Hyn kontrabandë ilaçi i ndaluar për gjelat e detit

Bora Basholli

Shumë ligje ndalojnë përdorimin e kimikateve apo medikamenteve problematike në Shqipëri. Por ligjet thyhen nga kontrabanda.

I tillë është rasti i një medikamenti që përdoret për gjelat e detit, por që në Europë është i ndaluar sepse shkakton dëme te njerëzit. Këtë medikament e gjen në shumë farmaci bujqësore në Shqipëri.

Në vendin tonë tregtohen medikamente kafshësh të rrezikshme dhe të ndaluara, të cilat futen kontrabandë.

Dimetridazol 99% përdoret për të mjekuar një parazitoz në pulat e detit. Ky ilaç i rrezikshëm gjendet fare lehtë në farmacitë bujqësore të Tiranës.

Mjafton të thuash dua ilaçe për merxhanet, dhe menjëherë farmacistë veterinare të jep këtë helm.

Dimetridazoli i jepet pulave të detit bashkë me ushqimin. Që ilaçi të shpërbëhet në trupin e shpendit duhet afërsisht 7 ditë, shkruan Tch.

Por një afat të tillë fermeri shqiptar jo gjithnjë e respekton. Ai e shet pulën e detit sapo gjen blerësint e parë.

Farmakologu Fejzo Selami, na tregon se vendet e Bashkimit Europian këtë medikament e kanë hequr nga qarkullimi disa dekada më parë.

“Është përdorur si parazitoz në pulat e detit, arrinte një efikasitet mbi 90% të pulës së prekur. Europa e ka ndaluar në vitin 1995, që do të thotë se automatikisht ky medikament nuk duhet të qarkullojë sepse dëmton konsumatorin e mishit shtazor, pra atë të mishit të pulës së detit”, tha Fejzo Selami, farmakolog.

Por sa i rrezikshëm është ilaçi për merxhane, ose i njohur ndryshme me emrin tregtar dimetridazol?

“Bën pjesë tek grupet e nitrozamitëve, dhe ka në përmbajtjen e vet mbetje farmaceotike NO2, që është kancerogjene. Nga referencat që janë bërë pikërisht për mbrojtjen e konsumatorit ky medikament jep çrregullime gjenetike dhe hormonale”, tha Fejzo Selam, farmakolog.

Ministria e Bujqësisë duhet të kryeje kontroll mbi produktet mjekësore veterinare, pasi depot e farmacisë veterinare dhe ato bujqësore janë të mbushura me helme që vënë në rrezik jetën e shqiptarëve.

b.b/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *