohëve, por edhe e protagonistëve të romanit. Teatri absurd, me qenin që mbrohet me avokat, një paratekst dramatik i mëhershëm, ofron pamjen e kohës kur njeriu nuk kishte fare të drejta njerëzore, që tanimë rimerret dhe shqiptohet si narrativë e kujtesës. Tronditës nga rrëfimi/përjetimi i nënës së Valmirit, birit që pati ardhur në jetë nga përdhunimi i saj, prej Grobnikut-lugatit. Në këtë pjesë, ku janë vendosur kapitujt, 3-12, ndërkohë më tepër paraqitet atmosfera e ndryshimeve demokratike.

C – Pjesa e Dytë, e cila hapet me dyvargëshin: Shqiponjës ia gjen çerdhen,/ por varrin asnjëherë…, si një parathënie emblematike e pazakontë. Në kapitullin 12, ngjet kthimi në atë kohë, sërish përmes kujtimeve, në përpjekjen për të gjetur eshtrat e mësuesit – poet, por këtu befas ngjet edhe realizimi i dashurisë së Antigonës me Valmirin, që ngjet në sfondin e pazakontë të kërkimit të varrit të humbur. Shpesh herë rrëfimi i autorit, ndërthuret me pjesë të marra nga ditari i Fran Caranit, hedhur dikur në disa fletore. Në këto episode, që zë fill me kapitullin 12 dhe përfundon me kapitullin 24, shpërfaqet fati i hidhur i poetëve, pa varr; Budi, Fishta dhe Lorka, i poetëve të pushkatuar; Xhagjika, Leka, Bloshmi, etj. , gjer të Havzi Nela, që pasi e varën e lanë edhe pa kokë.

D – Pjesa e Tretë, e cila hapet me shprehjen: Perëndia ime/pse më braktise (Mateu, 27), dhe pasohet me një kapitull të shkurtër, ku shpërndahet një dosje (tragjike), nga koha e territ, ku shënohet: Këtu gjen varrin e Poetit, e fill pastaj ngjet kthimi në kohën e diktaturës, e cila vjen përmes narrativës së dëshmisë, pra nëpërmjet shënimeve të hetuesit dhe prokurorit Ferhat Drobniku. Kapitulli 26, Pushkatimi im i parë. Kapitulli 27, Pushkatim pa numër. Kapitulli 28, Pushkatimi i dytë. Kapitulli 29, Pushkatimi i tretë. Kapitulli 30, Pushkatimi i katërt, i dështuar. Kapitulli 31, Pushkatimi i pestë dhe i gjashtë. Pra, kemi të paraqitura, disa kapituj, të natyrës së pastër të dëshmisë, të një realiteti makabër, ku duket se jeta e tejkalon artin, ku madje realja, fanitet si një univers i papërshkrueshëm, me fjalë. Në kapitullin 32, ngjet kthimi në kohën letrare, deri te Epilogu, pra kapitulli 38, kur prekim të sotmen, e cila është marrë peng nga e djeshmja, madje ku e djeshmja është kolera, që vret dashurinë, vret të sotmen, madje pa grimën e mëshirës.

E – Epilogu, ku, tanimë, shfaqet emri i vajzës, Djellza, fryt i dashurisë së Antigonës me Valmirin.

 

Roman për poetët dhe poezinë

Epiqendër e atmosferës së romanit Kolerë në kohë të dashurisë, është fati i poetit/poezisë, vendosur në një kohë marrëzie. Po ashtu pavarësisht se në tekst, dalin në pah me dhjetëra personazhe, mori fatesh njerëzore, ndërkaq personazh qëndror është poeti, madje përtej kohës dhe hapësirës. Megjithatë, portreti i poetit/poetëve, gjendet në zgripin e vetë ekzistencial, sepse poeti është zë i kohës, e poezia jeton më gjatë se sa vetë poeti. Ndërkaq, dija letrare dhe praktika e shkrimit, konfirmon që poeti është edhe individ dhe fat personal. Poeti, që plazmon autori, në faqet e këtij romani, vjen i skicuar, nëpër disa forma:

Në radhë të parë: Poetët pa varr, Budi, Lorka dhe Fishta, si kujtesë e vetëdijes së poetëve, por edhe të shenjave të poezisë së tyre, si një bashkudhëtim i pashmangshëm që gjallon edhe në amshim.

Në radhë të dytë: Si akt makabër, i pushkatimit të T. Xhagjikës, G. Lekës, V. Blloshmit, i varjes së Havzi Nelës, si dhe i ndarjes së kokës nga trupi. Këto vrasje dhe varje në litar, kanë ndodhur në motet e diktaturës, pra duke tejkaluar imagjinatën, sado e përndezur qoftë. Kur vret poetët, vret edhe ëndrrat për të nesërmen. Fat të hidhur, me burgosje patën edhe M. Kokolari, S. Maleshova, M. Kuteli, P. Marko, K. Trebeshina, V. Zhiti etj.

Në radhë të tretë: Portretizim të plotë me anë të vargjeve, të marra nga krijimtaria e poetëve të vuajtjes. Në faqet e romanit Kolerë në kohë të dashurisë, ndërkohë janë përfshirë disa vargje të F. Rreshpjes, lirikut të peozisë moderne shqipe, që kryejnë funksionin e vetëportretizimit të poetit, por edhe të karakterizmit të poetit, si figurë përgjithësuese. Vargjet e F. Rreshpjes po kaq janë edhe simfonia e portretizimit të poetit/poetëve, e po kaq edhe frymim i shpirtit të poezisë.

Poeti, zë i kohës, e poezia si frymë ekzistenciale e qenies, në faqet e këtij romani, e figuron poetin, në të gjitha pamjet universale, si poet pa varr, si poet që në diktaturë vritet, por edhe si poezi që përjetëson poetin dhe kohën, jetën dhe matanëjetën. Pra, poeti, që profilizon autori në faqet e librit, bart dhe përçon te lexuesi, grimcat ekzistenciale të fatit të poetit/poetëve, por njëherit përthekson rrethanën e përjetësisë së tyre në poezi, në fjalë e varg, që përgjithësisht e kapërcejnë kohën dhe hapësirën. Prania e F. Rreshpjes, ndonëse vjen tërthorazi nëpërmjet vargjeve, ndërkohë që në frymën e përçuar rezulton më jetikja. Në faqet e romanit, Kolerë në kohë të dashurisë, ku janë përfshirë mbi njëzet vargje të Rreshpjes, krahas disa vargjeve të Lorkës dhe të Xhagjikës, të P. Vasës dhe Fishtës, pikturojnë shpirtin e poezisë. Poetët, zërat e kohës, shpirtrat e përjetësisë së qenies, mbijetojnë në fjalën e vargëzuar, ndërkaq ata qëndrojnë përballë personazheve të romanit, Justinës, Marashit, Drobnikut, Franit, Antigonës,Valmirit etj. , si një akt i përballjes së fatit të poetit, që sublimon dhe përjetëson fatin e qenies njerëzore.

***

Dykohësia e pashmangshme

 

Romani, Kolerë në kohë të dashurisë, që shenjon tekstin e katërtë të autorit, i pranëvë kohët, gjer në përballëvënie, gjë që ngjet në të gjithë tekstet e romaneve të autorit. Në këtë roman, ndërkohësia, pra marrëdhënia e ndërsjellë e dy kohëve, fiton një status më identifikues, si një dykohësi e pashmangshme, gjë që ka ndikuar fuqishëm për të sendërtuar një botë magjike të pazakontë, ku elementët e fantazisë: “… janë një “shtrembërim i realitetit”, ndërsa në të njëjtën kohë janë “mjetet për një vizion real të botës. (1993: 2), të Hoogland, Cornelia, Poetics, politics and pedagogy of Grimms’ fairy tales, Simon Fraser University. Një botë magjike, në brendi dhe formësim, ku konkretja dhe irealja, ndërthuren ndërmjetshëm përmes imagjinatës dhe materializojnë të plotë strukturën tërësore të veprës. Pikërisht kjo rrethanë e përveçme e ndërlidhjes së strukturës së jashtme, pra formale, me strukturën e brendshme, ku takohet dhe ndërthuret jeta fizike me shpirtëroren, konkretja me imagjinaren, ka mundësuar thurjen e një vepre origjinale të pazakontë. Ngritja në këtë nivel shtjellimi, si kapërthurje letrare, gjithsesi ka bërë të mundur, të shpalosen tri shenja:

Së pari: Identifikim i të djeshmes, mbase me të gjitha hijet e pranishme, duke u ndalur pak më gjatë me pasojat që krijuan dy levat e diktaturës, sigurimi i shtetit ose fytyra shkatërrimtare e qenies, si dhe të prokurorisë së kohës, që zbatonte ligjet e diktaturës dhe urdhërat e partisë. Hija e rëndë e diktarurës së egër, vret e prêt nga të gjitha anët, e zhytur në marrëzi pushkatimi dhe të varjes në litar të poetit. Pamja e tillë, kaq monstruoze, ia ka hequr petët lakororit, diktatura ka dalë zbuluar, madje me gjithë egërsinë e vetë.

Së dyti: Qartësimi i të sotmes, e cila gjallon e zhytur në anarki, në vjedhje e vrasje, në zgjimin e tjetërsimit të qenies, që pasi ka braktisur veten, dje, sot e kredhur në mjerim dhe lemerisje, tashmë rend të braktis atdheun, të iki ku sytë-këmbët. E sotmja, ku mjerisht bëhet sikur kemi hyrë në demokraci, ndonëse në marrëdhënie ndërmjet vetes, bartim mendësitë e të djeshmes, e shpalljes së armiqëve, e urrejtjes, e përjashtimit paragjykues të tjetrit. Ndërrimi i kostumit, nga komunist në socialist apo demokrat, vetëmsa e grimcojnë dhe shumëfishojnë të keqen, vijimin e luftës së klasave, edhe pse ka rënë sistemi politik, që e kishte përparësi.

Së treti: Një bashkudhëtim absurd, jo i lehtë për tu kthjelluar, ku e djeshmja dhe sotmja, në mënyrë të habitshme ngjajnë si dy pika ujë. Dykohësia e ndërrimit të vendit, të së djeshmes me të sotmen dhe anasjelltas, është një identifikim i rrallë i amullisë, kinse demokratike. Kjo gjendje paradoksale, ku e djeshmja shpalon tragjiken, ku vriteshin dhe vareshin poetët, me të sotmen komike, ku madje as varrin nuk ua gjejmë dot.

Dykohësia, ka endur një realitet letrar, të ndërthurjes së konkretes me imagjinaren, thelbësisht të bashkëlidhur, tragjikomik, ku sot ende jetojmë me të djeshmen, e prandaj dyzimi i dy kohëve, ka endur një mur të lartë, një rrjetë merimange për ardhmërinë.

 

Vargje dhe narrativë

 

Faqet e romanit, Kolerë në kohë të dashurisë, të ofrojnë një situim të beftë letrar, ku bashkëlidhen dhe shkrihen në unison letrar, vargjet me narrativën e larmisë shkrimore. Përkushtimi fillimtar i librit, përcillet në këtë formë shprehësie: Poetëve të pushkatuar/dhe të varur, jo më pak /atyre që u vranë shpirtërisht, ku duket se është shpalosur si një prozë poetike. Në faqen dhjetë të tekstit të romanit, ndeshim edhe vargun: Një gjethe u bë zog dhe vajtoi, mbi ullishte. (2020: 10). Në vijim të materies letrar të tekstit të romanit, hasen katërmbëdhjetë vargje satirike, për ditën e punës në kooperativë, që shpien situatën në kohën e djeshme. Pastaj, kemi të paraqituara gjashtë vargje të Pashko Vasës, të shkëputura nga teksti “O moj Shqypni”, në të cilin pas vargjeve “Po sot, Shqipni, më thuej si je?” autori shton vargun “ Një kile mish, dhjetë kokrra vé”, duke sintetizuar varfërinë e kohës. Para pjesës së parë të romanit, kemi të shpallur përkushtimin: Frika flinte bashkë me ne…të gjithëve na përgjonte syri i lugatit, ku kemi sërish një ligjërim të pastër të natyrës së prozës poetike. Në faqen shtatëdhjetë e nëntë të romanit, kemi të pranishëm katër vargje satirike, të shkruara në formën e një bejte. Situata e një ligjërimi të papritur: Shqiponjës ia gjen çerdhen,/ por varrin asnjëherë, ndërkaq e paraprin Pjesën e Dytë, të tekstit të romanit. Në faqen 85, ndërkohë gjenden disa vargje të Lorkës. Në një pasazh tjetër, ndeshim vargjet: Vëllezër, po kërkuat atdheun/e kam unë…/Atdheu është lakuriq. (2020: 132), të poetit të pushkatuar Trifon Xhagjika. Po aty, përsëri ndeshim dhjetë vargje të Lorkës. Për të ardhur te vargjet epike: O perëndi, a ndjeve?/Tradhëtarët na lanë pa atdhe. , të At Gjergj Fishtës. Satira e mprehtë politike, me katër vargje për Titon dhe Enverin, si një rikthim në kohën e monizmit. Përsëri ndeshim katër vargje satirike për Marash Mrishën, një personazh tragjikomik, që bart një psikologji të një kohë tjetër, të vënë përballë me kohën e tanishme.

Më tej vijnë dy vargje nga kënga për Bardhok Bibën, për të pasuar me katër vargje për rapsodin Gjin, që jetonte me këngë të çuditshme për heronjtë. Pra, në hapësirën e tekstit romanor, nga disa poetë, sidomos të poezisë shqipe, por edhe nga Lorka, si dhe nga vargjet popullore, e bashkë me vargjet e marra nga poezia e Frederik Rreshpjes, ndërkohë kapërcehen shtatëdhejtë vargje, të pranishme në tekstin e romanit. Materia poetike e vendosur në hapësirën e tekstit të romanit, sjellë pranë lexuesit, gjurmët e poetëve, vargjet më të forta, duke lartësuar forcën e paepur shpirtërore, që gdhendet kaq magjishëm në morinë e vargjeve të pranishëm në materien e tekstit të romanit. Njëherit, kjo situatë letrare e beftë, të sjellë në vëmendje një situatë të pranvënies së prozës me poezinë, të rrëfimit me vargjet, që shpërfaqet si tipologji e shkrimit të tillë, në romanin “Djella” të Martin Camajt, si një tregues i lëvrimit të sinkretikës letrare, të bashkëlidhënisë së shkrimit letrar. Bashkëlidhënia e vargjeve, po kaq e disa frazave paraprirëse të tre pjesëve të romanit, me ngjyresa të rrokshme të prozës poetike, e shoqëruar me larminë e narrativës, që shenjon poetikën e prozës, krijon atmosferën e një ligjërimi letrar të përveçëm, të pranisë së dykohësisë dhe të ndërthurjes së prozës me poezinë. Nga njëra anë, ndërthurja e vetës së parë me vetën e tretë, në anën tjetër, prania e narrativës, të një larmie të beftë, të narrativës së autorit, të personazheve apo të narratorit të lirë, që pamëdyshje e kthen rrëfimin në këtë roman, në një rebus proze befasuese.

