Qytetarët, të painformuar në lidhje me ndryshimet që do të pësojë ofrimi i kujdesit shëndetësor, ndërkohë që ende nuk janë zbardhur paketat e shërbimeve bazë që do të mbulojë ligji i ri
Sipas përfaqësuesve të opozitës në komisionin parlamentar të shëndetësisë ligji i ri nuk mund të hyjë në fuqi pa u akredituar më parë cilësia e institucioneve shëndetësore
Pranvera Kola
Vetëm pacientët që janë të pajisur me librezën shëndetësore do të mund të marrin shërbimet mjekësore bazë falas në poliklinikat dhe spitalet publike. Ligji i ri i sigurimeve shëndetësore tashmë ka hyrë në fuqi, çka do të pasohet me ndryshime sa i takon financimit të shërbimeve, duke përfshirë kësaj radhe në skemë edhe privatin.
Ky i fundit do të kontraktohet për shërbime të caktuara, të cilat pacientët e siguruar do t’i marrin kundrejt tarifave zero apo dhe tarifave më të reduktuara, të cilat konfirmohen nga ekspertët e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit shëndetësor.
Megjithatë, që spitalet private të përfshihen në skemë më parë, duhet t’i nënshtrohen procesit të akreditimit dhe vlerësimit të cilësisë. Proces ky që pohohet të ketë nisur në disa prej këtyre institucioneve mjekësore, por ende nuk ka rezultate konkrete në lidhje me vlerësimin e bërë. Sipas drejtuesve të Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, financimi i shërbimeve mjekësore do të bëhet mbi një paketë bazë shërbimesh, detajimi i të cilës pritet të bëhet publik gjatë javëve në vijim.
Por pretendimet e ngritura nga drejtuesit e dikastereve shëndetësore për risitë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që do të sjellë ky ligj, vlerësohen si të pavërteta nga përfaqësuesit e të majtës në komisionin parlamentar të shëndetësisë.
Deputeti i së majtës, me profesion mjek, njëherësh pjesë e këtij komisioni, Eltar Deda, lidhur me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të sigurimeve shëndetësore, ka bërë të ditur se përveç ndryshimit të emrit që e kalon ISKSH në Fond të Sigurimeve Shëndetësore, realisht nuk ka ndryshuar asgjë, duke shtuar se as qytetarët nuk janë të informuar mbi këtë ligj.
Deda mbajti qëndrimin e tij duke e quajtur një proces të dështuar, ashtu si dhe akreditimi që duhet të kishte përfunduar tashmë. “Sot ndërrohet fiktivisht emri, ku Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor merr emrin Fond Kombëtar i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor dhe asnjë gjë tjetër. As administrata e as institucionet shëndetësore publike dhe jo publike nuk kanë ndryshuar.
Po ashtu, as publiku nuk është i informuar për shërbimet e që pretendon të ofrojë ky ligj i ri. Ne e kemi kundërshtuar që në fillim me bazë. Kjo pasi reforma që ka nisur qeveria e sotme për të financuar spitalet, ka dështuar. E kemi thënë gjatë gjithë kohës, jo se ka dështuar thjesht politikisht, por ka dështuar edhe në realitet. E kjo shihet më së miri nga gjendja e vështirë në të cilat ndodhen spitalet shqiptare”, deklaroi Deda. Paralelisht me këtë ligj do të bëhet edhe akreditimi i subjekteve të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë.