Ligji për Zejtarinë tashmë ka hyrë në fuqi. I miratuar në fund të muajit qershor, ky ligj i cili është hartuar për herë të parë tashmë do t’i hapë rrugë krijimit të një dhome kombëtare përfaqësimi e cila në dy vitet e para do të subvencionohet nga shteti. Efektet e këtij subvencionimi do të nismin që me zgjedhjen e kryesisë. Anëtarësimi në dhomë do të jetë i detyrueshëm për të gjithë ata që e ushtrojnë këtë aktivitet apo do ta ushtrojnë.
Zejtarë do të konsiderohen hidraulikët, rrobaqepësit, gratë që realizojnë punime dore, tradicionale, etj. Në Shqipëri mungojnë të dhënat për numrin e saktë të personave që ushtrojnë një zeje, ndaj dhe u vlerësua si domosdoshmëri njohja më e plotë e tyre. Për këtë, ligji parashikon organizimin e plotë të veprimtarisë zejtare dhe krijimin e një sistemi dual të kualifikimit. Një model tërësisht gjerman. Kjo nënkupton që individi një pjesë të mirë të kohës do ta kalojë në mjedisin trajnues dhe atë të praktikës. Këta persona që nuk do të njihen me emërtimin nxënës, por ndihmës, bazuar edhe te ndryshimet e fundit të Kodit të Ri, do të kenë mundësi që të paguhen për periudhën e fillimit të profesionit.
Ky është një model që është përqafuar edhe nga vende të tjera, si Serbia, Maqedonia apo Bullgaria, natyrisht i përshtatur edhe sipas dinamikave të tregut.
Të gjithë zejtarët do të duhen të organizohen në Dhomën Kombëtare të Zejtarisë e cila do të krijohet mbi bazën e këtij ligji. Anëtarësimi do të jetë i detyrueshëm dhe anëtarë të Dhomës do të jenë mjeshtrit, ndihmës-mjeshtrit, si dhe ndihmësit, si dhe sipërmarrjet e zejtarisë. Në dy vitet e para anëtarësimi do të jetë me kosto zero për grupet e veçanta, si p.sh ndihmësit apo bizneset sociale, ndërsa të tjerë si në rastin e sipërmarrjeve do të duhet të paguhet një tarifë shërbimesh. Megjithatë duhet të theksojmë se Dhoma do të duhet të vetëfinancohet dhe do të veprojë si një shoqatë pa qëllim fitimi. Ajo do të jetë një nga elementët bazë të funksionimit të sistemit dual në Shqipëri.
Çdo person që ka mbushur moshën 15 vjeç (e përcaktuar në Kodin e Punës, si kohë kur mund të fillohet marrëdhënia e punës) dhe nuk është duke ndjekur ndonjë form arsimimi mund të trajnohet dhe të kualifikohet. Ai mund të afrohet pranë një sipërmarrjeje me të cilën mund të nënshkruajë një kontratë tip. Në këtë moment do të jetë punëdhënësi që do ta regjistrojë në Dhomën Kombëtare të Zejtarisë, si ndihmës. Këtu fillon edhe procesi i kualifikimit në vendin e punës. Për këtë person do të përshtaten edhe kurikulat në bazë të së cilës do të merren edhe njohuritë teorike. Kjo do të përcaktohet nga Dhomës në bashkëpunim me Agjencinë e Kualifikimeve. Periudha e kualifikimit si ndihmës zgjat 3 vjet. Pas kësaj personi ka të drejtë të japë provimin dhe të certifikohet si ndihmës-mjeshtër. Ky do të jetë një testim praktiko-teorik.
Marrëdhënia e punës (përfshi këtu edhe aspektin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore) do të rregullohet me kontratë dhe parashikohet vetëm pjesa që mbulon aksidentet në punë.
Personi pas marrjes së titullit ndihmës-mjeshtër ka të drejtë të punojë në zanatin e zgjedhur. Por nëse do të dojë të marrë titullin mjeshtër atëherë minimalisht do të duhet të ketë tre vjet përvojë pune si ndihmës-mjeshtër. Ligji përcakton se mjeshtri është titulli më i lartë që mund të merret. Edhe për këtë fazë personi do të duhet t’i nënshtrohet testimit teoriko-praktik. Janë krijuar hapësira ligjore edhe për ata që përfundojnë studimet në fusha të afërta me zejtarinë, si dizajni, inxhinieria e tekstilit, etj, ku do të zbatohet konvertimi i diplomave, në mënyrë që personi të mund të futet në sistemin e titujve.
Një tjetër rast ka të bëjë me njohjen e ‘të nxënit të mëparshëm’ që ka të bëjë me zanatet e marra gjatë procesit të punës (p.sh gjatë emigrimit), por që nuk mund të vërtetohet. Ata mund ta certifikojnë zanatin e tyre përmes dhënies së provimit. Për këtë do të ketë disa kritere dhe procedura./monitor