 

Skalitja e personazheve

 

Teksti i romanit Kolerë në kohë të dashurisë, që ndërkaq në shumicën e treguesve shkrimorë, përçon një situatë ligjërimore të pazakontë, edhe në skicimin e personazheve, që portretizohen në cilësitë morale dhe fizike. Duke qenë një hymn për poetët dhe dashurinë, romani ka vënë në epiqendër dhe ka figuruar, personazhet e shumtë, në gjithë atributet e përfaqësimit:

A – Skalitjen e poetëve, si dëshmi dhe gjurmë unike, në shenjëzimin individual dhe përfaqësues, ku plasohet fati individual dhe fati i shoqërisë. Kjo qasje e portretizimit të poetëve, në faqet e romanit, shpërfaqet në dy mënyra:

– Hapur, duke përmendur dëshminë e fatit tragjik të poetëve pa varr, Budi, Lorka dhe Fishta, të fatit të poetëve të pushkatuar, Xhagjika, Leka, Bloshmi, por edhe të fatit të paimagjinueshëm të varjes në litar, por edhe të ndarjes së kokës nga trupi, të Havzi Nelës, në vitin 1988. Këta protagonistë dhe portrete të skicuar, të cilët vijnë si dëshmi dhe akuzojnë kohën, dje dhe sot, figura reale, parakalojnë në faqet e librit, sikur në një film tmerri.

– Tërthorazi, pra me anë të vargjeve, të disa vargjeve të marra nga poezia e Lorkës, po ashtu edhe të vargjeve nga F. Rreshpja, të vargjeve të P. Vasës apo të Gjergj Fishtës, si një akt që e sublimon fatin e poezisë, me gjasë të tekstit poetik, që zakonisht e tejkalon autorin dhe vijon udhëtimin për te lexuesi, në kohë dhe hapësirë.

B – Në skicimin e gjallë të Antigonës, një shpirt i bukur, mbesës së poetit varrhumbur dhe Valmirit, birit të qetë të bastardit, të Grobnik lugatit, që dje pati bërë gjëmën mbi jetët e njerëzve, madje duke qenë krenar për makabritetet e kryme, me gjakftohtësi gjakatare. Linja e dashurisë, një ndjenjë e pastër si drita, shpalohet në drithmat e tmerrit të djeshëm, në kërkim të varrit të dajës, dhe që kridhet në dëshpërim, kur merret vesh se Valmiri, bir i lindur nga përdhunimi, ishte djalë i hetuesit, që ia pati humb varrin poetit. Dashuria dhe vetë ata vihen në një sprovë të jashtëzakonshme, dhe pa e merituar bien në një det dëshpërimi, e ndërkaq feks një dritë, kur vjen në jetë vajza e tyre.

C – Skalitja e protagonistëve të ferrit komunist, të monstrave të djeshme, të Drobnikut, që ka vrarë e prerë, ka lënduar dhe përdhunuar, i cili zbulohet me anë të portretizimit të autorit-rrëfimtar, por sidomos të dëshmive reale, të kohës kur kryente aktet makabër, në jetën e banorëve të asaj zone. Po kaq e shëmtuar, në materien e tekstit, vjen figura e Marash Mrishës, një personazhi djallëzor dhe absurd, që dje dhe sot, kryen vetëm vepra çnjerëzore. Motra, rend pa ndalur në kërkim të eshtrave, të varrit, të dhimbës së vetë, të mbeten në mendje për fatin e zi që ia ndali ëndrrat për një jetë ma të mirë. Një figurë emblematike e romanit, është Fran Carani, që përfaqëson ndërgjegjen e heshtur, që me ditaret dhe letrat e fshehur nëpër mure, mbajti gjallë kandilen e jetës, vetëdijen e qenies, shpresën se nata komuniste dikur do të merrte fund. Përmes ditarit dhe letrave, ka bërë të mundur konservimin e kohës absurde, të moteve të diktaturës, e cila integrohet natyrshëm në kohën letrare, ku zbulojmë protagonistët, fatet e hidhura të motrës së poetit, tashmë të plasuara në materien e romanit.

 

Zgjerimi i atmosferës gjuhësore

 

Një tipar tjetër i shkrimit të katër romaneve të autorit, krahas pranisë së përfillshme të shenjave estetike, është edhe shkalla më e lartë e përkujdesjes gjuhësore, që madje përvijon njërën nga cilësitë e stilit të autorit, në shkrimin e prozës së gjatë. Nga pikëpamja stilistike, prania e ligjërimit autorial, i jep ngjyresë letrare të përveçme një teksti, gjë që e thekson edhe gjuhëtari Xhevat Lloshi, gjithnjë në shenjim të dëshmisë estetike, të zbulimit të stilit të autorit, dhe të ngjyresave stilistike, kur shprehet: “Ngjyrimi stilistik është vetia e mjeteve të përfshira në organizmin dytësor, që të bien në sy, të ngjallin një përshtypje ose shoqërimi me një ndjenjë, qëndrim, situatë, fushë veprimtarie etj.. “(2012: 27, në librin Stilistika e gjuhës shqipe dhe Pragmatika). Madje, duke depërtuar në brendësi të vlerave stilistike të veprave, vetë rrethana specifike formësuese e veprës, sidomos e zhanrit të romanit, që vjen në lidhje të ngushtë me ligjërimin letrar, është e lidhur ngushtësisht me veshjen stilistike, gjuhësore dhe letrare, e cila mundëson sendërtimin e shenjave unike, të një letërsie kombëtare, si dhe të një vepre të caktuar. Ndërkaq në romanin, Kolerë në kohë të dashurisë, ndeshemi në një prani të shtuar të përkujdesjes gjuhësore, madje mund të flitet për sendërtimin e një atmosferë të pazakontë gjuhësore. Atmosfera e pranishme, zbulohet në këto shenja të dëshmuara në tekstin e romanit:

A – Sjellja në materien e tekstit të një leksiku të përveçëm, si rimarrje e fjalëve të rralla, ose të natyrës së fjalëformimeve autoriale. Në mesin e këtyre fjalëve, të pranishme në hapësirën e tekstit, po veçoj: xixayje, lacë, kshetëz, gërbellë, imtë, ndërbishtazi, gërdufjen, faftë, zhigma, pikaderdh, fortunal, borëbrymë, i rëmishtë, zhegiti, bjeshkreta, virrmën, fjalënajën, skajbotën, leqedridhuri, egërsharës, flakareshi, grimëkohë, puçeku, shkozëbardhë, cuklaja, përlina, ngjyrëfloriri, ujëtohet, përdreq, cërmanek, i skimët, sygacë, mendjevrellë, murgac, karrapuc, cranë, prushnajën, çajza, dhimtë, lulimë, kulproi, cërcëri, syçapin, bërdak, andrras, forfullajë, u cof, brythi, bixul, bizerinë, lirbardhë, gojëtharmë, kaçkarika, femëz, bredhanake, ciribash, fnazëbore, daldritë, kaltëremmë, ditë-natë, gurishtore, bokza, kmene, varrhuptas, meçka, grremç, bukojna, mykëtira, korube, hakmaseks, të cingërimtë, prashajka, kundërnjeri, përshfaqej, truphije, të ngrructë, urëkaluç, copatherës etj.

B – Me anë të ligjërimit të gegnishtes, që e pasuron ndjeshëm pentagramin e shkrimit të prozës, duke vendosur kështu në ekuilibër ligjërimin e gjuhës shqipe, kur si rrëfimtare shfaqet nusja e shtëpisë së Fran Caranit, në kapitullin e shtatëmbëdhjetë, që vjen me një formë letrare të beftë, gjë që ndeshet edhe në kapitullin e shkurtër me numër 23.

C – Ligjërimi i gjuhës së hetuesve dhe prokurorëve të kohës, me gjasë të termave të këtyre fushave, e cila vjen si dëshmi e rrëfyer. Kjo situatë, e rrëfimit të dëshmive, pra të një rrëfimi tipik absurd, shfaqet në kapitujt 26, 27, 28, 29, 30, 31, pra në gjashtë kapituj të gjerë, duke ndërfutur kështu narrativën e dëshmisë, si dhe të ligjërimit të stilit të hetuesisë në monizëm.

Prania e këtyre formave të përkujdesjes gjuhësore, si një mjet i nevojshëm stilistik, për të shenjuar koloritin e kohës dhe hapësirës, të vizatimit të dykohësisë dhe të figurimit të personazheve, në planet morale dhe fizike, duke sjellë në hapësirën tekstologjike, fjalë dhe fraza që e pasurojnë shprehësinë  dhe shenjëzimin letrar, të romanit Kolerë në kohë të dashurisë.

 

Pjesë e sagës romanore të autorit

 

Nëse tre tekstet e romaneve të autorit, përkatësisht Vajzat e mjegullës, Lulet e skajbotës dhe Ditët e lakuriqëve të natës, në njohjen dhe shijen time, veçmas të tjerash shenjon trilogjinë, që në qendër të realitetit letrar ka vënë vendlindjen, Gorën, madje duke gërshetuar kohë të ndryshme, si dhe duke projektuar tekste letrare, që kanë në thelb kujtesën, shpesh herë edhe dëshminë, duke endur kështu një realitet letrar të përveçëm, botimi i romanit Kolerë në kohë të dashurisë, ndërkaq shenjon një cak tjetër:

– Tashmë tejkalohet trilogjia, që zbulon para lexuesit, universin e një hapësire të gjerë, e gjurmëve të jetës, që e kishim pranë po nuk e vumë re, sigurisht nga mungesa e vëmendjes.

–  Katër romane, e sidomos teksti i mbramë, Kolerë në kohë të dashurisë, që tashmë jo vetëm e tejkalojnë trilogjinë, por katër teksteve të romaneve, me lidhje të dukshme të kohës dhe hapësirës, si dhe me bartje të protagonistëve, të fateve të personazheve të ndryshëm, më në fund, lajmërojnë dhe skicojnë sagën romanore, e cila përpos dykohësisë, tregon edhe shenja të sinkretikës letrare, pra të pranëshkrimit të prozës me poezinë.

Hapësirat tekstologjike të romanit Kolerë në kohë të dashurisë, nxjerrin në pah piketat ndërlidhëse në mes teksteve të romaneve të mëparshme. Kështu, në faqen 10 të këtij romani, kemi të përfshirë edhe këtë frazë: …pastaj i tregova se sa shumë i pëlqente flija, si një kujtesë e gjellës tipike të Gorës. Po ashtu, në situatën: Ai u përpoq ta mbante vajzën, por ajo iu përgjigj se nuk kishte ndër mend ta linte gjithë jetën në shpellën e lakuriqëve, që t’i tërbohej edhe drita e vetme e syrit. (2020: 27), që ta ndërmend qartësisht detajin e romanit Ditët e lakuriqëve të natës. Për të ardhur te një sipërmarrje befasuese, krejt e pazakontë, teksa shkruan: Nuk e di a e ke dëgjuar ndonjë herë, por këndej nga bjeshka jonë, kanë qenë dikur, larg në kohët që nuk mbahen mend, tri vajza që u zhveshën dhe e zbritën Hënën për të kërcyer me të vallen më të bukur të botës. (2020: 99), një dëshmi vërtet magjike, e cila është shpalosur më gjërë në romanin e sipërcituar. Në gjedhin tekstologjik, si një rimarrje e qartë: …se në fshatin e nënës së tij dielli lind dy herë në ditë dhe hëna shfaqet dy herë në natë. (2020: 103), metaforë kjo që ndjehet e pranishme edhe në tre romanet e tjerë të autorit. Në situatën tjetër: …ajo ishte e vetmja minierë për të cilën nuk u shkrua kurrë nëpër gazeta. (2020:168), një pasazh i rimarrë nga teksti i romanit Ditët e lakuriqëve të natës. Në episodin e mëposhtëm: …djemtë që shkonin natën dhe hipnin në shkallë te dritarja e së dashurës apo së fejuarës dhe dërdërllisnin deri në mëngjes…(2020: 180), e cila është një rimarrje nga hapësira tekstollogjike e romanit Vajzat e Mjegullës. Kurse në episodin tjetër: … të ruajtur nga një nxënës i imët i tij, në atë fshatin e skajbotës, ku shkoi varrhuptas. (2020: 224), si një pikëtakim befasues me romanin Lulet e skajbotës. Për të ardhur te pasazhi i fundit që kemi përzgjedhur: kjo gjë më ka ngushlluar në gjithë jetën time të zymtë e të cingërimtë, se ai ngjan nga Bjeshka ime, ku dielli lind dy herë në ditë e hana shuhet dy herë çdo natë, një vend me gurë e shkrepa, por me shpirtin si lulet e bjeshkëve të veta. (2020: 228), si një sfond i kuartetit romanor të autorit, që konfirmon praninë e sagës romanore.

Share This Article
5 Comments
  • A eshte valle ky dokle,kryealtoparlanti i zerit te hoxhes komunist dhe i partise se hoxhes dhe i dokles vet,qe shkretuan dhe asgjesuan,jo vetem zerin dhe trupat e poeteve trima dhe te talentuar tane,por dhe e shperndan kete epidemi te vrasjes se lirise ne cdo qelize te ketij kombi.
    Cfare pafytyresie kriminale!
    Te pakten te kish filluar me nje katarsis,por dhe mbas katarsis,duhej te terhiqej bute ne strofken e ngrohte te tij dhe te mos merrte guximin e cmendur,ku ekzekutori,vajton viktimat e tij.

  • TURP!
    TURP!
    TURP!
    Dhe MASKARALLEK!
    Per cfare i zhgarravit Namik Dokle keto mbrockullat e tij duke i qare hallin poeteve te pushkatuar,kur nuk ka guxuar te shkruaje per KOLEREN e ndyre,te ketyre 31 viteve fashizem demokratikjo-Feudal qe ai vete me klasen e vet politike e shtyoen dhe e shfrytezuan nje popull te tere,e masakjruan,e vetvrane,e shpopulluan te gjithe Shqiperine,duke e lene te mjere shumicen e tyre aq sa ta ndjejne veten si NJEREZ PA ATDHE?
    Pse nuk shkruan per vetewn e tij,per jeten luksoze ne vilewn e tij tek Gjiri i Derrave (Me falni,tek gjiri i Lalezit) duke qene deputet,minister,nen kryetar i Kuvendit te Shqiperise etj,por na derdellit se cfare paska bere socializmi dikur?:
    TURPI TE MBULOFTE,o Namik Dokle,o njeri qe perbuz popullin tend,qe nuk shkruan se cfare po i ben PARTIA JOTE ketij populli,aq sa ka HEDHUR BALTE MBI LUFTEN ANTIFASHISTE NACIONAL CLIRIMTARE duke nderuar krye kuinslingun ballist M.Frasheri!
    TURP!
    TURP!
    TURP!

  • Namik DOKRA jo Dokle!

    Fshati ka rrethuar kryeqytetin.
    Puntoret kane braktisur punen.
    Intelektualet mallkojne trurin.
    Ushtaraket nuk luftojne si ushtare.
    Kjo eshte pamja tone e coroditur.

    Prandaj Namiku bluan Dokra.
    Pinjoll i Klasave te shtypura te Puntoreve dhe Fshtatreve.
    Sot: Larokrat i Demokracise.

  • SHOKE PERSE JA HANI HAKUN
    ESHTE I ZGJUAR QERATAI
    ME APO PA KARAKTER
    S`CAN KOKE SE I DEL KALLAI

    DEPUTET E KALOI JETEN
    PASI MBUSHI PLOT KULETEN
    PA U SKUQ E PA ZVERDHUR
    I THOTE POPULLIT–TE KAM PJEDHUR

    ESHTE GORAN I VERTETE
    I MBAN SYTE VEC NE GAVETE

  • Namik injo-socialisti nga gora ja kushtoi jeten e tij idealeve te Rothchildeve pa e kuptuar kurre se katundi i tij dhe hebraizmi ska asnje lidhje. ;p

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *